Home KRYESORE Disa përfundime dhe parashikime për Edi Ramën. Nga Dritan Hila

Disa përfundime dhe parashikime për Edi Ramën. Nga Dritan Hila

Tani që fushata elektorale mbaroi, mund të nxirren disa përfundime mbi karakterin e saj dhe pasqyrimi në të ardhmen e vendit, veçanërisht për fituesin e saj Edi Ramën.

1. Kjo ishte një fushatë e personalizuar e tij e cila u përqëndrua e gjtha mbi figurën e Edi Ramës. Ndaj fitorja i përket e gjitha atij.

2. Ishte një fushatë e gjitha populiste, e pashembullt në asnjë vend të Evropës ku kandidati prezantohej gjithandej me tuta dhe fanela të personalizuara. Nuk u prezantua asnjë program konkret dhe filli përshkrues ishin batuta të tij me dëgjuesit. E gjitha kjo çuditërisht funksionoi.

3. Partia Socialiste tashmë është e gjitha një mekanizëm në duart e tij dhe sipas shijeve të tij. Do të jetë kështu derikur të dëshirojë Edi Rama.

4. Lista e deputetëve ishte e gjitha vendim personal i Edi Ramës, ku kriteri bazë ishte besnikëria ndaj tij. E kaluara korruptive apo kriminale e disa elementëve, nuk ndikoi fare në përzgjedhjen nga ana e tij. Kush nuk mundi të kandidonte personalisht për shkak të kaluarës kriminale dhe presionit ndërkombëtar, kandidoi nën sigla të tjera personalisht ose të afërmit e tij.

5. Ajo që shpalosi Edi Rama gjatë fushatës në debatet me gazetarët, ishte sigurimi i elektoratit se do të vazhdojë politika e koncesioneve, rilindja urbane, importi i plehrave, dhe shumë politika për të cilat u kritikua gjatë mandatit të shkuar. Kush shprehet tani se ai duhet të lexojë me kujdes votën, ose është budallepsur ose fshihet pas gishtit. Rama e ka lexuar më së miri votën dhe ajo i thotë që ka pasur të drejtë. Të paktën shumica e votuesve që u paraqitën në kutitë e votimit i ka dhënë Carta Bianca për katër vitet që vijnë.

6. Edi Rama u votua vetëm nga trupa e militantëve socialistë, por një PD e dobët i mundësoi rritjen e peshës së votës. Politika e bojkotit e ndjekur nga elementë të elaboruar të shoqërisë ose personazhe politikë, tregoi se jo vetëm që nuk e njohin sistemin dhe realitetin, por as janë kundërshtarë seriozë të Ramës.

7. Bëri përshtypje fakti se pavarësisht politikave të tij ultraliberiste, militantët e një partie që pretendon të jetë e majtë e votuan pa mëdyshje, çka tregoi se më shumë se parti ideologjike, PS, ashtu si çdo parti tjetër shqiptare, është një grupim njerëzish me interesa të cilat shkojnë nga ruajtja e vendit të punës (në bazë), koncesionet, monopolet apo trafiqet (në majë).

8. Si asnjëherë tjetër, asnjë zë i inteligjencës që e konsideron veten të majtë nuk e kritikoj atë për politikat e tij ultraliberiste dhe korruptive. Madje edhe kritikë sporadikë të tij gjatë katër vjetëve, bënë thirrje që të votohej. Kjo ishte një sinjal se inteligjenca shqiptare politikisht është në nivelin e elektoratit bazë i cili mendon nëpërmjet stomakut, dhe ideologjikisht e ka ulur stekën e saj në banalitetin e përplasjeve me Berishën, Bashën apo Metën.

9. Në katër vitet që vijnë, Edi Rama do të zotërojë një shumicë e cila ka 78 vota. Kjo do ti mundësojë qeverisjen e qetë. Në rast nevoje, për reforma që do ti duhen për konsolidimin e pushtetit të tij, do të mund të sigurojë edhe shumicën me 84 vota me deputetë nga rradhët e kundërshtarëve, kryesisht PD.

10. Gjatë kësaj kohe është i rëndësishëm pasja e një opozite të fortë. Por mungesa e numrave të mjaftueshëm nga LSI e cila është një kundërshtar i motivuar dhe mungesa e eksperiecës politike nga trupa e re e deputetëve të PD dhe çorganizimi total i saj, flasin për një mot të mirë dhe detra të qeta në katër vjetët që vijnë për anijen e timonierit të PS.

11. Kush mendon se Edi Rama do të rrëzohet vetiu nga mbipesha e pushtetit që ka marrë, bën krahasimin e elefantit me mizën. Shqipëria është një bashki e një qyteti mesatar Evropian.

12. Kush mendon se do të rrëzohet për shkak të ekonomisë që nuk do të eci, e lexon në mënyrë shabllone historinë e popujve të tjerë dhe implementon në Shqipëri dhe interpreton atë vendçe. Shqiptarët nuk pëlqejnë përplasjet politike për shkak të ideve por ikjen, nuk kërkojnë ndryshimin e sistemit por përshtatjen me të, nuk përpiqen për përmirësimin e ekonomisë vendase por shkojnë ta gjejnë tjetërkund. Heqja e vizave është një ndihmesë e madhe për shfryrjen e tensioneve ekonomike dhe sociale në Shqipëri./dritare.net/

Share: