Nga Azem Parllaku
Në demokraci partia apo partitë në pushtet, nuk janë kurrë në pozicionin e një fitimtari total, por të një përfaqësimi të përkohshëm të shoqërisë deri në zgjedhjet e reja, ndaj dhe reflektimi i Lulzim Bashës pas humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e përgjithëshme të 25 qershorit, është për t’u respektuar. “Unë marrë të gjitha përgjegjësitë për rezultatin.
Demokratët dhe shqiptarët meritojnë një analizë të thellë, mes atyre që dolën kundër dhe atyre që luftuan me mish e me shpirt. Se ku gabuam nuk e përcaktojë unë dhe as ata që luftuan kundër. Për këtë arsye kam vendosur të ngrijë funksionet e mia dhe t’ua delegojë ato dy nënkryetarëve për të organizuar garën brenda Partisë Demokratike me votën një anëtar një votë”, tha Basha. Duke vepruar kështu, Basha na e sjellë në kujtesë Aristotelin sipas të cilit, çdo njeri ka të drejtë të marrë pjesë në angazhime dhe organizime shoqërore.
Ai theksonte se, interesat private duhet të vendosen në shërbim të interesave publike, me qëllimin vital ndjekja e lumturisë. Që ndryshe do të thotë ushtrimi i pushtetit duhet bërë në shërbim të lumturisë njerëzore. Veçanërisht ky mesazh vlen për demokratët, për të cilët u tha se, nuk shkuan për të votuar. Por, jo domosdoshmërisht modeli i keq politik duhet krijojë edhe modelin e keq të qytetarit. Ndaj, është koha që ne të gjithë të jemi të përgjegjshëm.
Të jemi më të moderuar, më njerëzorë, dhe të marrim përgjegjësi për çdo gjë që nuk ka shkuar mirë. Këtë nuk mund t’a bëjë asnjë individ, këtë nuk mund t’a bëjë asnjë parti, këtë nuk mund ta bëjë asnjë shumicë, këtë nuk mund t’a bëjë asnjë pakicë. Këtë mund t’a bëjë vetëm një kulturë e re politike, ku qytetarët do të shkëlqejnë me frymën e tyre të bashkëpunimit të solidaritetit, të përgjegjshmërisë, të pjesëmarrjes dhe të transparencës.
Fraksioni shpërfaqur brenda Partisë Demokratike, thënë ndryshe grupi i të pakënaqurive ka në dorë tashmë, të veprojë në interes të reformimit të Partisë Demokratike dhe rikonsolidimin e radhëve për organizimin e zgjedhjeve të organeve të partisë. Në një vështrim të shpejtë, duket se fraksioni në fjalë nuk ka një strategji të hartuar, por thjeshtë sjellja e tyre e nxitur nga pakënaqësia, demonstrohet si rëndomë, për më shumë për t’u shitur në opinion se vërtetë fjala është për kritikues të establishmentit aktual partiak. Në ditët në vijim, do të shohim se, ky fraksion në vazhdimësi do të thiret me narativin duke e quajtur Bashën dhe bashkëpuntorët e tij si dështues.
Do t’a theksojnë me ta madhe se viteve të fundit nuk ka patur demokraci brenda partisë dhe se, nuk është vlerësuar mjaftueshëm kontributi i një numri të madh të aktivistëve sipas tyre për vitalitetin politik të partisë.Por ky fraksion asnjëherë nuk do të kujtohet se deri para një muaji ishin aty. Fraksionistët që po e satanizojnë Bashën, të parët do të kishin kërkuar pjesën e tortës. Disa kanë më shumë vite në Partinë Demokratike dhe kanë hise edhe në dëmtimin e saj gjatë viteve por dhe edhe tani. Të pakënaqurit, e përjetuan keqas mospërfshirjen në listën për parlamentare. Sot ata po përmbahen. E përjetojnë dramatikisht, Topalli e Bregu, duke harrur se Parlamenti do vazhdojë punën edhe pa dy zonjat të cilat për dy vjet qetë-qetë marrin edhe rrogën e majme si ish-deputete, kur 50% e grave të Shqipnisë marrin nga 40 mijë lekë të vjetra në muaj për familjet e tyre.
Humbjen e njeh vetëm vetvetja, interesi personal, karrigia për pushtet, lavdia personale, drejt së cilës humb vlerat shpirtërore duke ngritur vlerat e pasurisë bankare. Humbësit praktikojnë teorinë e sharjeve, të bllofit, të intrigave, dhe të spiunllëkut. Topalli, Bregu, Imami dhe tabori i fraksionistëve duhet t’a kenë parasysh se, karrigia e pushtetit që ata kanë patur deri dje, nuk është kalaja ku ndërtohen fortesat për të mbrojtur dhe pasuruar vetveten. Partia Demokratike ka nevojë të rindërtohet, ka nevojë për mendje të shëndosha, për njerëz aktivë e optimistë për të ardhmen.
Por këto mendje nuk gjenden tek ata që mendojnë për vetveten, por tek ata që mendojnë se ky partia bëhet fituese kur bëhemi të gjithë bashkë për një qëllim të vetëm. Shqiptari është gjithmonë fukara, por pa dinjitet nuk është. Shqiptari e di se; Ka një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur, një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar, një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të vajtuar dhe një kohë për të vallëzuar, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për t’u frenuar, një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të hequr dorë, një kohë për të mbajtur dhe një kohë për të hedhur tutje, një kohë për të shqyer dhe një kohë për të ngjitur, një kohë për të qenë të heshtur dhe një kohë për të folur.
Gropa më thithëse drejtë humbjes së Partisë Demokratike ishit ju: Jozefinë, Majlindë, dhe të tjerët që u ndjekin. Boll më, jeni shndërruar në kazanë që kundërmoni.