Home KRYESORE Çfarë po ndodh me ‘Elbasanin’? Ja veprimet e fundit të prokurorisë

Çfarë po ndodh me ‘Elbasanin’? Ja veprimet e fundit të prokurorisë

Në fillim të javës Prokuroria e Krimeve të Rënda tentoi të heqë dorë nga hetimet për ngjarjen e rëndë në Elbasan ku u godit makina e zv/drejtorit të policisë me argumentin se ngjarja është lokale dhe duhet ta hetojë prokuroria e rrethit. Por pas reagimet të fortë të opozitës, emisioneve televizive dhe shkrimeve në media, duket se ka ndryshuar rrjedha…

Top Channel raporton sot se Kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka urdhëruar që të hetohet e plotë përplasja në Elbasan dhe jo vetëm ngjarja e 18 Shtatorit.

“Ky vendim vjen pas ndihmës që ka kërkuar policia lokale, e cila këmbëngul që dosja e Elbasanit të qëndrojë tek Krimet e Rënda duke shmangur Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, pasi sipas policisë bëhet fjalë për grupe kriminale që kanë veprimtari edhe në fushën e narkotrafikut dhe të gjobëvënies”, raporton Tch.

Kështu pritet të rihapen edhe dosjet e pezulluara për disa ngjarje kriminale në Elbasan. Burimet shpjegojnë se për të hetuar mbi “Elbasanin”, grupit të dy prokurorëve që po hetojnë ngjarjen e 18 shtatorit do t’i bashkëngjiten edhe prokurorë të tjerë të Krimeve të Rënda, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë.

Nga ana tjetër Prokurori i Krimeve të Rënda ka urdhëruar që të mbahen nën përgjim të gjithë elementët kriminalë të Elbasanit.

Ndërkohë po sot ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa thirri në një takim në ministri 12 drejtorët e qarqeve. Ky takim u zhvillua pa drejtorin e përgjithshëm Haki Cako i cili ndodhet jashtë vendit.
Kujtojmë se natën e 18 Shtatorit, gjatë një operacioni policor për shoqërimin e një makine luksoze, policia u godit nga një tjetër mjet luksoz dhe i blinduar. Nga pamjet që transmetoi ekskluzivisht emisioni “Opinion” u pa qartë se policia ishte e pafuqishme për të ndaluar personin që goditi makinën e zv/drejtorit Gjergji Oshafi. Emri i personit që kreu krimin nuk është bërë publik nga policia, ndërsa opozita e ka artikuluar disa herë duke thënë se në makinë kanë qenë dhëndri i Qazim Sejdinit dhe djali i pronarit të tregut ushqimor në Elbasan. /Opinion.al

Share: