Home KRYESORE Z. Bode, silluni si deputetë e jo si biznesmenë bastesh

Z. Bode, silluni si deputetë e jo si biznesmenë bastesh

Nga Mentor Kikia

Në komisionet parlamentare po diskutohet projektligji i ri për lojrat e fatit. Besoj se, veç atyre që janë te varur nga bixhozi, nuk ka shqiptar që të jetë kundër kufizimit të këtij biznesi që prodhon vetëm krim e maskarallëk. Ndër të tjera, drafti i qeverise parashikon që lokalet e basteve të mos jenë më afër se 200 metra nga shkollat, kishat dhe xhamitë. A do ta ndalojë kjo këtë epidemi? Padyshim që jo, por të paktën është një kufizim. Por ish ministri i financave Ridvan Bode, ka qene kunder, ai ka një tjetër hall: “A e dini ju se me këtë distancë që keni vendosur, në një qytetet që ka një kishë, dy xhami dhe dy shkolla i bie të mos ndërtohet asnjë nga këto”- tha z.Bode ne Komisionin e Ekonomise. Këtu z.Bode besoj e ka fjalën për qytetet e vegjël si psh Rrogozhina, Memaliaj, Laçi, Cërriku, Prrenjasi…, ku ka realisht nga dy shkolla, dy xhami, një kishë…. dhe nja 12 apo 22 lokale bastesh. Pra e keni fjalën për këto qytete, ku bastet dhe bixhozi në përgjithësi janë aktiviteti më i madh “social”, “kulturor” dhe “ekonomik”. Ku jetojnë edhe njerëzit më të varfër e më të dëshpëruar, e ku burrat shpresojnë se do të bëjnë prokopi duke bërë skedina lekët e përkrahjes sociale, e ku pasi lënë paratë, pinë dhe rrahin gratë ose vrasin vetën.

Hall i madh vertët ky Z.Bode! Po në mos pastë lokale bastesh në këto qyteza, a mendoni se ky është vërtet problemi që duhet tju preokupojë juve si ligjvënës?

Bode sqaron se kjo do të çojë në krijimin e monopoleve. Mund të jetë kështu vërtet. Por mendoj se halli më i madh duhet të jetë që këto qendra kanceri të shoqërisë të zvogëlohen. Po, të jenë edhe larg shkollave, ku nxënësit, paratë e sanduicit i bëjnë skedina. Në paste qytete me dy shkolla, një kishë e dy xhami, dhe që skanë asnjë dyqan bastesh, aq më mirë Z.Bode.

Besoj se detyra juaj është të mos mendoni si bzinemenë kur jeni në ato karrige, edhe pse shumica ose keni qenë ose jeni bërë të tillë, pra të mos merakoseni se kush do ta marrë monopolin e basteve, matrapazët e PS-së apo ata të PD-së, por të mendoni se pari se çfarë i bën mirë shoqërisë, kësaj shoqërie që është plagosur e masakruar nga të gjitha anët dhe që bixhozi është një nga ato që smundje që po e gërryen më keq se kanceri.

Të jesh në opozitë do të thotë të kundështosh qeverinë, por jo edhe kur diskutohet, të paktën, një ligj që synon të heqë një lopatë baltë nga gjirizi ku jemi zhytur.

Share: