Policia shoqëroi 11 prej protestuesve, që prej tre ditësh kundërshtojnë nisjen e ndërtimeve në lulishten pranë parkut të autobuzave, nën akuzë se kanë organizuar një protestë të paligjshme për punimet me leje të një firme ndërtuese, duke penguar lëvizjen e mjeteve dhe për shkak të detyrës nuk u janë bindur urdhrave të punonjësve të policisë së rendit për të liruar rrugën.
11 protestuesit, ditën e parë kanë tentuar të rrëzojnë murin rrethues që ka ngritur firma që tashmë ka nisur punimet, ndërsa ditën e dytë të protestës kanë kundërshtuar forcat e rendit dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve.
Ditën e premte, shërbimet e Komisariatit nr.2 shoqëruan 6 persona, ndaj të cilëve nisi procedim penal në gjendje të lirë. Policia tha se ka referuar materialet në Prokurori për shtetasit, P.B., 64 vjeç, T.B., 39 vjeç, A.H., 44 vjeç, Xh.R, 48 vjeç, A.H., 41 vjeç, dhe A.B., 60 vjeç.
Sipas Policisë, këta persona dyshohet se në rrugën “Sali Butka”, së bashku me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar (banorë të lagjes), janë ngritur në protestë dhe kanë dëmtuar murin rrethues të ndërtuar nga firma “Arlis Sh.p.k”, në pronësi të Armand Lilos. Banorët kërkojnë që trualli duhet të shërbejë si park për lojëra fëmijësh, shkruan gazeta panorama.
Ndërsa të shtunën, në ditën e dytë të protestës, Policia shoqëroi e nisi procedim penal për 5 persona të tjerë. Mësohet se janë marrë në hetim shtetasit me iniciale, K.H., 21 vjeç, E.P., 19 vjeç, E.H., 33 vjeç, B.L., 24 vjeç, dhe A.Q., 36 vjeç./lapsi.al