Në përurimin e librit “Vrima” të sapo përkthyer në rumanisht e botuar nga shtëpia botuese Corint. Shkrimtarja e njohur rumune Ana Barton do të shprehej për vëllimin (që në rumanisht ka titullin “Origjina e botës”) se” “Poezia e Rita Petros ka qenë një befasi e madhe për mua, e kam lexuar brenda një nate, me një frymë, me një rumanishte të mrekullueshme, falë përkthimit të shkëlqyer të Marius Dobrescut dhe Luan Topciu.
Në vendin e saj ky libër ka zgjuar mjaft debate, i konsideruar tejet erotik-eksplicit, duke u konsideruar një sprovë tejet e guximshme. Për mua pikërisht erotizmi dhe seksualizmi i poezive, të shtjelluara, në të shumtën e herës, nën një perspektivë kozmogonike e mistike, madje edhe biblike, krijon impaktin emocional që mund të ta falë vetëm një poezi e shkëlqyer. Më pëlqeu shumë, kur e kur e ashpër, kur e kur shpuese, por edhe e mëndafshtë njëkohësisht.”
Ndërsa Prof. Univ. Dr. Angelo Mitchievici vlerësoi se: “Kemi të bëjmë, në një pjesë të mirë të librit, me poezi erotike të cilësisë më të lartë. Rolin që luan Rita Petro është ajo e bakantes (priftëresha që shoqëron perëndinë e Bakus-it), një bakante, e cila, në mënyrë paradoksale, nuk është e dehur me verë, por me ndjesitë e veta dhe është tejet e kthjellët në këtë gjendje dehjeje, duke bërë të mundur kësisoj që ndjesitë e saj të bëhen të komunikueshme nëpërmjet vargjeve poetike”.
Në datat 21 dhe 22 qershor, në Rumani, u zhvilluan dy promovime të librit poetik “Vrima” të poetes Rita Petro. Në Bukuresht promovimi u zhvillua në Muzeun Kombëtar të Historisë të Rumanisë, në sallën Lapidarium, ndërsa promovimi i dytë në qytetin bregdetar të Konstancës, në sallën prestigjioze ”Adrian Radulescu”të Muzeut Kombëtar të Historisë dhe Arkeologjisë.
Evenimenti kulturor, që zgjoi interesin e mediave vendase, u organizua nga shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Historisë të Rumanisë, gjegjësisht me Muzeun Kombëtar të Historisë dhe Arkeologjisë të Konstancës, Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë si dhe me Grupin Editorial“Corint”, një nga Shtëpitë Botuese më të mëdha të Rumanisë.