Nga Rev. Akil Pano
Goditeni, mallkojeni… projektoni mbi të gjithë fajin, humbjen, rrëzimin dhe dështimin, për ‘parajsën’ tuaj të humbur tashmë dy herë.
Skena e lashtë e anathemas (mallkimit) publike që i bëhet Krishtit prej turmës, erdhi e gjallë tek unë, pasi dëgjova thirrjet mallkuese, fyese, poshtëruese, denigruese, të bëra prej një grupi jo të vogël, kryesisht ish-senatorëve deputetë, të partisë më të madhe opozitare në vend.
Këtyre zërave, me një shpejtësi të beftë iu bashkua kori i zërave të disa analistëve, pronarëve të medias, aksionerëve të politikës, kryesisht përfitues jo të vegjël të pushtetit, të cilët derdhën gjithë kupën e zemërimit, hidhërimit, gjykimit, fajit dhe ndëshkimit të tyre mbi njeriun të cilin duan ta shohin mbi kryq.
Thërrasin të rrëzojnë, kryqëzojnë, ndëshkojnë e largojnë, pasi kanë vendosur mbi kryqin e drunjtë të caktuar për kryetarin e tyre, mbishkrimin; Mbreti i Fajit.
Kjo skenë ishte e pregatitur prej kohësh, çarku ishte ngrehur për prenë kilometra të tëra rrugëtimi, përpara tendës së mbledhjes së demokratëve. Dikush duhet të paguajë për humbjen, dështimin, rrëzimin dhe pafuqinë e familjes e cila, shtegëton, ndeshet, fiton dhe humb një, dy a më shumë beteja në historinë e saj.
Skenë e cila ka shkelmuar duke shkallmuar moralin, etikën, kulturën dhe gjithçka të dëlirë që lidhet me parimet konservatore të djathta në platformën e ndërveprimit politik. Ballkanizim copëzues që rend të riprodhojë armiqësi, ndarje, rigrupime, e më së tepërmi vrasjen politike të liderit. Ky është problemi ynë kryesor, lideri. Kur ai është dobët, s’mund të na udhëheqë, kur është i fortë themi se është diktator!
Cili është në të vërtetë lideri që duam!?
Përgjatë 25 viteve të rrugëtimit tonë post-komunist, jemi treguar të paaftë dhe shumë të kursyer të lartësojmë vlerat në jetën e liderit, por kemi qenë të zellshëm të amplifikojmë dobësitë e tij.
Por cili është lideri që duam!?
Oh, kjo është e lehtë; natyrisht, liderin që na vlerëson duke na dhënë një pozitë në formaconin tonë politik, liderin i cili na çon në fitore.
Por rruga e liderit që çon në ftore, natyrshëm kalon përmes shtegut të dhimbshëm të humbjes. Miq të mi demokratë!
Lideri nuk prodhohet brenda ditës, e as një dekade. Ruajeni liderin, kultivoni vlerat e tij, rrituni sëbashku me të, bëjuni mburojë shigjetave të ndezura që tani kanë zënë diellin mbi kryet e tij. Kujtoni vlerat e familjes e cila qëndron dhe lufton për të vetët. Në të kundërt, e ndarë ndër vete, ajo s’mund të qëndrojë.
Skena që unë shoh, nuk është skena të cilën z.Ruli përmend në statusin e tij publik. Unë nuk shoh ‘Jezusin i Cili me kamzhik nxjerr tregtarët jashtë Tempullit,’
Unë shoh një Jezus tjetër! Shoh Jezusin përballë turmës së akuzuesve të cilët duan të vrasin bariun duke projektuar mbi të, pafuqinë e tyre.
Shoh burrin, i cili merr përsipër të paguajë çmimin e fajit të pafuqisë së familjes! Të gjithë familjes, në veçanti pjesës së saj më të brishtë. Vëllezërve që zgjodhën të mos ndeshen, jo prej drobitjes nga betejat e së shkuarës, por prej ambicjes për pushtetin brenda familjes. Motrave të cilat nisën ankesat se u ndjenë të padëgjuara, e se harruan atë që prej natyre e japin pa u kursyer në familjen e tyre prindërore; dashurinë dhe përkushtimin. Shoh ‘miqtë’ të cilët në orën më të vështirë, braktisin bariun më një puthje.
Por gjithashtu, shoh morinë e vëllezërve, motrat dhe miqtë, të cilët duan familjen dhe bariun. Shoh realitetin e politkës dhe strukturave shoqërore në Shqipëri. Shoh nevojën në parlamentin e ri për opozitarizëm të fortë dhe konstruktiv. Shoh një kastë të re e cila duhet të çojë përpara reformat e rëndësishme për progresin e Shqipërisë.
Miq të mi demokratë! Lutem që Zoti t’ju japë urtësi të dalloni stinën politike në të cilën ndodhet vendi dhe të ndërmerrni hapat e nevojshëm drejt ringritjes të familjes tuaj e cila ka peshë historike në demokracinë e Shqipërisë.
Përzemërsisht, Rev. Akil Pano