Home KRYESORE Pas presionit të Sofies, pranohen bullgarët si minoritet në Shqipëri

Pas presionit të Sofies, pranohen bullgarët si minoritet në Shqipëri

“Nga viti 1945 deri në vitin 2011, që është censusi i fundit, nuk ka pakica të tjera të identifikuara përveç pakicave që listohen në këtë ligj”.

Edhe pse një javë më parë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ishte i bindur dhe këmbëngulës në qëndrimin e tij për mosekzistencën e minoritetit bullgar në Shqipëri, përpara fakteve historike dhe presionit të Bullgarisë, deputetët e Komisionit të Ligjeve iu dorëzuan presionit bullgar.

Presion ky që kishte ardhur në zyrat e tyre me anë të një letre nga europarlamentarët.

Deputeti i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi tha: “Ka dhe një letër nga disa deputetë europarlamentarë që kërkojnë futjen e pakicës bullgare në listën ku numërohen pakicat kombëtare në Shqipëri”.

Zërat kritikë nuk munguan. Gent Strazimiri, deputet i Partisë Demokratike, tha: “Është një letër e komisionerit kundër diskriminimit në Parlamentin Europian. Nuk është kriter ligjor për tu shpallur pakicë”.

Ndërsa Edmond Panariti i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi: “Duhet të respektojmë dhe institucionet shqiptare: Akademinë e Shkencave, e cila duhet të shprehet në mënyrë institucionale”.

Por, edhe ata u shuan kur të gjithë votuan në favor të këtij ndryshimi, që e bën minoritetin bullgar minoritetin e 9 në Shqipëri.

Projektligji ngjalli menjëherë reagime të shumta të Sofies zyrtare, reagime të cilat duket se e gjetën të papërgatitur politikën shqiptare. Vetëm një javë pas diskutimit me grupet e interesit, deputetët e të gjitha krahëve politike, zgjodhën të mos marrin parasysh faktet historike të paraqitura, por t’i bindeshin presionit të Sofies zyrtare, nëpërmjet Parlamentit Europian.

Bindje e cila vjen dy muaj përpara se Bullgaria të marrë Presidencën e radhës së BE-së, periudhë gjatë së cilës Shqipëria pret hapjen e negociatave për anëtarësim./tch

Share: