Drejtorët e spitaleve rajonale refuzojnë urdhrin e kryeministrit Rama, i cili pasditen e së hënës u kërkoi atyre që të dorëhiqen brenda një afati kohor prej 24 orësh. Urdhri i Edi Ramës është refuzuar, ndryshe nga drejtuesit e Hipotekave, që pas një thirrje të ngjashme nga kryeministri ata lanë vendet e punës.
Drejtuesit e spitaleve rajonale në bllok kanë refuzuar largimin. Ata nuk kanë pranuar të lënë vendet e punës, në kushtet kur nuk janë bërë të ditur zëvendësuesit e tyre.
Mësohet se një pjesë e mirë e këtyre drejtorëve në rrethe janë shprehur se do të vijojnë të jenë në detyrë për të përballuar fluksin e shërbimeve gjatë muajve të verës. Kështu drejtori i Spitalit të Sarandës, Lushnjes, Kukësit, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit janë shprehur se nuk do të japin dorëheqjen. Ndërsa drejtoresha e spitalit të Vlorës është me leje deri në fund të muajt gusht dhe për rrjedhojë nuk do të japë dorëheqjen. Ditën e djeshme nuk u raportua për asnjë të larguar, ndërsa zyrtarisht ka nisur pushimet edhe qeveria.
Ndërsa ish-drejtori i spitalit të Pogradecit, Genti Çala në një prononcim për gazetën “Shekulli” i vlerësoi mashtrime deklaratat e kryeministrit Edi Rama rreth shkaqeve që ai shprehu ndërsa dha urdhër për largimin në bllok të të gjithë drejtuesve të spitaleve, veç atyre të Tiranës. Çala e konsideroi nonsens që kryeministri i futi në një thes të gjithë drejtuesit e spitaleve, ndërsa tha se ai mashtroi për disa problematika që përmendi. Ish-drejtori i spitalit të Pogradecit tha se problemi thelbësor nuk janë drejtuesit por është politika e kundërt me premtimet që ka ndjekur Rama gjatë katër viteve të kaluara. Ai shtoi se sektori i shëndetësisë u centralizua.
“Për shkak të kandidimit unë kam ikur prej më shumë se dy muaj nga detyra si drejtor i spitalit të Pogradecit. Unë besoj se ata duhet të jenë aty duke bërë detyrën, deri sa të vijnë drejtuesit e rinj. Ata nuk mund të ikin në mes të sezonit. Largimi në bllok është një problem tjetër, është përbaltje e të gjithë atyre që kanë menaxhuar spitalet. Nuk mund ti fusësh në një thes të gjithë”, u shpreh Çala.
Ish-drejtori tha se problemi kryesor i spitaleve është centralizimi i tyre, duke hedhur poshtë akuzat e kryeministrit Rama që i shihte drejtorët shkaktarët të problemeve të shumta nga të cilat vuan shëndetësia në vend.
“Në radhë të parë është Ministria e Shëndetësisë dhe kryeministri, i cili zbatoi të kundërtën e asaj që premtoi në vitin 2013 për decentralizimin në shëndetësi. Ai centralizoi çdo gjë, centralizoi fondet, centralizoi përdorimin e të ardhurave dytësore, të burimeve njerëzore. Edhe një infermier që do të shkojë në fshatin më të largët duhet marrë në ministri. Ky është problemi i parë dhe është krejtësisht e pavërtetë ajo që thotë Rama për specializantët, që nuk kemi bërë kërkesa, ky është non sens, sepse ne kërkesa bëmë çdo vit, edhe sikur të mos donim duhej patjetër ti dërgonim në ministri. Le ta hapi protokollin dhe le ta lexojë ministri”, u shpreh Çala.
Ai evidentoi edhe një problematikë tjetër të madhe në sistemin e shëndetësisë,ai i dhënies së shumë shërbimeve me koncesion. Sipas ish-drejtorit të spitalit të Pogradecit koncesionet janë rrezik të sigurisë kombëtar.
“Kam përshtypjen që është mungesa e vizionit për shëndetësinë që e mbyti me koncesione, se ashtu do ti zgjedh problemet kryeministri, që për mendimin tim përbën edhe rrezik të sigurisë kombëtare. Fondet për paga dhe për mallra e shërbime ne i marrim nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, vetëm investimet spitalet nga Ministria e Shëndetësisë. Për spitalin e Pogradecit ka pasur zero fonde për investime, nuk është bërë asnjë investim në katër vjet sepse unë isha i propozuar nga LSI-ja”, u shpreh Çala.
Dy ditë më parë, në një takim në Kryeministri me drejtorët e spitaleve, kryeministri Rama urdhëroi ata që të lënë detyrën brenda 24 orësh. Takimi u transmetua live në Facebook-un e Ramës. Kryeministri bëri përgjegjës drejtuesit e spitaleve për mungesën e shërbimeve etj./360grade.al/