Home KRYESORE Aksion në mes të Durrësit, policët me maska kontroll makinave luksoze

Aksion në mes të Durrësit, policët me maska kontroll makinave luksoze

Aksioni i gjerë i policisë në Durrës, uniformat blu ushtrojnë kontrolle ndaj automjeteve luksoze. Burime nga policia bëjnë me dije për “DurrësLajm” se që prej ditës së djeshme dhe gjatë gjithë ditës së sotme, efektivët e policisë me maska në kokë, ndalojnë në rrugët kryesore të gjithë ata drejtues që kanë në përdorim automjete luksoze e të shtrenjta.

Fotoja është shkrepur pak më parë në sheshin “Liria”, aty ku uniformat blu kanë ndaluar këtë automjet luksoz tip “Jaguar” dhe po ushtrojnë kontroll të imtësishëm, ndërsa një person e kanë ndaluar dhe e kanë ulur në gjunjë në mes të trotuarit.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se ky aksion vjen në kuadër të planit të masave operacionale “Vjeshtë 2017”, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për forcimin e masave për goditjen e grupeve kriminale dhe kapjen e aseteve kriminale, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Operacioni është shtrirë në 12 Drejtoritë Vendore të Policisë.

Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit bëri me dije një ditë më parë se drejtoritë vendore po punojnë për identifikimin e të gjithë personave për të cilët ka të dhëna se kanë ushtruar dhe ushtrojnë aktivitet kriminal, janë shqetësues për komunitetin dhe disponojnë, ekspozojnë, administrojnë dhe përdorin pasuri të lidhura me veprimtarinë kriminale apo që nuk justifikohen me burime të ligjshme dhe më pas në bashkëpunim me Prokuroritë, Gjykatat e rretheve gjyqësore dhe Gjykatën për Krimet e Rënda kanë si qëllim sekuestrimin e konfiskimin e pasurive kriminale./d.lajme

Share: