Pak orë para se Gjykata Kushtetuese të shprehet për padinë e Unionit të Gjyqtarëve kundër disa pjesëve të ligjit për Vetingun, maxhoranca, nëpërmjet institucioneve të kontrolluara prej saj, ka rritur në maksimum presionin ndaj trupës gjyqësore për të rrezuar pretendimet e paditësve.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive po përgatit kallëzim penal kundër një prej anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, në një tentative ekstreme për të orientuar vendimmarrjen drejt vullnetit të maxhorancës. Burime të konfirmuara bëjnë me dije se ky kallëzim i pritshëm është përgatitur nga ILDKP para 4 muajsh dhe është mbajtur pezull, me qëllim që të përdoret si një mjet presioni i kryeinspektorit Shkëlqim Ganaj ndaj gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Fakti që po përgatitet një kallëzim penal ndaj një anëtari të Gjykatës Kushtetuese u është përcjellë edhe kolegeve të tij, në forma të ndryshme, duke u përcjellë presionin se një fat i tillë mund t’i presë edhe të tjerët që mund të përkrahin padinë e Unionit te Gjyqtarëve.
Të dhënat që mund të shërbejnë si shkak për kallëzim penal lidhen me pasuri të krijuara nga gjyqtari në vitet 2000-2004.
Pasuria e gjyqtarit që është vënë në shënjstër të qeverisë është kontrolluar për rreth 15 vjet, ndërkohë që vetë Ganaj, i cili gjendet në krye të ILDKP-s prej 4 vitesh, e ka kontrolluar dy herë dhe rezultati ka qenë se pasuria e tij është krijuar nga burime të ligjshme, të konfirmuara nga institucionet zyrtare.
Por, në momentin kur Gjykata Kushtetuese, përfshirë edhe gjyqtarin të cilit po i mbrojmë identitetin, do të shqyrtojnë padinë kundër Ligjit të Vetingut, Ganaj i ILDKP konstaton “shkelje” nga ana e tij.
ILDKP ka detyrën kryesore për të kontrolluar pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe rezultatet e kontrollit nga ky institucion do të shërbejnë për të përcaktuar vijimesinë ose largimin nga detyra të tyre./lapsi.al