Home KRYESORE Poradeci si Pogradec: mos ka ardhur Mister Bean?

Poradeci si Pogradec: mos ka ardhur Mister Bean?

Nga Artan Fuga

Hëngrëm një akullore te Kapri në Pogradec. Hezitim i madh midis një akulloreje stërmadhe dhe një xupi që shkrin në gojë atje. Te Hotel Enkelana sheqerparet dhe tollumat i konkurrojnë. Te rruga Rinia ka byreqe me gjizë, domate, hithra të lëpish gishtat e dorës.

Të dorës tënde o budalla jo të guzhinjerit.

Vende parkimi plot, por 50 leka ora.

Kanë mësuar këta nga zgjuarësia rrjepëse e Tiranës.

Te ajo rrugë, dy kafe dhe një shishe ujë akull 150 leka.

Ka lezet.

Të merr në qafë lakrori te dy byrektoret anash gjolit.

Nuk e di se përse leh pa pushim qeni i Lazgushit te monumenti.

Se këta kujtojnë se janë në poezi, te Poradeci i Lazgushit, harrojnë se janë në Pogradec.

Rruga e gjolit po është poradec, kurse matanë në rreshtin e dytë e më tutje nis pogradeci.

Mbaron poezia dhe nis proza.

Nisin fjalimet elektorale.

Rrugët për ibret. Fasadat tmerr. Lulet sikur ka kaluar karkaleci i Myzeqesë. Një trotuar nuk gjen të rregullt. Vitrinat e dyqankave si mos o Zot! Vizimet e rrugëve dhe sinjalistika sikur je në Mars.

Ca hotele ja vlejnë, por ca të tjera nuk ka turist që i honeps dot. Si kazerma ushtarësh rusë në Afganistan.

Autobuz nuk pash për urban. Rrugët gropa gropa.

Ama kulaçi “Te Kocoja” ishte një mrekulli.

Cfare e do belushkën e gjolit para kulacit të së zonjës.

Të kam parë në televizor më tha, je analist.

Cfarë jam? – e pyeta.

Ja analist ja politikan më tha, më pëlqen!

Mua më pëlqente kulaci për vdekje.

Një copë kulac e nderroj me katër analista.

Buzë gjolit dhjetra burra luajnë dominonë.
Hajde jek pesa hajde!

Njerëz plot.

Intelektualë nga Tirana.

Por janë qenie pa të drejta aty. Janë banorë, por jo qytetarë.

Kanë apartamente banimi aty, o m’i gëzofshin e trashëgofshin! Por të drejtë vote nuk kanë atje. Janë si metekët e qyteteve helenike. Si gratë në qytetet mesjetare.

Banorë gra mesjetare.

Dhe thonë ca na vodhën votat! Këta nuk duan të drejtë vote bre.

Se poqese do të ishte ndryshe do të mblidheshin pasditeve pas shullimit në freskun e liqenit dhe do të pleqëronin si ta bëjnë europian atë qytet.

Nuk ndihen në qytetin e tyre dhe nuk kanë asnjë fantazi politike. Në drekët flihet mirë në Pogradec.

Ore e morrët vesh? Thoshte njeri.

Në Tiranë nga vapa kishin vdekur treqindmijë vetë. Në Durrës gjysëm milionë njerëz ishin mbytur në det.
Rrini se jeni mirë këtu: Ne kjo rruga buzë gjolit na duhet, se çfarë bën hallku pas kurrizit tonëandej nga rrënojat nuk na duhet gjë.

Shoh me zili dhjetra dyqane që shesin bishta fshesash, kanoçe, xhezve.

Ku ka turist për së mbari që pranon të vijë në një qytet ku ka karakatina që po të dolën në ëndër të duket se je duke jetuar te filmi The last man bashkuar me filmin The day after.

Sa lekë bën kjo kthina këtu bre për një natë?

Tridhjetë mijë leka të vjetra zotëri!

Brenda vinte aroma e trupit të tjetrit që po bënte dush në apartamentin fqinj.

Dritarja e ajrosjes të wc sime në hotel binte te dhoma e komshiut dhe anasjelltas.

Dëgjova për gjysëm ore rresht dialogun si më poshtë:

Të kam thënë o burrë, kur shkon në banjo në fillim hiq pantallonat pastaj brrekët.

E moj e uruar e, gjithmonë harroj!

Gjithë natën nuk më zuri gjumi duke menduar sesi mund të ketë burrë nëne ta bëj dot këtë!

Mos ka ardhur Mister Bean në qytet???

Liqeni bosh. Ore ku e gjuajnë belushkën këta? Se anije peshkimi nuk pashë aty unë. Lëre anije turistike për shëtitje në liqen.

Te ish komiteti i partisë, aty te bashkia pashë dy fotogradfi si ato të antarëve të byrosë politike dikur. Më një anë Edi Rama, në tjetrën Lulzim Basha.

Të plasi armiku nga uniteti parti – popull.

Sidomos revizionistët titistë – më tha te veshi roja e parkingut që shtoi se bënte masterin për juristikë historiko-analitike në një universitet privat në Elbasan, aty afër ku rrjedh i kulluar lumi Lana anash shinave të tramvajit që u inagurua para pesë vjetëve.

Bukur kishin dalë në resme. Mendueshëm.

Ca rrugë dukej se po shtroheshin. Kot. Lekë të hedhura në wc. Pogradeci që të bëhet Poradec i duhet një plan total rregullimi urban. Jo andrime. Një plan dhjetvjecar. Minimumi. Hidhuni more deri në Ohër dhe merrni shembull nga maqedonasit!

U bëmë ne t’i japim mend Maqedonisë si t’ja verë emrin vetes!!!

Edhe Struga është si Manhatan para Pogradecit.

Rruga e re buzë liqenit e inaguruar vjet, Sivjet po meremetohet.

Rahmet paç!

Në Pojskë dukej se ende beteja vazhdonte që nga Lufta e Dytë botërore. Bombardimet e trupave naziste mbi rrugën nacionale kishin qenë të tmerrshme.

Po turp nuk keni mo që rrini në fresk nëpër një lulishte të lodhur brenda një qyteti pis, të ndarë në dysh.

Hotel turizmi i vjetër i ngjan skenografive horror si te filmat e Vincent Price. Horror. Plehrat anash gjolit uluritëse. Vajta te qeni i Lazgushit dhe nisa të leh edhe unë.

O pika këtyre që pushojnë në këto plehraaaaaa!

Ndaaaaal ! – bëtiti një poradecar i mirë si janë ata të gjithë,

Përpak kisha ecur mbi ca heshta të ngulura në xhade pa asnjë shenjë paralajmëruese.

Do të ishte çarë goma o xhaje! më tha një burrë tepër i moshuar.

Mëngjesin në hotel nuk e hante dot as derri. Duhej t’i thoshe vetes : jam në poradec që ta haje.

Vezën e skuqur e ftohtë dhe e tharë ja hodha qenit të Lazgushit të madh që nga penxherja. Ai e shtyu me putër dhe nuk e preku.

Më mirë të haja sheshoret e buta të këpucëve të mia të basketbollit që kanë shije më të mirë sesa ajo vezë e fishkur në tigan.

Ore ku bije rruga për Korçë këtu? – pyes te pika e karburantit.

Mbaja drejt, më thotë ai i miri.

Qeni më leh nga monumenti.

Pushuesit nuk e dëgjojnë.

Share: