Home KRYESORE Nuk është vetëm Katalonja, ja edhe te tjerat ne Europe

Nuk është vetëm Katalonja, ja edhe te tjerat ne Europe

FILE PHOTO - A general view of the pro-independence rally in Barcelona, Spain June 11, 2017. REUTERS/Albert Gea

Në gjysmën lindore të Europës shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe e ish-Jugosllavisë kanë bërë që të krijohen shumë shtete të reja. Në Europën Perëndimore në të kundërt duket se shtetet e vjetra nacionale janë të konsoliduar prej kohësh. Por në këto themele gëlon dëshira për pavarësi e rajoneve në një sërë vendesh europiane. Shanset për realizimin e një kërkese të tillë janë të ndryshme në vende të ndryshme.

Katalonja

Askund tjetër në Europë nuk është kaq e fortë tendenca për pavarësinë sa në Katalonjë. Ndërsa në kohën e diktaturës së Frankos shtypej ndjenja katalonjase, rajoni tashmë ka arritur një masë të gjerë autonomie politike dhe kulturore – ndër të tjera edhe duke pasur parlamentin e vet rajonal.

Por kjo nuk u mjafton shumicës së 7,5 milionë katalonjasve. Ata duan një shtet më vete, kryesisht për arsye ekonomike. Ata thonë, se Katalonja është rajoni më i pasur prej nga thith shteti spanjoll në tërësi. Rreth 20 përqind e produktit bruto spanjoll në vend realizohet në rajonin lindor përreth Barcelonës.

Më 1 tetor qeveria rajonale shpalli referendumin për pavarësinë. Qeveria konservatore në Madrid e Mariano Rajoyt e refuzoi referendumin dhe e konsideron atë antikushtetues. Këtë të diel me forcën e policisë Madridi e bllokoi atë duke sekusetruar fletët e votimit.

Rajoni i baskëve

Shumë katalonjas orientohen nga rajoni i baskëve. Në të gjithë Spanjën qeveria qendrore në Madrid mbledh taksat dhe i shpërndan ato në rajone të veçanta – por jo në rajonin e baskëve dhe në provincën që i përket atij Navarra me kryeqytet Pamplonan.

Rajoni i baskëve i administron në mënyrë të mëvetsishme taksat dhe i paguan një shumë minimale Madridit. Rajoni i baskëve është ekonomikisht më i dobët se Katalonja. Ndonëse edhe nacionalizmi bask dhe gjuha baske janë shtypur nën diktaturën e Frankos, një pakicë e vogël e nacionalistëve të sotëm baskë është militante.

Organizata baske në ilegalitet, ETA, në rreth 50 vjet ka vrarë mbi 800 vetë, për të arritur qëllimin e vet shkëputjen nga Madridi. Më 2011 ETA hoqi dorë nga dhuna. Por as sulmet dhe as bisedimet politike nuk e kanë mundësuar një referendum për pavarësi.

Një referendum në nëntor 2014 u kthye në një votë simbolike. Vetëm qeveria qendrore spanjolle mund të mbajë një referendum të tillë, sipas kushtetutës spanjolle, por qeveria në Madrid e refuzon atë po ashtu si edhe referendumin në Katalonjë.

Skocia

Qysh prej 300 vjetësh ekziston unioni mes Skocisë dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Por skocezët ka kohë që kërkojnë një autonomi më të zgjeruar. Një parlament më vete ata e kanë. Por partia nacionale skoceze kërkon mëvetësinë.

Më 2014 Londra lejoi referendumin për pavarësinë. Ndonëse shumica e skocezëve votuan kundër ndarjes, më 2016 fryma e pavarësisë u ringjall për shkak të referendumit ndaj BE-së në Britaninë e Madhe dhe procesin e daljes së saj nga BE-ja.

Pas vendimit të britanikëve për daljen nga BE-ja kryeministrja e Skocisë Nicola Sturgeon u orientua nga nacionalistët: përderisa zgjedhësit në Skoci kanë votuar me shumicë për mbetjen e Britanisë së Madhe në BE, është e papranueshme, që Skocia automatikishttë dalë bashkë me Britaninë e Madhe nga BE-ja.

Kur të bëhen të njohura më shumë detaje për brexit, në vjeshtën e vitit 2018 ajo do të mbajë një referendum për pavarësinë të ngjashëm me atë të vitit 2014.

Flandra

Në zgjedhjete fundit parlamentare në Belgjikë më 2014 Aleanca e re flamande e Bart De Wever doli forca më e madhe politike në Flandër. De Wever është i bindur, që shteti i tërë belg gjithsesi do të “shpërbëhet” dhe se Flandra pa Valoninë do të jetë më mirë ekonomkisht.

Një Flandër të pavarur ai synon ta arrijë përmes bisedimeve. Separatizmi flamand është një rast i veçantë: Belgjika gjithsesi përbëhet nga flamandët që flasin holandisht dhe valonët që flasin frëngjisht duke përfshirë këtu edhe komunitetin gjermanofon dhe Brukselin që ka dy gjuhë zyrtare.

Nëse Flandra shkëputet, Belgjika do të humbiste më shumë se gyjsmën e popullsisë si dhe forcën ekonomike. Nga Belgjika do të mbeteJ shumë pak. Pika më e nxehtë e debatit është në këtë rast statusi i Brukselit, që është edhe selia e BE-së dhe e NATO-s.

Se çfarë do të ndodhte me Valoninë, është edhe kjo e paqartë. Ka qarkulluar përkohësisht deri edhe  ideja e atashimit Francës, Luksemburgut apo madje Gjermanisë. Sidoqoftë debati tashmë është i tejkaluar e deri më sot belgët janë afruar më shumë me njëri tjetrin.

“Padania”

Lëvizja separatiste në Veri të Italisë është e motivuar thjeshtë nga ekonomia. Veriu me rajonet e Lombardisë, Aostës, Piemontit, Ligurias, Venetos dhe Emilia-Romagnas realizojnë me ndërmarrjet e tyre industriale dhe bankat pjesën më të madhe të produktit social italian.

Shumë italiano-veriorë besojnë, se Italia e Mesme dhe ajo e Jugut konsumojnë paranë e fituar me mund në Veri të vendit. Partia Lega Nord në vitet 1990 donte shkëputjen e plotë të veriut “Padanias”, që rrjedh prej emërtimit italian  “pianura padana” për luginën e Posë.

Sot Lega Nord është bërë më e moderuar. Tani ajo synon vetëm, që veriu ta mbajë për vete pjesën më të madhe të parave të xhiruara dhe t’i administrojë vet ato, në vend që t’i kalojnë Romës.

Tiroli i Jugut

Në Tirolin e Jugut bashkohen faktorë ekonomikë, historikë dhe kulturorë. Tiroli i Jugut deri në fund të Luftës së Parë Botërore i përkiste Perandorisë Austrio-Hungareze, më pas ai iu caktua Italisë. Pas fazës së italianizimit në kohën e Musolinit Tiroli i Jugut pas Luftës së Dytë Botërore fitoi më shumë autonomi politike dhe gjuhësore. Madje në pjesën më të madhe të ardhurat shtetërore ky rajon lejohet t’i mbajë vetë.

Tirolezët jugorë dukeshin për një kohë të gjatë të kënaqur. Por kriza e borxheve shtetërore i  rindezi përkohësisht ndjenjat e separatizmit. Italia është pas Greqisë vendi me më shumë borxhe në Eurozonë, e ekonomia nuk po rimëkëmbët.

Shumë tirolezo-jugorë, të cilët janë mirë ekonomikisht, nuk duan të kenë të bëjnë me problemet e Italisë dhe prandaj kërkojnë “shkëputjen nga Roma”.

Korsika

Shteti francez prej kohësh është përpjekur, që ta spostojë nga jeta publike dhe në shkolla gjuhën korsikane dhe përpjekjet për autonomi janë luftuar. Grupet militante, kryesisht ai FLNC, për shumë vite janë përpjekur të shkëputen me dhunë nga Franca, duke kryer sulme kundër përfaqësuesve apo simboleve të shtetit të Francës apo edhe shtëpive të pushimit në kontinent.

Më 2014 FLNC deklaroi se do të heqë dorë nga lufta në ilegalitet. Por potenciali i konfliktit mbetet: propozimet e rezervuara për autonomi të qeverisë socialiste franceze nën Lionel Jospin në vitin 2000 e nxorrën opozitën konservatore në barrikada.

Ajo besonte, se edhe rajone të tjera si Bretanja apo Alzasa mund të kërkonin pavarësinë. Tradicionalisht në Paris merren fare pak parasysh gjuhët rajonale, sepse tek to shihet të rrezikohet uniteti i vendit.

Bavaria

Fare pak bavarezë mendojnë seriozisht për krijimin e një shteti më vete. Por sidoqoftë Bavaria gëzon zyrtarisht qysh sot termin “shteti i lirë”. E me këtë Bavaria ka mundur të mbijetojë mirë. Ky është landi me sipërfaqen më të madhe ndër landet federale të Gjermanisë, me 13 milionë banorë ky rajon ka më shumë banorë se Suedia apo Portugalia dhe po ashtu ka rendimentin më të lartë ekonomik ndër landet federale.

Nëse ekziston dëshira për më shumë mëvetësi të bavarezëve, atëherë kjo rrjedh kryesisht prej kompensimit financiar mes landeve, sistem ky përmes të cilit harmonizohen pjesërisht dallimet në mirëqenie mes landeve të pasura dhe të varfëra. Bavaria do të preferonte të paguante më pak në arkën e përbashkët.

Por edhe këtu ka separatistë të mirëfilltë. Politikani kristiansocial Wilfried Scharnagel në librin e botuar më 2012 bën thirrje, se “Bavaria mund t’ia dalë edhe vetëm” duke kërkuar kështu shkëputjen nga njësia e shtetit gjerman. Por deri më tani nuk ështëkrijuar ndonjë levizje më e madhe se kaq./dita

Share: