Nga Rita Petro
Thithe njëherë ti
Cigaren
E pastaj unë
Kjo tregon se duhemi
Merr nga pjata ime
Më të shijshmen e lashë për ty në fund
Kjo tregon se duhemi
Ma kruaj pak kurrizin
Sa shpejt ma gjen vendin
Kjo tregon se duhemi
Më është këputur një tel
E gjeta ja ku është
Nesër e çojmë e ngjitim
Paçka se kitara nxjerr jo të njëjtin zë
Prap tregon se duhemi
Ty të bie një dhëmb
Edhe unë shkoj te dentist
Heq dhëmbin e mirë
Kjo tregon se duhemi
Kur njëri qan
Edhe tjetri vajton
Kjo tregon se duhemi
Të dy e shohim perëndimin
Paçka se ti ulesh me kurriz
Pse mërzitesh – thua
unë e shoh në sytë e tu?!
Kjo tregon se duhemi
Ecim krah për krah teksa ngjitemi
Kur njëri rrokulliset poshtë
Edhe tjetri rrokulliset
Dhe të dy e fillojmë nga e para
Kjo tregon se duhemi,
Po majës ende nuk po i afrohemi…
Kur kalojmë bri shkëmbinjve
Që zbresin thikë në det
Aty ku lahen sirenat
I mbyllim veshët me dyllë
Dhe jemi të qetë
Se duhemi shumë…
…
Oh ç’më ra pa dashje dylli nga veshi!