Home KRYESORE Zbardhet programi i qeverisë Rama II

Zbardhet programi i qeverisë Rama II

Një material prej 28 faqesh, i ndarë në 4 kapituj, përban të përmbledhur programin e Qeverisë Rama2, me të cilin Kryeministri do t’i kërkojë votëbesimin Parlamentit. Dokumenti, të cilin ABC News e disponon, nis me një preambul ku përmblidhet puna e bërë në 4 vitet e shkuara, ato të mandatit 2013-2017. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe votës së 25 qershorit, “një mesazh i qartë i shoqërisë sonë për të çuar përpara reformat e vështira, por jetike”, thekson dokumenti.

Kur vjen fjalë tek e ardhmja, kapitulli i dytë fokusohet te rritja e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse e ekonomisë, e cila konsiderohet si burim kryesor në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Gjatë mandatit 2017-2021 , Qeveria do të angazhohet me prioritet në konsolidimin e stabilitetit makroekonomik, rritjen e punësimit, zhvillimin e infrastrukturës, sektorit energjetik e minerar, bujqësisë, agroindustrisë dhe turizmit. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet politikave ekonomike e financiare që stimulojnë investimet në drejtim të rritjes dhe të zgjerimit të industrializimit nëpërmjet shtimit të aktiviteteve me karakter industrial. Kjo do të synojë rritjen e kapaciteteve prodhuese e përpunuese të sektorit industrial në Shqipëri. Përqendrimi i vëmendjes drejt rritjes së nivelit të industrializimit të lehtë të vendit përbën një nga prioritetet e qeverisjes sonë në mandatin 2017-2021”, thekson programi i Qeverisë Rama, që disponon ABC news.

Përsai i përket bujqësisë, ekipi i drejtuar nga Rama angazhohet të zhvillojë më tej vizionin për zhvillimin rural, si mundësia kryesore për të siguruar një rritje harmonike dhe të qëndrueshme të zonave rurale. Zhvillimi ekonomik në zonat rurale do të shihet i ndërthurur me sektorë të tjerë si turizmi, infrastruktura dhe shërbimet, thekson programi qeverisës. Ndërsa për infrastrukturën, objektivi kryesor i qeverisë shqiptare do të vazhdojë të mbetet përshpejtimi i integrimit të sistemit të transportit, si një parakusht për zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë.
Turizmi shihet si prioritet, por i ndërthurur me kulturën, ndërsa në 4 vitet e ardhshme synohet nxitja e diversifikimit, për të pasur një turizëm më të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor.
Kapitulli i tretë i dedikohet shërbimeve publike (PROG 10).

Fokusi këtu është te shteti ligjor dhe jetësimi i reformës në drejtësi, ndërsa reformimi do të shtrihet edhe në sistemin e hartimit të legjislacionit dhe atë të kodifikimit. “Pjesë e rëndësishme e këtij procesi reformimi do të jenë edhe institucionet penitenciare, burgjet dhe paraburgimet, si dhe shërbimi i provës”, parashikon programi i Qeverisë, do të paraqitet nga Rama në Parlament. Arritja e standardit të vendeve të BE-së për sa i përket rendit dhe sigurisë publike do të jetë sfida e kësaj Qeverie për 4 vitet e ardhshme (PROG12).

Dixhitalizimi do të shkojë krah për krah me administratën publike, në funksion të rritjes së performancës së kësaj të fundit, përmes krijimit të regjistrave dixhitalë të konsoliduar dhe aksesit në internet (PROG13).

Qeveria angazhohet të vazhdojë të rrisë buxhetin për arsimin dhe kërkimin shkencor, duke e konsideruar atë një përparësi kombëtare. Pas reformës së mandatit të parë, gjatë 4 viteve të ardhshme, ekipi i drejtuar nga Rama angazhohet të punojë për një sistem arsimor efiçent, i cili krijon mundësi të barabarta për shkollim cilësor të të gjithë fëmijëve.

(PROG14) Në lidhje me shëndetësinë, deri në vitin 2021, koha e pritjes për të gjitha shërbimet spitalore parashikohet të përgjysmohet. Qeveria thotë se do të inkurajojë procesin e akreditimit të të gjithë spitaleve publike dhe private. Ndërsa Urgjenca mjekësore në territor do të forcohet në kapacitete njerëzore, mjekësore e motorike.

(PROG15) Projektet e investimeve në shëndetësi do të zgjerohen me vepra të reja të infrastrukturës spitalore, duke shfrytëzuar financimet publike dhe partneritetin publik-privat. Vëmendje do t’u kushtohet qendrave spitalore universitare dhe spitaleve rajonale, thekson programi i Qeverisë. (PROG16)

Kapitulli i fundit i materialit që disponohet nga ABC news, i dedikohet politikave të jashtme, sigurisë, integrimit dhe shqiptarëve jashtë Atdheut. (PROG17) Këtu objektivi është konsolidimi i pozitave të Shqipërisë në hapësirën e Europës Adriatike, të rritet edhe më tej angazhimi i vendit në strukturat euroatlantike, të mbrohen të drejtat e patjetërsueshme të shqiptarëve në rajon, të rriten kapacitetet e mbrojtjes dhe të intensifikohet ritmi i procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

(PROG18) Diaspora konsiderohet si aleate strategjike në marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë dhe me shqiptarët jashtë Atdheut synohet të krijohet një marrëdhënie e strukturuar. Përveç reformës institucionale dhe ligjore për t’u dhënë të drejtën e votës shqiptarëve në botë, do të krijohet edhe një Agjenci Shtetërore e Emigracionit, që do të fillojë regjistrimin e tyre, kudo ku jetojnë. Parashikohet gjithashtu krijimi një Fondi për këtë qëllim, do së bashku me të drejtën e votës, synon krijimin e një politike shtetërore që do të angazhojë në zhvillimin e vendit, atë që në programin e Qeverisë cilësohet si një shtresë vitale e kombit./ABC News

Share: