Sot të gjithë bëjnë sikur vajtojnë. Politikanët e të gjitha krahëve bëjnë çmos të kapin vëmendjen e publikut dhe të luajnë me emocionet e tij, tani që krimi ka ndodhur. Por askush as ata, as sistemi i drejtësisë, as ne mediat që mjaftohemi me raportimin e kronikave që transmeton policia, as ata që duhet të kujdeseshin për urdhërin e mbrojtjes, nuk ditën ta mbronin Fildese Hafizin.
Sepse tani po kuptohet se vrasja e saj ishte një krim i paralajmëruar që nuk e ndali dot askush. Miket e gjykatëses së vrarë, nënë e dy fëmijëve, pohojnë se ajo disa herë i kishte konfiduar se i trembej një atentati nga ish bashkëshorti. Madje mediat nxorëm menjëherë pas krimit edhe një letër dëshpërimi që i kërkonte ndihmë amabasadorit Lu.
Pra vetë Fildesi e ndiente se fati i saj ishte parashkruar. Ajo e dinte se ishte divorcuar me dhimbje nga një bashkëshort pijanec dhe kumarxhi të cilin ia kishin dhënë me mblesëri dhe i cili kishte ushtruar dhunë në disa raste. Ajo e dinte gjithashtu se, ai, Fadil Kasemi, kishte dashur ta vriste edhe dy vite më parë në plazh në sy të fëmijve, kur e kishte sulmuar me një armë në dorë. Skenat e kësaj tentative vrasjeje janë makabre. Goditje me grushta në sy të fëmijëve, djali që i lutet të atit: “të lutem mos e vrit mamin”. Pushues të tjerë që ndërhyjnë dhe i shpëtojnë jetën gjyqtares.
Por, për këtë tentativë vrasje të bashkuar me krimin e amëmbajtjes pa leje, Fadil Kasemi do të dënohej në prill të vitit 2016 vetëm me 3 vite burg. Me kot prokuroria bën apel dhe këmbëngul duke kërkuar së paku 5 vite. Vendimi bëhet i formës së prerë. Dhe më keq akoma. Kasemi fiton edhe nga amnisita. Dh kështu, sa kaloi pak më shumë se një vit, ai gjendet sërish përballë banëses së bashkëshortes, për të kryer atë që kishte planifikuar që më parë.
Dhe vetëm tani, kur gjëma ka ndodhur duke bërë që të zbardhen disa detaje të këtij krimi të paralajmëruar me të drejtë mund të bëhen pyetjet:
Si mund të dënohet vetëm me tre vite burg, në shkallë të parë dhe në apel, një njeri që e ka demonstruar hapur vullnetin për të vrarë dikë tjetër?
Si mund të përfitojë një idivid i tillë nga anistia kur është e njohur rrezikshmëria shoqërore që ai mbart?
Si mund të shpëtojë vetëm me 13 muaj në burg dhe të rikthehet në qytet si vrasës?
Si mundet që një grua e cila është kërcënuar kaq hapur dhe kaq publikisht të mos merret në mbrojtje dhe në vëzhgim?
Të gjitha këto pikpyetje tregojnë se Fildes Hafizin e kanë lënë të bëhet viktimë e ish bashkëshortit të saj psikopat. Dhe këtu është e kotë të flitet për krim pasioni nga ato që ndodhin në mbarë botën. Këtu kemi të bëjmë me një vrasje nga sistemi. Me një nga ato krime që të bëjnë të mendosh se jetojmë në një vend të rrezikshëm dhe të pasigurtë. Në një vend ku jeta e njeriut nuk vlen dhe ku vrasësi e ka fare të lehtë që realizojë qëllimin e tij. (Lapsi.al)