Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati thotë se marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Greqisë janë në një moment përcaktues. Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Nju Jorku, ku ai ndodhet për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, zoti Bushati shpjegoi se me palën greke është rënë dakort për një kalendar të qartë aktivitetesh që të përshpejtohet zgjidhja për një pjesë të mirë të problematikave mes dy vendeve. Në intervistën e tij, ministri i Jashtëm shqiptar flet dhe për prtishmëritë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me BE-në në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm si dhe zhvillimet dhe situatën në Ballkan.
Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, Greqia konsiderohet si një partner strategjik i Shqipërisë, megjithatë marrëdhëniet me të shoqërohen shpesh me tensione, siç ishte rasti i fundit, ku si presidenti grek ashtu dhe ministri i Jashtëm folën me tonë të forta kritike pas diskutimit të planit urbanistik të Himarës. Gjatë takimeve me homologun tuaj, është deklaruar se keni rënë dakord për të trajtuar problemet e trashëguara, por duket se nuk është bërë ndonjë hap i rëndësishëm përpara. Cilat janë pengesat?
Ditmir Bushati: Në fakt gjatë katër viteve të shkuara janë bërë disa hapa, në atë që ne kemi preferuar ta konsiderojmë si “politika e hapave të vegjël” që do të rriste besimin mes palëve, po të marrim parasysh stadin kritik në të cilin ishin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, sidomos pas shfuqizimit të së ashtuquajturës Marrëveshje të detit nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe ngrirjes së kontakteve në planin politik e diplomatik. Janë bërë disa hapa konkrete përpara si për sa i përket marrëveshjes për toponimet apo çështje të tjera që kanë ndjeshmëri për qytetarët tanë. Kemi shkëmbyer pikëpamje, kemi ngritur një mekanizëm komunikimi në nivel zëvendësministrash ku të gjitha çështjet janë vënë në tryezë.
Tani jemi në një moment përcaktues ku së bashku me homologun Kotzias do të ulemi së bashku me një grup ekspertësh për t’i trajtuar në një gjykim dhe më politik këto çështje dhe për t’i dhënë zgjidhje e më pas për t’ua prezantuar kryeministrave të vendeve tona ato çështje të cilat meritojnë një zgjidhje gjithnjë bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në frymën europiane që duhet të forcojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk është një proces i lehtë, por mund t’ju them dhe nga dreka e djeshme me ministrin Kotzias, konstatoj që ka një gatishmëri dhe nga ana e Greqisë për t’u përfshirë në këtë proces.
Zëri i Amerikës: A e shihni Greqinë si një vend që mund të kushtëzojë përparimin e vendit tuaj në marrëdhëniet me BE-në, nisur dhe nga deklarata e fundit të drejtuesve të lartë grekë?
Ditmir Bushati: Nuk besoj se është në interesin dhe dëshirën e Greqisë për të vendosur kushtëzime ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë, por nga ana tjetër siç u bë e qartë dhe gjatë prezantimit të programit qeveritar nga kryeministri Rama, çka pasqyrohet dhe në pjesën e programit për politikën e Jashtme, ne jemi të interesuar për të kyçur në një marrëdhënie realisht strategjike me Greqinë në një marrëdhënie e cila respekton të drejtën ndërkombëtare dhe frymën europiane e që sjell zgjidhje të drejta për të dyja palët. Prandaj në momentet që flasim kemi rënë dakort për një kalendar të qartë aktivitetesh që do të përfshijë jo thjesht burokratët dhe pjesën teknike të dy vendeve por dhe pjesën politike me synim që të përshpejtojmë rrugën e zgjidhjeve për një pjesë të mirë të problematikave që ende e mbajnë larg pritshmërive marrëdhëniet shqiptaro greke”.
Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, për Ballkanin diskutohet vazhdimisht si një rajon ku ka një mori problemesh, mes të tjerash rreziku nga radikalizmi, apo ndikimi i Rusisë për të penguar rrjedhat e integrimit europian të rajonit. Ju si do ta vlerësonit gjendjen aktuale?
Ditmir Bushati: Ballkani Perëndimor krahasuar me 10 apo 15 vite më parë është në një situatë më të stabilizuar por nga ana tjetër, është përballë sfidave shumë herë më të mëdha. Edha nga takimet e zhvilluara këtu në Nju Jork, në disa nivele të ndryshme, është theksuar fakti se bashkëpunimi rajonal dhe hapat që kemi ndërmarrë në këtë drejtim janë të domosdoshëm por në asnjë rrethanë nuk mund të zëvendësojnë, por nuk mund të konsiderohen as si alternativë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë dhe anëtarësimit të të gjitha vendeve të rajonit në BE. Edhe fjalimi i fundit Presidentit të Komisionit Europian Juncker është një reflektim nga programi i tij i para disa viteve ku zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor tanimë konsiderohet strategjik edhe për vetë BE-ë. Në të shkuarën sidomos në dy vitet e fundit, ne jemi fokusuar dhe kemi patur një bashkëveprim të qartë me vendet e BE-së në luftën kundër terrorizmit apo për çështje dhe sfida që kanë lidhje me mjedisin e sigurisë në kontinentin tonë, tani është koha që përmes Procesit të Berlinit, dhe instrumenteve që ofron procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor të punojnë realisht për një strategji zhvillimore që i zvogëlon hendeqet, veçanërisht në planin social dhe ekonomik mes nesh dhe BE-së./VOA