Pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri ashtu si në vende të tjera është aplikuar një politikë shtetërore pro-lindshmërisë.
Pjesë e kësaj politike, ndër të tjera, ishte edhe ai që njihej si tatimi i beqarëve. Tatimi merrej nga personat me moshë mbi 20 vjeç gjer 50 vjeç për meshkujt dhe mbi 20 vjeç deri në 40 vjeç për femrat, e kanë aplikuar më herët vendet perëndimore, si p.sh Italia.
Propozimi për të ndërmarrë një politikë të tillë në Shqipëri është propozuar në një analizë të plotë te “Minerva” në numrin e 10 shkurtit të vitit 1933, shkruan Scan.
Por çfarë propozonte autori me pseudonimin “Borealis”?
“Në disa nga shtetet e kontinentit europian është duke u zbatuar një ligj që takson 20 vjeçarët e pamartuar. Një gjë e tillë mund të bëjmë edhe ne që kemi nevojë të shtohemi, fjala vjen me tepër se Italia, çdo beqar taksohet sipas gjendjes së tij ekonomike. Katundari i varfër me 20 franga ari në vit, i pasuri me 400. Italia nxjerr plot 110 milion lireta në vit nga zbatimi i këtij ligji. Tërë kjo shumë përdoret për rritjen e jetimëve. Prapë me anë të këtij ligji caktohen çmime dhe dhurata për prindërit që rrisin një numër të madh fëmijësh. Ka një tok mënyrash për propagandë dhe inkurajim në punën e shtimit të popullsisë” shkruhet në analizë.
Kush qendronte pas pseudonimit“Borealis”?
Me pseudonimin “Borealis” shkruante Ismet Toto. Ai lindi në vitin 1908 në Progonat të Kurveleshit dhe u nda nga jeta në vitin 1937.
Ai do të ekzekutohej me varje në burgun e Gjirokastrës. Kreu në Tiranë shkollën e mesme teknike amerikane dhe më pas studioi për statistikë në Universitetin e Romës.
Shkrimtari Nasho Jorgaqi, një analizë të figurës së Totos e përshkruan atë si një “njeri me karakter të fortë e të paepur, antikomformist dhe i vendosur e në të njëjtën kohë intelektual i një stature të re, në kërkim të vazhdueshëm të burimeve të dijes dhe të ideve…”
E në fakt, Toto do të ishte shumë aktiv në shtypin e kohës e madje do të guxonte të përfshihej në polemika të forta për kohën. /shekulli/