Home KRYESORE Rrymat e mendimit ekonomik (prezantim i përgjithshëm)

Rrymat e mendimit ekonomik (prezantim i përgjithshëm)

Nga Kasem Seferi

Ludwig von Mises me shkrimet e tij, me leksionet e tij, me seminaret e tij dhe, ndoshta me të gjitha ato që ka thënë i meson ekonomistët dhe të tjerë se, në mënyrë vendimtare, shkenca ekonomike është shumë e rëndësishme.

Krijimi i FMN dhe BB në korrik 1944, në Bretton Woods të New Hampshire, me qëllim që të mbështetej dhe të përhapej mirëqenia në të gjithë botën, nëpërmjet uljes së barrierave tregtare dhe financiare, në pjesën më të madhe, bazën teorike e gjeti te John Maynard Keynes, në veprën e tij “General Theory of Employment, Interest and Money”, ndërsa bazën e mbështetjes te New Deal – i i Presidentit Roosevelt.

Sipas argumentimeve të Keynes, në qoftë se tregjet e lirë lihen të funksionojnë vetë, ato nuk i sigurojnë gjithnjë shoqërisë optimalitetin e duhur dhe, kur punësimi arrin në stanjacion, sikundër ndodhi në periudhën e Depresionit të Madh, atëhere qeverisë i duhet të ndërhyjë për të krijuar vende pune.

Në atë periudhë ishte e vështirë të gjeje njerëz të pandikuar nga idetë e Keynesit, në lidhje me rolin e fortë dhe vendimtar që duhet të luajë qeveria për të mbizotëruar problemet ekonomike.

Këtë e vërteton Alan Greenspan, ish Guvernator i Bankës Federale të Rezervës të SHBA, në librin e tij “Age of turbulencies”: “Unë e lexova “Teorinë e Përgjithëshme …” dy herë dhe ai ishte një libër i mrekullueshëm. Ajo që më magjepsi mua në librin e Keynesit ishte inovacioni matematikor dhe analiza strukturore, por jo idetë e tij mbi politikën ekonomike.”.

Por, Henry Hazlitt, partizan i ideve liberale për maksimizimin e lirisë individuale dhe minimizimin e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, gazetar i “Wall Street Journal”, The New York Times”, Newsweek” dhe “American Mercury”, në librin e tij “Economics in One Lesson” dhe “Failure of the New Economics”, kritikon librin “General Theory …” të John Maynard Keynes.

Duke parafrazuar një citat që i atribuohet Samuel Johnson, tha se Keynesi “ishte i pazoti për të gjetur një doktrinë të vetme që të ishte e vërtetë dhe origjinale. Çfarë është origjinale në libër nuk është e vërtetë dhe çfarë nuk është e vërtetë nuk është origjinale.”.

Pasuesit e Shkollës Kejnesiane e akuzuan Henry Hazlitt si njeri që pjesën më të madhe të jetës së tij e harxhoi duke treguar fabrikime të drejtuara keq dhe me paramendim mbi Jonh Maynard Keynes dhe “Teorinë e Përgjithshme”.

Në mënyrë të përsëritur deri në marrëzi, ata e akuzuan Henry Hazlitt se pretendoi që Keynesi ishte një avokat i madh mbrojtës në favor të financës së defiçitit, në favor të menaxhimit të kërkesës, në favor të financës inflacioniste dhe shpenzimeve qeveritare, në favor të politikës fiskale me maturi, në favor të politikës fiskale dhe monetare zgjeruese – kontradiktore.

Megjithëatë, asnjë deri tani nuk ka vërtetuar se logjika e vendimeve individuale transformohet në nivel global, po ashtu dhe dukurinë e dinamikës kontradiktore të aftësisë parashikuese të aktorëve të tregut, duke e lënë të hapur argumentimin e “dorës së padukshme” të Adam Smithit.
Gjetja e proçeseve të reja me kosto më të vogël dhe prezantimi i produkteve më të mira, që i nxit shumë fort pronarët e bizneseve për t’i joshur konsumatorët nga rivalët e tyre, ideja bazë e teorisë së Adam Smithit, ndikon po aq fort edhe mbi rivalët e tyre.

Kjo gjë që të sjell ndërmend temën qendrore të veprës së Charles Darwin “Mbi Origjinën e Specieve me anë të Seleksionimit Natyror”, se konkurrenca favorizon tiparet (ose veçantitë) dhe sjelljen në lidhje me atë si ndikojnë ato mbi suksesin e individëve dhe jo të species apo grupeve të tjera, por tiparet (ose veçantitë) që rrisin përshtatjen individuale, nganjëherë, çojnë përpara interesat e grupit, duke pranuar se, në raste të tjera, tiparet (ose veçantitë) që ndihmojnë individët janë të dëmshëm për grupe të tjera.

Në këtë kontekst, në parim, konkurrenca e ndershme në treg e udhëheq sjelljen e individëve drejt mënyrave prej të cilave përfiton shoqëria si tërësi, por në fakt nuk ndodh përherë kështu, pasi interesat e individit nuk përputhen gjithnjë me ato të grupit duke i çuar ato në konflikt, veçanërisht, në rastet e konkurrencës së pandershme në treg.

Pikërisht ky konflikt ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar dhe ka çuar në domosdoshmërinë historike të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi.

Ndërhyrja direkte e qeverisë për të rritur kërkesën është një arsye moderne për mënyrat e të tatuarit dhe përdorimit të shpenzimeve qeveritare për të stabilizuar ekonominë:

e para, duke shpenzuar më shumë dhe duke ulur tatimet, kur shpenzimet private janë të pamjaftueshme, dukuri e cila e kërcënon ekonominë me rënien e prodhimit dhe,

e dyta, duke zvogëluar shpenzimet dhe duke rritur tatimet, kur shpenzimet private janë tejet të mëdha dhe e kërcënojnë ekonominë me rritjen e inflacionit.

Liberalizmi, si filozofi, ngrihet mbi kriterin e lirisë dhe mbi kriterin më pak shtet më shumë treg.

Kriteri i dytë mbrohet me argumentet e lirisë (shkëmbimit dhe pronës) dhe efikasitetit ekonomik dhe mirëqënies që rezulton prej tij, por kufizimet shoqërore ndaj lirisë së njeriut nuk janë thjesht pasojë e veprimit të shtetit, por edhe i veprimit të personave të tjerë (qofshin ato privatë apo organizmave të tjerë).

Nga ana tjetër, sektori publik mund të jetë një mjet për realizimin e dëshirave të personave, pra një instrument i lirisë së tyre.

Sistemi i tregut ka mangësi të tilla si papunësia, inflacioni, “pasuritë publike”, “efektet e jashtme”, ashtu sikundër, paralelisht, ka mangësi serioze edhe drejtimi shtetëror i ekonomisë, për aq kohë sa nuk dihet “sa dhe cilat shërbime publike duhen ndërmarrë në emër të lirisë”.

Që në fillim të Shekullit të 21 – të, kjo gjë mbetet një prej problemeve më të diskutueshme, sepse politikat qeveritare, që frymëzoi Keynesi, për shkak se nuk e restauruan shpejt gjendjen ekonomike që u krijua nga kriza e viteve 1930, u frymëzuan nga ide të tjera që predikonin një ndërhyrje publike disi më të kufizuar (“monetarizmi”), ose ndërhyrja zero (“neoklasicizmi”).
Fusha e veprimit të liberalizmit ekonomik është dija për të vendosur drejt se cili veprim duhet të jetë ai që duhet realizuar nga sektori publik dhe politik dhe cili është ai që duhet t’i lihet tregut, problem kryesor ky që e ka shtruar për studim ekonomia politike gjatë krejt zhvillimeve të saj.

Por çdo “dështim i tregut” ka çuar në hamendjen se sektori publik ose shteti, duhet të përpiqet t’i korigjojë gabimet e tregut dhe, në këtë drejtim, të ndërhyjë nëse informacionet dhe arsyet e dhëna nga nëpunësit e vet, i ofrojnë një mundësi më të mirë se mekanizmat e tregut, një drejtim i ri i ekonomisë politike.

“Dështimet e tregut”: shpërndarja e mirëqënies dhe drejtësia e saj, ose efikasiteti (në kuptimin e Vilfredo Parettos, që 20 për qind e popullsisë zotëron 80 për qind të pasurisë), është i pajtueshëm me faktin se disa individë vdesin nga uria pranë disa të tjerëve që s’dinë ku t’i çojnë pasuritë e tyre.

Paqëndrueshmëria ekonomike globale: tregjet e lëna në fatin e tyre, shfaqin luhatje dhe krizë në fushën e punësimit, të cilat mund të jenë të thella ashtu si në rastin e krizës së vitit 1929 dhe në atë të vitit 2009.

Në studimin e tij “Manias, Panics and Crashes: A History of Financial Crises”, Charlie Klindberger dhe autorë të tjerë, në lidhje me sistemin kapitalist të tregut, në bazë të të dhënave statistikore të përpunuara, kanë vënë në dukje prirjen e përgjithshme të rritjes së vazhdueshme ekonomike nga një epokë në tjetrën, pavarësisht luhatjeve periodike në plus, ose minus të kësaj prirjeje të përgjithëshme, në formën e cikleve ekonomike në madhësi dhe me kohëzgjatje të ndryshme.

Jo shumë kohë para shpërthimit të krizës së fundit financiare botërore, ekonomistët uronin vetveten mbi suksesin që kishte arritur shkenca e tyre dhe ata që ia kishin dalë me sukses (ose që besonin në një gjë të tillë), ishin si teoricienët e ekonomisë po ashtu dhe ekonomistët e praktikës.

Olivier Blanchard, ekonomist kryesor i FMN – së, deklaronte se “gjendja e makros është e mirë”, ndërsa Robert Lucas i Universitetit të Çikagos deklaroi se “ishte zgjidhur problemi qendror i parandalimit të depresionit”, për më tepër Ben Bernanke, Guvernator i FED – it, në vitin 2004 Moderimin e Madh të performancës ekonomike gjatë periudhës 1985 – 2007, pjesërisht, ia atribuonte politikëbërjes së përmirësuar ekonomike.

Me rastin e shpërthimit të krizës së vitit 2008, ekonomistët u ndanë në lidhje me pikëpamjet e tyre, por ndarja më kryesore ishte bërë me kohë; në valën e krizës, Robert Lucas, planet nxitëse të administratës së Presidentit Obama, i quajti “shkencë e keqe ekonomike” ndërsa John Cochrane i Shkollës së Çikagos tha se ato bazohen në “përralla” të diskretituara.

Nga pala tjetër, Brad DeLong i Universitetit Berkeley të Kalifornisë, vuri në dukje “kolapsin intelektual” të Shkollës së Çikagos, ndërsa Paul Krugman komentet e Shkollës së Çikagos i quajti produkt i Periudhës së Errët të shkencës makroekonomike.

Madje Paul Krugman dhe Joseph Stiglitz konkluduan se shkenca ekonomike dështoi për shkak se “ekonomistët, si grup, e keqkuptuan bukurinë duke e marrë për të vërtetë, të blinduar në shkencën matematike që në dukje të linte mbresa.”.

Zakonisht, lindja e shkencës ekonomike i atribuohet Adam Smithit me “Pasurinë e Kombeve” në vitin 1776 që, në 160 vitet që rrodhën, si mesazh mesazh qendror pati: besoni tregun, besim që u thërrmua nga Depresioni i Madh.

“Depresionet nuk janë thjesht djaj – deklaronte Joseph Schumpeter në vitin 1934 – ato janë format e diçkaje që duhet të bëhet.”.

Megjithëatë, hap pas hapi, pjesa më e madhe e ekonomistëve e kthyen vështrimin te John Maynard Keynes, si përsa i përkiste shpjegimit të asaj që kishte ndodhur ashtu dhe përsa i përkiste zgjidhjes për depresionet e ardhshëm. Keynesi, pavarësisht çfarë thuhet, nuk donte që qeveria ta drejtonte ekonominë dhe analizën e tij e përshkroi në veprën “Teoria e Përgjithshme e Punësimit, Interesit dhe Parasë”, si “një mënyrë të moderuar konservative në implikimet e saj.”.

Ai donte ta fiksonte kapitalizmin dhe jo ta zevendësonte atë, por sfidoi nocionin se ekonomitë e tregut të lirë mund të funksionojnë pa një mendimtar që shpreh mospërfillje të veçantë për tregjet financiare, prandaj kërkoi ndërhyrjen e qeverisë (duke emetuar më shumë para dhe në qoftë se do të ishte e domosdoshme, duke shpenzuar fort në punët publike) për të luftuar papunësinë gjatë rënieve ekonomike.

Neoklasicizmi, fillimisht, u rigjallërua nga Milton Friedman i Universitetit të Çikagos, në vitin 1953 me tezën se funksionet e ekonomisë së tregut aktualisht “aq shumë frutdhënëse po aq sa dhe të meritojnë shumë besim” dhe kundërsulmi kundër Keynesit u bë me doktrinën e njohur si monetarizëm, që, në parim, nuk pajtohet me idenë se një ekonomi tregu ka nevojë për një stabilizim të paramenduar.

Monetaristët mbrojnë tezën se vetëm një formë shumë e kufizuar e ndërhyrjes qeveritare (kryesisht ajo që udhëzon bankat qendrore të bëjnë furnizimin e vendit me para, shumën e parasë në dorë në qarkullim dhe depozitat bankare, duke i rritur në një trajektore të qendrueshme), është ajo që kërkohet për parandaluar depresionet.

Ndërmjet ekonomistëve financiarë, vizioni përçmues i Keynesit për tregjet financiare si një “kazino”, u zevendësua nga teoria “tregut efiçent”, e cila mbronte tezën se tregjet financiare vendosin gjithnjë çmime të drejta me informacionin e dhënë në dispozicion.

Pa u zgjatur më tej me këtë rotacion duhet thënë se shqetësimi i vërtetë i ekonomistëve dhe politikanëve duhet të përqendrohet mbi ato veprime të ndërhyrjes së qeverisë, të cilat synojnë t’i detyrojnë sipërmarrësit dhe kapitalistët t’i venë në punë faktorët e prodhimit në një mënyrë të ndryshme nga ajo që ata do të bënin në qoftë se ato do t’i bindeshin vetëm diktateve të tregut.

Nëse bëhet një gjë e tillë, nuk ngrihet më pyetja nëse një ndërhyrje e tillë është ose nuk është e mirë apo e keqe nga çdo pikëpamje e paracaktuar, por vetëm nëse i arrijnë apo jo ato qëllime që ata mbrojnë dhe mbështesin.

Ndryshimet në filozofi mund të çojnë në mosmarrëveshje përsa i takon sferës përkatëse të veprimtarisë ekonomike të qeverisë, mirëpo, krijimi i mendimeve inteligjente rreth politikës publike nuk kërkon vetëm një filozofi politike, por dhe një kuptim të qartë mbi atë se çfarë bën në fakt qeveria.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: