Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, një nga figurat aktive në komentimin e ngjarjeve të politikës shqiptare, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Sot”, ka folur për procesin e vetingut, i cili pritet të nisë zyrtarisht në 18 shtator, dhe parashikon situatën politike pas konstituimit të Parlamentit të ri dhe marrjes së detyrës nga qeveria e re socialiste.
Fatos Klosi paralajmëron se procesi i vettingut do japë efekte, ku shumë shpejt do ketë të tjerë gjyqtarë që do japin dorëheqjen nga detyra e tyre dhe do largohen nga sistemi i drejtësisë. Ish-kreu i SHISH thekson se SPAK duhet të mbajë qëndrim për ngjarjet e mëdha, pra persona përgjegjës për afera të mëdha korruptive të japin llogari.
Duke folur për zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit, Fatos Klosi u shpreh se ai është një politikan me eksperiencë dhe me autoritet, i cili nuk do të lejojë Sali Berishën të marrë fjalën pa leje sa herë të dojë.
Ndërkaq, duke komentuar marrëdhëniet e reja qeveri-president, Fatos Klosi tha se Ilir Meta nuk do të pengojë punën e qeverisë dhe Parlamentit, pasi do të tregohet serioz dhe konstruktiv ashtu siç ka vepruar gjithmonë. Ai shpreson që opozita e re të jetë konstruktive dhe jo të kundërshtojë çdo nismë të propozuar nga mazhoranca qeverisëse.
-Të shtunën u konstituua Parlamenti i ri. Si e shihni largimin e mjaft figurave të vjetra dhe a mendoni se do ketë diçka ndryshe në politikën shqiptare?
Figurat që u larguan nuk ishin më të rëndësishmit. Politikën e bëjnë pak figura, dhe si rrjedhim nuk shoh ndonjë ndryshim.
-PD dhe LSI votuan kundër Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit dhe qeverisë, ndërsa demokratët protestuan para Kuvendit. Si i shihni këto qëndrime?
Këto janë qëndrime opozitare. Ata e kanë paralajmëruar se do bëjnë opozitë të fortë, ishallah konstruktive, jo destruktive. E kam përshtypjen se për çdo njeri tjetër, njësoj do votonin. Kështu konceptohet opozita në Shqipëri; të kundërshtosh çdo nismë që ndërmerr mazhoranca. Nuk është për faj të Gramozit. Për shumë ligje, opozita voton kundër; gjen një sebep dhe voton kundër. Është shumë gjynah që opozita del kundër për çdo gjë.
-Çfarë mendimi keni për kabinetin e ri qeveritar dhe rrudhjen e dhjetra institucioneve nga kjo mazhorancë?
Kemi dëgjuar që institucionet do rrudhen, por kjo duhet parë. Besoj se kjo është studiuar nga ato grupe pune. Natyrisht ka disa super ministri që kanë volum të madh pune. Gjithmonë ka vend për të organizuar sa më mirë institucionet dhe punën e tyre, dhe përpjekjet për të gjetur forma nga më të mira për organizimin e administratës janë për t’u vlerësuar. Kemi dëgjuar dëshirën për të vënë duart në numrin e institucioneve mbase dhe për të larguar njerëzit, që konsiderohen tepër dhe jo aq të zënë me punë.
-Pas seancës së parë parlamentare, kryeministri Edi Rama do të kërkojë dekretimin e qeverisë nga Presidenti. A mund të ketë bllokim nga Ilir Meta duke mos i dekretuar emrat dhe si e shihni bashkëpunimin qeveri-president pas akuzave të forta në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit?
Akuzat e 25 qershorit janë akuza partiake. Janë akuza mes drejtuesve të dy partive që nuk ishin aq dakord, sa që nuk u futën bashkë në koalicion. Nuk ka logjikë që hatërmbetjet dhe mllefet gjatë fushatës elektorale të reflektohen në marrëdhëniet qeveri-president. Presidenti nuk e ka aq të lehtë që të thotë ky bën dhe ai s’bën. Jam i sigurt se Presidenti nuk do ta bëjë këtë gjë. Ai do jetë serioz siç ka qenë gjithmonë.
-Pas 6 vitesh, Lulzim Basha rikthehet në Parlament. A mendoni se Sali Berisha do të tërhiqet nga protagonizmi apo do të vijojë të tregojë se është ai drejtuesi i PD?
Pikërisht për këtë u zgjodh Gramozi kryetar Kuvendi, për të mos lënë Berishën të jetë protagonist. Nuk përsëritet më ajo mundësi që i dha Ilir Meta Berishës për të folur sa herë të donte. Gramozi është i fortë për të mbajtur rregull dhe ka autoritet. Seancat e legjislaturës së kaluar më shumë ishin seanca gallatë sesa seanca pune. Kështu që Berisha ta harrojë atë kënaqësi kur dilte të fliste në foltoren e Kuvendit, pa kërkuar fare leje për fjalën. Berisha kur fliste në seanca nuk fliste për partinë, ai jepte opinione personale me batuta, me tallje. Tani janë katër vjet më vonë dhe nuk mund të përsëritet më ajo situatë. Tani duket se Berisha i kanë rënë pak puplat…! Dhe unë jam i sigurt se Berishën nuk e lejon më njeri të flasë sa herë të dojë. Gramozi ka eksperiencën dhe autoritetin e nevojshëm për t’i thënë çdo njeriu të mbajë vendin. Nuk do shohim më gjëra të tilla.
-Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, deklaroi se në 18 shtator nis vetingu. Mendoni se brenda vitit do të kemi emra që do të duhen të lënë drejtësinë?
Ne patëm disa emra që dhanë dorëheqjen në fazën e parë. Kjo erdhi nga mos dëshira e tyre për hetimin e pasurive. Mbase dhe do ketë edhe në këtë fazë. Nëse procesi do zhvillohet seriozisht ashtu siç është parashikuar, duke kaluar në sitë gjyqtarët dhe prokurorët, besoj se do ketë. Nëse procesi që në fillim do demonstrojë seriozitet, vërtet do bëjë reformë të thellë në drejtësi, do ketë njerëz të tillë që do preferojnë të largohen pa kaluar në proces. Nëse do vejnë re se procesi është një proces i radhës siç ka qenë deri më sot, nuk do ketë largime vullnetare nga gjyqtarët dhe prokurorët.
-A mendoni se njerëzit e drejtësisë nuk i tremben vetingut apo kanë gjetur mekanizmat e duhur për t’i shpëtuar këtij procesi?
Akoma nuk ka filluar procesi. Që në fillim do duket se sa seriozisht do zhvillohet, sa të thella do jenë operacionet. Le të urojmë që do ndodhë vërtet.
–Në fund të vitit parashikohet të ngrihet SPAK. Në Rumani dhe në Kroaci, struktura të ngjashme kanë arrestuar deputetë, ministra, ish-kryeministra, etj. Po te ne, a rrezikojnë pushtetarët të arrestohen?
Unë them se vend ka për arrestime. Mua do më pëlqente që të mbahej qëndrim për gjëra të forta që kanë ndodhur. Kjo do të varet nga hapi i parë se çfarë do të ndodhë me njerëzit e drejtësisë, që është më e kollajshme se sa me njerëzit e fuqishëm të politikës. Nuk është aq e lehtë, por gjërat e mira prandaj quhen të mira se janë më të vështira, dhe më pas japin rezultat. Nuk më shkon mendja që të arrestohen njerëz, por në Shqipëri kanë ndodhur shumë dukuri. Pak është bërë për pritshmëritë që kanë qenë para 27 viteve dhe për këtë përgjegjësi kanë ata që kanë qenë në krye të politikës. Ky tranzicion sigurisht që ka lidhje edhe me paditurinë e drejtuesve, por jam i sigurt që një pjesë e përgjegjësive lidhet me ngatërrimin e interesave personale me interesat e vendit. Uroj që të mbahet qëndrim në këto raste./Sot