Home KRYESORE “Nderi i Kombit” apo Qokat e një Presidenti në ikje! Nga Dritan...

“Nderi i Kombit” apo Qokat e një Presidenti në ikje! Nga Dritan Laci

Nga Dritan Laci

Ditët e fundit Presidenca e Republikës është përfshirë nga një ethe e papritur verore për të shpërndarë sa më shumë medalje të klasit të parë. Plot 32 medalje të ndara midis dy Urdhërave më të lartë të vlerësimit që jep Presidenca e Republikës; përkatësisht “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh I Punës”. Pa u ndaluar te emra të përveçëm nëse e meritonin ose jo në këtë moment të nderoheshin për punën e tyre, ajo që natyrshëm ka rënë në sy për keq është inflacioni i medaljeve të dhëna dhe koha kur këto medalje po shpërndahen në fund të Presidencës Nishani, çka më shumë se një nderim për vetë personalitetet duket një qokë e Presidentit në ikje.

Çka në heshtje është pranuar edhe nga vetë disa prej këtyre personaliteteve të cilat duke falenderuar Presidentin për vlerësimin, nuk kanë nguruar të shprehin habinë për këtë vlerësim për disa edhe të parakohshëm duke pasur parasysh që kanë ende për të dhënë në fushat përkatëse.

Presidenti Nishani nuk është i pari që krijon një precedent të tillë me shpërndarjen e dekoratave masive në fund të mandatit. E kanë bërë më parë edhe parardhës të tij në krye të Presidencës. Sigurisht që kjo sjellje inflacioniste përveçse zhvlerëson mënyrën e dhënies së dekoratës por nuk nderon as vetë institucionin e Presidencës.

Një dekoratë në thelb është vlerësim individual dhe jo një bonboniere plot me ëmbëlsira ku gostit miqtë, farefisin, apo edhe simpatizantët e partisë e me radhë. Në këtë aspekt zhvlerësimi që i ka bërë Presidenca dekoratave të larta, duke i shpërndarë si në atë shprehjen “hajde se u hap dëngu” nuk e nderon këtë institucion përkundrazi e damkos si një institucion inflacionist medaljesh për interesa të ngushta. E them edhe njëherë që në atë listë ka personalitete të shquar që e meritonin edhe më herët Urdhërin e Lartë me të cilin janë nderuar. Sikundër ka në atë listë edhe personalitete që kanë akoma shumë për të dhënë në fushën e tyre. Sikundër ka edhe nga ata që kanë një kontribut tejet modest, dhe shumë mirë mund të kishin marrë medalje të një klasi më të ulët.

Po përse gjithë ky nxitim me disa prej tyre, a thua se papritur Presidencën e kanë zënë ethet tropikale?Ndoshta sepse kjo sjellje fsheh një tjetër sjellje abuzive gati të zakonshme të kthyer në modë në shpërndarjen e medaljeve që bën institucioni i Presidencës; atë të shpërndarjes së dekoratave me konjukturë të mirëfilltë politike.

Ku vjen një President, bën qokat e tij politike, ikën dhe më pas vjen një tjetër President i një krahu tjetër politik dhe dekoron të tijët. Gjithçka bie era abuzivizëm. Dhe më shumë bindesh për këtë sjellje jo korrekte të instituionit të Presidencës, ndërsa shikon listën e të vdekurve të dekoruar. Alberti Vërria që skaliti Xha Sulon personazhet më emblematikë të kinematografisë shqiptare në filmin “Kapedani” jetoi 79 vite dhe nuk e gëzoi në të gjallë një Urdhër të Lartë. Por u desh të vdiste, të kalonte edhe dy vite pa të nderohej. E pra kush më shumë se Albert Vërria e meritonte në të gjallë të tij një medalje të tillë. Po kështu edhe për aktorët Bep Shiroka, Shehri Mita dhe Vasillaq Vangjeli të paharrueshëm për personazhet që kanë lënë në kujtesën e publikut, që Presidenca e Republikës ka gjetur ti dekorojë pas vdekjes. Do ishte ndryshe nëse këta korifenj të artit të kishin një vdekje jo natyrale, por të japësh 50 vite kontribut në skenë të vdesësh nga pleqëria dhe të kujtohen që kanë harruar të të japin medalje dhe më keq akoma të ta japin pas vdekjes është baraz me tallje. Sepse për çfarë i duhet Albert Vërrisë dhe aktorëve të tjerë të sipërmendur një medalje në botën tjetër, këtë e di vetëm Presidenca e Republikës së Shqipërisë që shpik medalje të tilla.

Urojmë që sjellje të tilla inflacioniste me medaljet të jenë të fundit. Pak më shumë dinjitet do na bënte mirë si shoqëri. Le ta fillojmë moderimin nga institucioni i Presidencës si fillim dhe jo nga institucioni i Qokave. Dhe meqë ra fjala, që medaljet të mos i përdorni si stoqe magazine, ju lutem, para se të ikin nga kjo jetë, bëjini një freskim listës së atyre pak të gjallëve, që kanë bërë një punë të hajrit në këtë vend. Ju them që ka ende plot të tillë që e meritojnë, që kanë zgjedhur të jenë dinjitozë dhe nuk i përkasin listës së qokave. Doni t’ju them një emër; Muharrem Fejzo, një nga bashkëregjisoët e “Kapedanit” dhe të “Guna përmbi tela”, “Mësonjtorja” etj….Kapeni sa është gjallë….

Share: