Ish deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu ka përcjellë sot një mesazh nga mbyllja e shkollës europiane verore. Ajo mban postin e kryetares së Këshillit Kombëtar të integrimit Europian. Me anë të këtij fjalimi ajo dha një mesazh lamtumire pasi nuk do të jetë më deputete në parlament.
Për mospërfshirjen e saj në Parlament, ajo u shpreh se ka paguar çmimin e respektit ndaj vetes.
“Ndërkohë që parlamenti po mbyll sesionin e ri unë po mbyll marrëdhëniet parlamentare me të. Nga marsi i vitit 2007 deri në shtator 2013 mu besua detyra e lartë për nxitjen dhe koordinimin e përpjekjeve për afrimin e Shqipërisë dhe Europës. Investova në të çdo ditë të kalendarit. Nuk dështova, gjithçka u bë sigurisht edhe falë të tjerëve që iu detyroj mirënjohjen time të sinqerttë. Nuk u ndjeva asnjëherë vetëm, dola nga kjo eksperiencë më e ditur, më e matur.
Në opozitë pavarësisht mungesës së forcës së pushtetit por me qartësinë e madhe.
U mundova të kuptoja dhe pastaj të flisja se çfarë nuk shkon me stilin që brezi im po bënte politikë. Nuk jemi edukuar për të qenë të lirë dhe për ta respektuar lirinë. Se ç’ndodhi në vijim e dinë të gjithë pagova çmimin e respektit ndaj vetes se thashë disa të vërteta që vazhdojnë të mbeten edhe sot të vërteta. Disa janë mësuar që veten ta kërkojnë ndër të tjerët dhe këta janë e keqja që s’munden dot kollaj, banaliteti dhe e keqja më e madhe sot e Shqiperisë”, tha Bregu.
Nga ana tjetër ajo ka folur edhe për zërat që thonë se do të jetë pjesë e qeverisë “Rama 2”:
“Për një përfolje publike për përfshirjen time në qeverinë e sotme, jam lodhur duke përgenjeshtruar lajme dhe sajesa gjatë këtyre viteve. Mua s’më duhet të jem në parlament e qeveri për të qenë shqiptare, të përpiqem po njëlloj për të afruar datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Evropë mbase 1 mijë herë më shumë se dhe minsitrat aktualë”, deklaroi Bregu.