Home KRYESORE Më mungon PD! Nga Arian GALDINI

Më mungon PD! Nga Arian GALDINI

Më kujtohet mitingu i parë i PD-së më 6 janar në qytetin e Vlorës. Im atë, një ushtarak i rreptë dhe i ndershëm, nën trysninë e të gjithë kolegëve të tij në Shkollën e Rezervistëve në Bunavi, i kishte lënë porosi nënës sime që unë të mos lejohesha të dilja në asnjë mënyrë e për asnjë arsye nga shtëpia. Po afrohej ora e mitingut e unë nuk po duroja dot më.

Ndërsa rrija në dritare i mrrolur e në pikëllim të thellë, ndjeva se fati më trokiti papritmas: karroca e vajgurit kishte ardhur te cepi i pallatit përballë, çka ndodhte 1 herë në 2 javë. Duhej të zije patjetër radhën të blije vajguri për furnelën me të cilën gatuanim, përndryshe mbeteshe pa të për një kohë të gjatë. I thërras mamasë, që diç po bënte në kuzhinë, e i them se kishte ardhur karroca e vajgurit.

Ajo u vu në mëdyshje të madhe, sepse kishte plot punë për të bërë, ndërkohë që radha për të blerë vajguri mund të zgjaste për orë të tëra. Për çudinë e saj, unë iu ofrova për herë të parë vullnetar për të zënë radhën e për të pritur aty derisa të blija vajguri. Më pa njëherë vëngër e dyshueshëm, por nuk e zgjati shumë. Mori dy bidonë vajguri, një 10 litra dhe një tjetër 5 litra, e më tha të nxitoja që të zija radhën, se njerëzit atje po shtoheshin. Unë, i gëzuar si kurrë më parë, mora 2 bidonët e vajgurit dhe u nisa vrik për të gjetur një vend ku t’i fshihja. Diku pranë shkollës së naftës, gjeta një ferrishte dhe aty i fsheha 2 bidonët. Pasi u sigurova se ishte vend i mbrojtur mirë për 2 bidonët e vajgurit, u nisa plot emocion drejt Sheshit të Flamurit. Zemra më rrihte fort.

Partia Demokratike vinte për herë të parë në qytetin tim, në qytetin e Vlorës. E të mendosh që pak javë më parë, më 11 dhjetor, unë kisha festuar ditëlindjen time të 16-të, e po atë ditë në lajmet e mbrëmjes në TVSH u dha lajmi i krijimit të PD-së. Ndihesha i lidhur në gjithë qenien time me këtë parti. Më dukej sikur unë dhe PD-ja ishim një histori e madhe çlirimi. PD-ja më shastiste, më çudiste, më emociononte. Nuk e kuptoja dot pse. Nuk kuptoja dot ç’ishte liria, por e ndieja se e doja shumë. Nuk e kuptoja dot se ç’ishte demokracia, por e ndieja se e doja me gjithë forcën e shpirtit tim.

Nuk e kuptoja dot as se çfarë ishte PD-ja, por e di se mezi e prisja ardhjen e saj në Vlorën time. Asokohe sapo kisha filluar të provoja të shkruaja poezi, por ky mitingu i ardhjes së PD-së në Vlorë e tejkalonte çdo fantazi e fluturim emocional timin. E ja erdhi koha dhe unë isha aty, mu në mes të Sheshit të Flamurit. Nuk kisha parë kurrë në jetën time aq shumë njerëz të mbledhur bashkë. Shumë njerëz rreth meje qanin dhe brohoritnin me sa kishin në kokë. Unë nuk e kuptoja pse qanin, as pse bërtisnin aq fort, por ashtu papandehur fillova të qaja edhe unë e njëkohësisht të bërtisja me gjithë fuqinë e zërit. Vura re se ata që qanin ishin edhe të gëzuar në po të njëjtin çast. Atëherë ndjeva edhe unë gëzim. Isha aty ku doja, por nuk e dija pse isha. Një valë e plotë lirie më pushtoi të tërin dhe më shakulloi sikur të më kishin pickuar 1000 bletë.

Fluturoja bashkë valën. Gëzoja bashkë me ata që gëzonin. E qaja si ata që qanin. Kur mitingu mbaroi, unë nuk dija më ku të shkoja. Në shtëpi nuk doja të kthehesha, por tjetërkund nuk kisha ku të shkoja. I harrova bidonët e vajgurit dhe radhën që duhej të zija. Harrova edhe sherrnajën që më priste në shtëpi me prindërit. Harrova sidomos zemëratën e tim eti. Nuk doja t’ia dija më për asgjë. Doja vetëm të shijoja këtë valë lirie që më kishte trandur shpirtin.

Shkova buzë detit dhe qëndrova aty për nja dy orë të mira, krejt i vetëm, por aspak i vetmuar. Ndihesha i plotë, i mjaftueshëm, i dëlirë. Këtë shije të parë që kam pasur për Partinë Demokratike nuk e kam humbur kurrë. Madje, në saje të kësaj vale që më pushtoi më 6 janar 1991 unë që të nesërmen e asaj dite e deri sot nuk kam reshtur kurrë së dashuri Partinë Demokratike, as dhe kur me dhimbje vendosa të largohesha si anëtar i saj në vitin 2009 në shenjë mospranimi të koalicionit qeverisës që u bë me LSI-në. Katër vjetët pa anëtarësinë time në PD kanë qenë katër vjet dashurie në largësi.

Dashuri nga ato që nuk kanë e nuk munden të kenë arsye. Dashuri për shkak të valës së parë të 6 janarit 1991, por dhe për shkak të shikimit të parë më 11 dhjetorin 1990. Shumë ujë kishte rrjedhur nën urë që nga ajo kohë. Unë u rrita në dhe me PD-në. Kreva gjimnazin te “Halim Xhelo” e nuk humba asnjë ditë nga anëtarësia ime aktive në PD. Madje isha edhe themeluesi dhe kryetari i FRPD-së në Vlorë nga viti 1991 deri në vitin 1994. Lumturia ime më e madhe ishte kur mblidhesha me shokët e klasës sime te “Halim Xhelo” e flisnim për orë të tëra për politikë. Dhe bisedat tona ishin zëlarta, pasionante, kërkimtare, mësonjëse.

Më tutje, në vitin 1995, së bashku me familjen time erdhëm në Tiranë me banim e gjithashtu unë nisa studimet në Fakultetin Ekonomik të UT-së. Tirana më përpinte, më jepte drojë, më zvogëlonte. Tirana ishte shumë e madhe për ëndrrat e mia të mëdha. Tirana më shkonte për shtat mua dhe ëndrrave të mia, por më duhej kohë të mësohesha me këtë gjendje të re. Pikërisht në kohën kur sapo kisha nisur të pajtohesha me Tiranën, Shqipëria hyri në vitin e mbrapshtë 1997. Vala ime e 6 janarit më mbante ende si të dehur.

Ajo që po ndodhte në Shqipëri më dukej sikur ishte konspiracion kundër valës sime të lirisë. Megjithatë, unë nuk e njihja PD-në ashtu siç ishte. Unë njihja një PD që më interpretohej nga vala e lirisë që më 6 janar 1991. Kisha kaluar edhe unë shumë ngërçe e çmeritje aty brenda PD-së ndërsa kisha qenë kryetar i FRPD-së apo aktivist si anëtar i thjeshtë. Megjithatë, për asnjë çast këto lajthitje e shprishje që shihja, ndieja e pësoja nuk i bëra më të forta e më të vërteta se vala ime e lirisë.

E ndieja se e doja PD-në, por diçka nuk shkonte mes meje dhe PD-së. I ndjellë e i kurajuar nga vala ime e lirisë, unë flisja haptazi, synoja e kërkoja të vërtetën, përballesha me padrejtësitë e me të ligjtë, e sa më shumë e bëja këtë gjë, aq më shumë ndihesha i rrethuar, penguar, shpërfillur, deri edhe i përbaltur e përbuzur. “Nuk më lodhin dot, – mendoja. – Mua më ngop e më jep fuqi vala ime e lirisë. PD është vala ime e lirisë, jo këta, jo keqbërësit, e as fëlligështia e tyre.” Me valën time të lirisë jetoja në një përmasë dhe nivel krejt tjetër, në rezistencë dhe mosimplikim. Kurrë nuk u rrita në PD.

Kurrë nuk më lejuan të rritesha në PD. Kurrë nuk më deshën në PD. Kurrë nuk u lidha e as shkëmbeva përfitime a interesa me askënd në PD. Shumë më urryen edhe për shkak të PD-së, sepse mua më shihnin si të PD-së. Sidoqoftë, vala ime e lirisë ishte përtej të gjitha këtyre që ndodhnin e më ndodhnin. Vala ime ishte mburoja ime, drejtësia ime, vijimësia ime. Vala ime, PD-ja ime kurrë nuk u mpakën, kurrë nuk u humbën, kurrë nuk u ligështuan, kurrë nuk u zhvleftësuan. Ndërsa PD-ja e atyre nuk ka valë. PD-ja e atyre e ka vrarë valën, çdo ditë nga pak, e ditë të tjera më shumë. PD-ja e atyre është vetëm e atyre. Ndërkohë vala ime dhe PD-ja ime është e të gjithëve, madje edhe e atyre. Ndaj edhe vendosa t’i shkruaja këto radhë, që t’u them atyre: ju lutem ripërtërini valën.

Mos e vrisni edhe PD-në siç keni vrarë valën. Nëse vërtet e doni PD-në, atëherë na riktheni valën. Nuk mund të mbani PD-në e të vazhdoni të mohoni valën. Kësisoj, ju do ta vrisni edhe PD-në përfundimisht, pakthyeshmërisht. Ndërsa valën ju e keni vrarë nga PD-ja juaj, por nuk e keni vrarë dot valën që është në shpirtrat tanë. Vala jonë është më e fortë se ju dhe PD-ja juaj. Herët a vonë vala jonë do t’ju çlirojë edhe ju.

Nuk kam ç’t’ju them më tepër veçse bëhuni të mirë me valën sot, që ta gëzoni në plotësi mirësinë e valës nesër, përndryshe nesër do të jeni të shpëtuar nga vala, por të ligështuar nga vetja. E ligështia që të vjen nga liria e pamerituar është si rrethi i 7-të i Ferrit të Dante Aligerit për ju. Nuk jua uroj atë ditë.

Arian Galdini

Share: