Home KRYESORE Edhe Xhaçka ka rënë në mina! Nga Azem Parllaku

Edhe Xhaçka ka rënë në mina! Nga Azem Parllaku

Duke folur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, shkurtimisht prezantoi objektivat e 100 ditëve të para, që do të arrihen nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Xhaçka, nuk do të mundet të bëjë as më shumë e as më pak, nga ish-drejtuesit e tjerë të kësaj Ministrie. Njëlloj si paraardhësit e saj, edhe Xhaçka foli: Për bashkëpunim me NATO-n, për rritjen e kontributit të Shqipërisë në NATO dhe angazhimin në misione paqëruajtëse të drejtuara nga Aleanca.

Për seriozitetin me të cilën ajo dhe bashkëpunëtorët e saj do t’i kushtojnë hartimit të buxhetit të Mbrojtjes. Për mardhëniet me komunitetin e në veçanti me veteranët. Për shërbimet në interes të komunitetit, duke e vënë theksin tek pastrimi i territorit, etj.

Fakti që, Shqipëria është anëtare e NATO-s, jo për meritë të saj, por si rrjedhojë e zhvillimeve në shkallë globale, e grish vëmendjen e opinionit publik, për t’u fokusuar edhe në zhvillimin e Forcave të Armatosura, si instrument i rëndësishëm për Sigurinë Kombëtare. Trashëgimia e pasviteve ’90, si periudhë e ndryshimit të madh, ka prodhuar një paradoks për Forcat tona të Armatosura. Kështu në mënyrë ironike, ato më së shumti u konsideruan njëlloj si klasa politike, fajtore të prapambetjes ekonomike dhe të izolimit me botën. Kjo vinte për faktin se në emër të Sigurisë Kombëtare, ishin bërë shpenzime kolosale, shpenzime të cilat i faturoheshin Forcave të Armatosura, pasi në inventarin e tyre ishte i gjithë ai arsenal, që përfshinte armatimin, pronat ushtarake, deri dhe bunkerët.

Ky fakt ka çuar në joshjen për të vepruar sikur Forcat e Armatosura nuk kanë nevojë aspak për një politikë afatëgjatë menaxhimi. Nëse eventualisht Shqipëria mund të vihet përballë ndonjë trazire, ku duhen përfshirë Forcat e Armatosura, këto të fundit e kanë të garantuar dështimin. Euforia e të qenit në NATO, i ka mahnitur dhe joshur politikanët dhe grupin e ushtarakëve vendimarrës, që t’a ngatërrojnë strategjinë, duke i bërë ata më pak të ndjeshëm ndaj transformimeve e zhvillimeve reale. Në raportin e fundit të Instituti Bruegel, i cili ka si mision përmirësimin e cilësisë së politikave ekonomike, me hulumtime, analiza dhe fakte të bazuara në debat, Shqipëria renditet si e fundit anëtare e NATO-s, që ka ulur GDP-në e shpenzimeve të saj ushtarake. Në vitin 2017, thuhet në raport shpenzimet për mbrojtjen në Shqipëri janë 0,75 e GDP-së, përkundrejt 1,5% të GDP-së në vitin 2009. Buxheti i Mbrojtjes për vitin 2017 është afërsisht 2.8 herë më i ulët se niveli 2% GDP-së, një synim kombëtar i konfirmuar në NATO dhe angazhim i nënshkruar nga 28 Kryetarët e Shteteve të NATO-s në Samitin e Wellsit, në 2014, dhe të Varshavës, në Korrik 2016.

Ky buxhet nuk reflekton shqetësimin e ngritur në mënyrë konstante nga aleatët strategjikë (SHBA) si dhe, nuk adreson qëndrimet e Presidentit Donald Trump, i cili parimin e “ndarjes së barrës” dhe specifikisht këtë shifër 2% i ka artikuluar si standarde detyruese për vendet anëtare të NATO-s. Mospërfshirja e Forcave të Armatosura tyre në misione të mirëfillta ushtarake, ka provokuar vetëkënaqësi me gjendjen aktuale. Më së miri kjo reflektohet kur kemi parasysh që: Vetëm 5% e njerëzve në uniformë marrin pjesë në misione ushtarake jashtë vendit.

Atëherë lind pyetja! Çfarë bëjnë 95% e njerëzve në uniformë? Në ndërkohë që, numri i personelit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2017 është parashikuar 8.860, ka pësuar një rritje me 360 vetë, teksa numri limit i personelit është atribut i Kuvendit të Shqipërisë. Në rastin konkretet, në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes, Strategjinë Ushtarake, dhe Planin Afatgjate të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025, numri limit i miratuar me ligj nga Kuvendi është përcaktuar në 8.500 brenda vitit 2015. E ndërsa pjesa më e madhe e personelit të Forcave të Armatosura janë ushtarakët profesionistë, ende nuk është mundur, që ata të zhvillojnë normat, vlerat dhe unitetin organizativ, si një tip social, si një karakteristikë unike e shoqërisë moderne.

Praktikisht trupa e ushtarakëve profesionistë, paraqitet e arsimuar relativisht, por mungesa relative joshëse e profesionit dhe karrierës ushtarake e kanë bërë të pamundur sigurimin e cilësisë së profesionistëve të mirëfilltë. Ajo ç’ka konsiderohet si resursi njerëzor i Forcave të Armatosura, e ka të domosdoshme zhvillimin e etikës profesionale, për të krijuar bindjen e arsyeshme në shoqëri për tipin e ri të ushtarakut dhe institucionet e reja në këtë fushë. Realisht, korpusi aktual i ushtarakëve shqiptarë gjendet përbri hendekut të përgatitjes speciale, që i imponon atij një përgjegjësi të veçantë shoqërore. Profesioni i ushtarakut është monopol i shtetit, dhe aftësia e njerëzive nën uniformë është drejtimi i forcës ushtarake dhe sigurimi ushtarak i klientit të tij, i shoqërisë.

Marrja e kësaj përgjegjësie kërkon zotërimin e përgatitjes që bën të nevojshme e të mundur pranimin e përgjegjësisë. Për fatin e keq, trupa ushtarake shqiptare nuk mundet dot të rrisë cilësinë e përgatitjes profesionale në kushtet, kur arsimimi i mirëfilltë ushtarak, është joefiçent, dhe kur motivimi për profesionin nuk është në shkallën e duhur. Po ndodh gjithnjë e më shpesh të rekrutohet personel arsimimi i të cilit, është relativisht i dobët, e përtej kësaj Forcat e Armatosura, janë shndërruar në një “treg pune”, për militantët e politikës.

Personeli i Forcave të Armatosura, kryesisht ushtarë profesionistë, punonjës civilë dhe ushtarakë të gradave të larta, nuk e demonstron kohezionin e një Ushtrie të mirëfilltë dhe me standarde. Gradat e larta gjithnjë e më tepër u janë larguar trupave ushtarake, teksa këto të fundit u qëndrojnë larg poligoneve të stërvitjes. Një numër i kufizuar personeli i cili merr pjesë në operacionet e NATO-s, nuk mundet dot, të marrë përsipër veçse detyrat e rëndomta të rojes. Kjo nuk duhet të na bëjë krenarë aspak. Sipas të dhënave statistikore të Gjykatës së Tiranës, gjatë këtij viti në gjykatë janë gjykuar ose janë në proçes dhjetra çështje penale për mosparaqitje të ushtarakëve në detyrë.

Ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kanë qenë po dhjetra proçese të tilla. Thuajse në të gjitha rastet, arsyet e mospraqitjes së ushtarakëve në detyrë janë pagat e ulta dhe largimi për një punë tjetër që paguhet më mirë, brenda ose jashtë vendit. Në shumicën e rasteve, largimi është bërë pa njoftuar eprorët dhe për rrjedhojë çështja ka kaluar për ndjekje penale. Një sistem i përparuar i edukimit të personelit si dhe modernizimi teknologjik është bërë kërkesë e domosdoshme për fuqinë afatgjatë të Forcave të Armatosura.

Aktualisht, Ministria e Mbrojtjes pothuaj 90% të shpenzimeve i ka parashikuar si shpenzime “korente” dhe vetëm 10% e tyre, vihen në dispozicion për modernizimin. Nëse disa vite më parë kishte një paketë të modernizimit të flotës së helikopterëve, sot kemi dy helikopterë më pak, të cilët Forca Ajrore, i humbi “në misionet rutinë”, kurse ende nuk janë zbardhur hetimet për aksidentet ajrore në fjalë, në të cilat janë shënuar dhe viktima. Në Forcat e Armatosura ndahen më pak lekë, për administrimin, forcat e luftimit, arsimimin ushtarak dhe mbështetjen e luftimit.

Po kështu nuk ka një transparencë në lidhje me pasuritë dhe resurset materiale që dalin jashtë funksionit; Ku shkojnë dhe si administrohen të ardhurat që mund të krijohen nga shitja, apo transformimi i tyre? Ende deri sot nuk është marrë në konsideratë të bëhet një analizë në lidhje me shpenzimet e qindra miliona lekëve për të ndërtuar, apo ristrukturuar shumë objekte ushtarake, të cilat dolën jashtë funksionit vetëm pak kohë pas përfundimit të tyre.

A nuk u veprua kështu me investimet tek ish-Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, investimet tek ish-hoteli i ushtarakëve në Tiranë, e sa e sa vendislokime të strukturës së Mbrojtjes. Askush nuk foli, mbasi nuk guxoi të diskutonte vendimarrjen politike, edhe pse jo e drejtë në këto raste. Peshorja e konceptit të pushtetit kërkon të vendosen kufizime nëpërmjet një ekuilibri që ndalon kopetencat për të qenë dominues. Në këtë hark kohor janë ripunuar rregullore, apo dhe ligji për autoritetet e komandimit e drejtimit, por ata ende mbeten jo qartësisht të shprehura për një ndarje të kompetencave, çka bën shumë herë të vazhdojnë reminishencat.

Shpesh një drejtor civil në Ministrinë e Mbrojtjes merr kompetencën e drejtuesve të lartë ushtarakë. Funksioni i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm është lënë pa asnjë kompetencë, ndërkohë që kjo nuk ndodh në asnjërën nga ushtritë në Perëndim. Përsëri ushtarakët kanë mbetur pa një status të qartë, përpos kaq, statusi i ushtarakut është ndryshuar disa herë, për të mbetur ashtu amorf siç është aktualisht. Të konsideruar si “mall i lirë” ushtarakët nuk kanë mundur të vetanalizojnë, e as nuk kanë patur qasje për të bërë një analizë të qartë se: Deri kur janë të “rrezikuar” të shkelin në zonë të minuar?!

Share: