Home KRYESORE Eksperimentet e Ramës me femrat ministre! Nga Artur Zheji

Eksperimentet e Ramës me femrat ministre! Nga Artur Zheji

Tani ay, kryeshefi dhe kryetepsixhiu suprem, kryeqeverisës, nuk sheh njeri në sy dhe nuk sheh njeri me sy. Është dhe ndjehet boss, sepse ka mposhtur armikun e brendshëm dhe të jashtëm dhe ka në brez, kamzhik, karrota, qese me verdhushka, poste, lista dhe shumë celularë.

Në kopshtin botanik të qeverisë së re, si një bahçevan që merret me mbjellje, krasitje dhe vaditje, me shkuljen e barërave të këqia, me kryqëzime speciesh dhe me shartime lulesh e lulkash, Ay, vendosi përpara Asamblesë, por pa e pyetur Asamblenë, edhe për pemët apo pemëzat e reja që do të mbjellë në Kopshtin e Ri, të Qeverisë së Re.

Ministre apo zv/kryeministre, fytyra të reja dhe pa karrierë të mirëfilltë politike në PS, sepse nuk ja ndjen për borxh askujt, Fitorjen e 25 qershorit dhe Bahçevani, Kryetepsixhiu, Timonieri dhe të tjera si këto, po ngjan gjithmonë e më shumë me Enverin e kohëve të tija më të fundit. Që zbrazi kooperativat dhe parqet e shoferëve, duke krijuar anëtarë të rinj të Byrosë Politike dhe ministra të rinj, i vetëkapardisur si Timonier edhe ay ndjesëpasti, kur anija e Shqipërisë Socialiste po mbytej.

Edhe Ky, Timonieri që po rrit shtat dhe me profilin prej kryeneçi të përkëdhelur, ditë pas dite dhe në sytë tanë, Piktori i Gjatë pra, katapultoi në Qeverinë e tij të re, “kërpudha të reja shumëngjyrëshe”, të cilat kanë pak ose aspak një identitet politik në Partinë Socialiste.

Sepse tanimë Partia Socialiste, është një njeri i vetëm, që është edhe kryetar, edhe kryeministër, edhe bahçevan, edhe piktor, edhe strateg, edhe kritik, edhe eksperimentues, e me një fjalë një gjithshkabërës, në një Parti, dikur Partia demokratike Socialiste, tashmë asgjëbërëse dhe asgjëthënëse.

Rama pra e ktheu në fis, e ktheu në origjinën e vet të para viteve ’90, partinë e penduar ish- komuniste.

Dhe për këtë përdor si Hoxha dikur, besniket e reja, të cilat shohin te ai dhe vetëm te ai, arësyet dhe meritat e vetme, të karrierave të tyre të “ndritshme” dhe befasuese.

Të vetëdijshme apo jo, se ato, ministre apo drejtoresha, janë mirëfilli, vetëm ca gurëza ngjyra ngjyra të mozaikut, të kapriçove arrogante kryeministrore të Kryeshefit fodull dhe vetëm kaq.

Duke e mbushur Qeverinë e re, me këto zonja, që në thelb nuk se kanë ndonjë faj, ndonjë deformim, apo ndonjë rekord negative, ay, vënësi i tyre, kërkon të vendosë vetë, një rekord, një rekord negativ, që është vetëm ay, regjizori i një teatri kukullash, fijet e të cilave tërhiqen apo marrin jetë, apo këputen dhe rikthehen kukulla të heshtura në një cep, vetëm falë vullnetit të kukllaxhiut.
Sepse këto zonja, në respekt të plotë të tyre, nuk kanë një forcë apo një jetë të tyren politike, një burim force dhe energjie të mëvetshme, që lidhet me zgjedhësit apo me karierën e tyre të kahershme, ato, janë thjesht një trill i kryeministrit dhe një plotësim detyrimesh ndaj të tretëve të panjohur, që lidhen me ish Partinë e Punës dhe të tjerë…

Parë në këtë optikë, që dhe është e vetmja optikë e vërtetë përtej llafeve dhe farsave, Qeveria Rama 2, është krejt e vjetër në filozofi. Por sigurisht akoma më e “përmirësuar” dhe më e “përsosur”, në drejtim të zbatimit të urdhërave, pa koment, pa një “përse” apo pa një “por”, që do të vinë me sms nga telefoni fuqiplotë i kryeshefit.

Ministrat do të kenë pra, një fytyrë dhe një zë, gjithmonë në një rresht, ku do të spikasë vetëm koka më e gjatë e të Gjatit dhe vetëm kaq.

Hajt ta gëzojmë dhe t’i pijmë dollinë!…/360grade.al/

Share: