Vite më parë tek intervistoja me qindra gra kosovare, të deportuara nga vendi i tyre drejt Shqipërisë, gjatë luftës në Kosovë, më bëntë përshtypje mënyra e tregimit të tyre kur flisnin për vdekjen e burrave apo të afërmve të tjerë që serbi iu kishte vrarë gjatë luftës. E tregonin pa qarë dhe ulërima, sikurse do të bënte çdo njeri i zakonshëm përpara një tragjedie të tillë, siç është ndarja nga jeta e një të riu dhe mbi të gjitha e fëmijës.
Në fillim i paragjykova, mendoja se ishin gra të ftohta ose shumë të forta, brenda vetes sime mendoja “Lum si ato!” dhe nuk e kisha provuara akoma ndjesinë e nënës. Më vonë mësova se njeriut i ndodhka diçka e çuditshme (!). Kur ai sheh dhe përjeton tmerrin e dhunës dhe të vrasjes çdo ditë, në fillim qan, trishohet, trembet por më vonë kur ngjarje të tilla ndodhin dhe i përjeton përditë mësohet me dhunën dhe vrasjen, dhe mbasi trishtohet dhjetëra herë dhe qan me qindra herë, fillon dhe e bën pjesë të tijën këtë realitet (s’ka si të ndodhë ndryshe, nëse po do çmendesh).
Dhe pragu i ndjeshmërisë ulet deri në atë pikë sa, kur dëgjon vrasjen e rradhës me thikë, pistoletë apo çfarë, ndjen vetëm një turbullirë në shpirt dhe një shpresë të vagët që kjo të mos të të ndodhë ty, që fëmija apo i afërmi yt të mos ndodhet në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Dhe kjo është ajo që përjeton çdo njeri sot.
Këto ditë po komentojnë vrasjen e një djali të ri (sepse është e reja më e fundit, pasi, pas dy tre ditësh do kemi tjetrën vrasje dhe kjo si mijëra të tjera do harrohet!) nga disa shokë apo miqsh shokësh, të cilët për një karikues celulari morrën një jetë, me të njëjtin emocion sikur do vrisnin me vrasëse kauçuku një mizë në mur. Një jetë djali, që nuk kthehet më, pranë dy prindërve që vetëm zoti ju kupton dimensionin e dhimbjes.
Ky është një ndër episodet e zakonshme që përjetohen çdo ditë. Vriten të rinjtë pafund, kush me pistoletë, kush me thikë, kush me drogë, kush me makinë…. Arsyeja më e shpeshtë që bëhet shkas për të nisur një debat, që brenda fraksonit të sekondës (në Shqipëri) degjeneron në vrasje, janë të natyrës: “Pse më shikon”, “Më preke makinën”, “Më shave nga nëna, motra.. babai…”, dhe më e fundit e padëgjuara ndonjëherë “Më jep karikuesin”! O zot, jeta e një njeriu, ku dy prindër kanë vënë shpirtin dhe çdo gjë për të rritur një apo shumë fëmijë, pritet në sekondë, pa asnjë emocion, thjesht për një KARIKUES CELULARI.
Lexoja në disa komente gazetash, ku ishte shpallur kronika e rradhës, se vrasjet e shqiptarit ishin ritual i një zakoni të vjetër. Jo, jo, je shumë i palexuar zotëri. Arsyet e kota dhe pashkase të vrasjeve tek shqiptarët, do të kërkonin punën e shumë antropologëve, biologëve dhe sociolgëve për t’i kuptuar, por si një bashkëqytetare e këtyre burrecërve të sigurojë se këto janë qenie që virilitetin ju ka ngelur ta tregojnë te pistoleta dhe thika mbas një sharje. Një herë e një kohë ishte duheli, edhe ai mjet vrasës ishte për të vënë nderin e thyer në vend (jo celularin ne karikim) po kishte burrëri mbas xhestit dhe së paku ishin njëlloj të armatosur BURRAT!, që këta s’janë dhe s’do bëhen kurrë.
Fajin nuk e ka tradita, por e di kush është fajtori më i madh? Janë familjet e tyre! Këta janë breza që përbëjnë shtresën më të frikshme sociale, dhe e dini pse? Sepse këto qënie rriten pa asnjë emocion, nuk iu ka munguar kurrë asnjë gjë, është mami dhe babi që iu garantojnë gjithçka. Unë për fatin e madh nuk i njoh, ata mund të vijnë nga drama familjare dhe kontekste shumë vulnerabël socialë, por kam bindjen se pjesën më të madhe të vrasjeve e bëjnë fëmijët e atyre familjeve ku edhe prindërit janë njëlloj bashkëfajtorë dhe vrasës. Nga e di këtë? E shoh dhe e preceptoj përditë, pasi nuk pashë një baba a nënë të këtyre kriminelëve, të dal dhe të kërkojë falje publike prindërve që iu mori djalin dhe mbi të gjitha nënës (!).
A jeni bijë nënash ju vrasës çmëndakë dhe pa tru?. A jua keni thënë ndonjëherë ju nëna djemve tuaj vrasës, se po t’i marrësh jetën një njeriu, i keni hequr zemrën një nëne dhe babai tjetër? Ose thjesht i keni thënë ndonjëherë që mos vrisni se nuk do të donit t’ju vrisnin bijtë tuaj? A jeni nëna ju që edukoni fëmijë të tillë (!). Mund të ndodhë edhe që fëmija të del jashtë edukatës familjare, por si nuk pashë një nënë vrasësi të dal në media dhe të kërkojë falje si NËNA-NËNËS dhe t’i thotë e kam fëmijë e nuk e vras dot, por qumështin e gjirit ia kam mallkuar! Po, ky është zakon i vjetër dhe shqiptar, dhe mallkimi i qumështit të nënës, ishte edhe më keq se hakmarrja.
Kam bindjen se po ta bëntë një nënë vrasësi një gjë të tillë, do të ngushëllontë sado pak një familje në trishtim dhe do t’i jepte shpresë shoqërisë se diçka po të duam e ndërrojmë. Indinjata më e thellë shkon ndaj këtyre prindërve, nënave dhe baballarëve. Jo asnjëherë nuk është bërë (!).E di shumë mirë se një nënë nuk e vret dot fëmijën e vetë, edhe kur ky bën tragjedi si kjo që po disuktojmë, por ka në dorë shumë duke u ndarë moralisht nga veprimi i një djali kriminel.
O Zot ndihmoji të kuptojnë që duke edukuar fëmijët, se jeta është shansi më i bukur për t’u jetuar, është mënyra me njerëzore dhe e pakushtueshme për të mbrojtur jetët e njerëzve të tjerë, të djemve të rinj që ikin duke marrë mesazhin se një jetë njeriu në Shqipëri vlen edhe më pak se karikuesi i një celulari.