Home KRYESORE E njihni Midorin, po Barin, do pyeste profesori…

E njihni Midorin, po Barin, do pyeste profesori…

Nga Ina Kosturi

Në një periudhë të caktuar shqiptarët ju afruan këngës, pasioni për të i kaloi kufijtë e normales… Kur u ngopën me këngë dhe gazetaria e shkrimi humbën solemnitetin e fletës së letrës duke ju nënshtruar modernizimit virtual, shqiptarët ju sulën” letërsisë së skontuar “për suksesin e rradhës ! Tematika i kaloi limitet, ekspertë të të gjithë profesioneve përqafuan çdo debat, problematikë , nga historia tek muzika.

Liria e fjalës, komentit, mendimit i tundoi të gjithë. Mania e botimit të librave, edhe kjo modë e dikurshme u zëvendësua me statuse, artikuj, komente, që nuk kërkuan as investim, as shpenzime. Rrjetet sociale përfshinë gjithë pasionin, ku mund të demonstrohej talenti fshehur për letërsi dhe skena ku pasqyrohet suksesi i artistëve. Gazetarët e kulturës, ajo pak kritikë që mundohet të mbijetojë në mjedisn artistik të vështirë shqiptar u ngjesh nga ky amatorizëm statusesh, komentesh, kritikësh të vetëshpallur të artit, që i dhanë vetes fuqinë e komenteve plot patos, sharm, personalitet, ndonëse në jetë kishin dëgjuar a parë ca ose asnjë koncert të muzikës klasike e më gjerë. Pyetjes së vjetër se cili nga tre violinistët e njohur ishte më i talentuari, dilemë që i mundoi shumë vite në socializëm shqiptarët , nuk ju rikthyen më. U bënë ekspertë në gjykime, vlerësime, madje para tyre çdo profesionist , artist a muzikant hesht në pamundësi për ta fituar debatin . Në mendje më erdhi një këngë e fundit me tekst ironizues për ata që i dinë të gjitha me frazën “Ta them un “, ndërsa para kësaj armate që nuk ndalet, komuniteti i artistëve , shpupurisur nga inati ndaj njëri- tjetrit hesht mospërfillës. Pas këtij injorimi fshihet pamundësia për të përballuar mendimin, sigurinë e kësaj pjese që nuk ka lidhje me artin.

Mjedisi artistik me ketë klimë tejet të ftohtë, me përpjekje individësh për kritikë apo struktura të brishta të kritikës që me vështirësi pranohen dhe të ekzistojnë, që sulmohen padrejtësisht e anasjelltash, hera herës dhe të nisur nga këndvështrime personale, duket se favorizojnë fjalorin më të ri të kritikës në rrethet sociale. Fjalori gazetaresk, puna e atyre që ndjekin vërtet shfaqjet, koncertet, aktivitetet thuajse u humb nga kjo dyndje lavdie që artistët marrin nëpërmjet rrjeteve sociale. Lindi dhe fjalori specifik ku termat “dive”, “puc puc” , shkëlqen , llamburin, ndrit, yjet me cepa e shkëlqim pushtuan vend e pa vend artistët, ndërsa para morisë së profesionistëve të profesioneve të tjera u zbeh figura e gazetarit. Disa humbën statuseve të magjepsur nga suksesi i artistëve hera herës fallco, u harruan duke kërkuar pëlqime për vehten, duke harruar se divat e gazetarisë janë pikërisht ato. Duke parë njëri-tjetrin, shfaqje tejet komenciale e pa vlerë, madje të dobëta u trumbetuan si suksese të rralla nisur dhe nga pëlqimet në rrjetet sociale. Dhe kështu shkëlqimi i divave fallco u rreshtua pranë atyre të rralla e të vërteta , zemrat, shpirtërat u shkrinë në figurina të ngjyrosura, dashuri të shtirura.

Në nderin e Shqipërisë u rreshtuan krahas artistëve të vërtetë sa e sa të zakonshëm , aq të pikturar e stampuar, parfumosur me dashuri vituale sa hutuan madje vetë gazetrët, madje dhe agjensinë kryesore të lajmeve në vend ! Termat se për herë të parë ky artist bëri këtë, solli atë , mendoi atë , shpalosi atë tjetrën pushtuan faqet e të përditshmeve kulturore. Gazetaria kulturore sfilitur nga karakteri i vështirë i artistëve që po i preke fijen e flokut të shpallin armik për vdekje u gjend dhe përballë gazetarisë kulturore sociale e cila me zemrat, statuset, citatet, parrullat nuk i la në paqe gazetarët e kulturës. Ca prej tyre i hutoi shumë sa dhe ato vetë u përfshinë në valën madhshtore të lavdërimeve bombastike.

Parrullat lindën prapë, këtë herë stolisur me xhingla zbukurime, tashmë moderne duke përfshinë botën e artit. I gjithë populli artist u përfshi fuqishëm në këtë fushatë përcaktimesh. Divat shqiptare që po trondisin kritikën botërore, përcaktimet si nderi i Shqipërisë apo i kombit, ylli që shndrit gjithmonë , sukses i garantuar u shndërruan në dekorata imagjinare , sigurisht pas atyre që ndau me shumicë Presidenca në këto vite, dekorata pa përfitime në dukje , po gjithsesi me përfitime materiale në koncerte, projekte , zaptime skenash , shpesh në dëm të komunitetit të artit. Për këto medalje virtuale kontribuoi gjithnjë e më shume komuniteti larg artit, larg realitetit, mes shifrave , shiringave, hekurave, me profesione nga më të ndryshmet. Kompania e shoqeve , fisit , të njohurve e të panjohurve filloi tifozërinë për x ose y artist. Aktivitete vërtet me vlerë, artistë të kalibrit të lartë u klikuan pak , koncerte të mrekullueshme mbetën në mëshirën e pak pëlqimeve në vartësi të trendit të shoqërisë së personit.

Yjet , dritat, puthjet, xixat e freskoret e suksesit u ndezën , llamburitën, vetëtinë ndërsa heronjtë e vetëshpalluar me ndihmën popullsisë artdashëse kritikbërëse të rrjeteve sociale u kapardisën duke besuar në madhështi. U shpalosën poezi, tregime, koncerte, stonatura e gërvishtje e askush nuk guxoi të flasë, madje vetë gazetarët u bindën se po promovonin vlera të papara. Kjo valë madhështie nuk përfshiu asnjë nga komshinjtë, ndoshta pakëz vendet e lindjes, po asnjëherë aq sa rrjetet sociale shqiptare.

Përtej Shqipërisë , të suksesshmit shqiptarë, të vërtetët i dallon nga skenat, orkestrat, nga artkikujt që janë të rrallë, të vërtetë e të përmbajtur nga profesionistët. Shqipëria ndan pa kursim çertifikata suksesi artistik në faqe gazetash e rrjete sociale, ndërsa në vend të pazarit apo suvenirëve që blihen jashtë, nga Shqipëria mund të marrësh pa problem një artikull bombastik . Sigurisht krijimi i situatave llamburitëse kërkon dhe shumë përpjekje, nga përgjigjet me zemra, puc puce , malli që duhet të përfshijë statuset, shpirtrat , në një shfaqje ëngjëllore , në një maskë dashurie pa limite . Aktorët e kësaj kategorie janë dhe më të pëlqyerit nga kritika amatore sociale. Muzika klasike mbeti e pakuptuar, ndonëse komentet për të nuk rreshtën. Të lexuarit është padyshim një domosdoshmëri, po njerëzit e lexuar shpesh me kot pretendojnë se njohin dhe muzikën. E teksa kujtoja një video që bëri bujë me pyetjet , në mendje me erdhi një emër.

Pranë nesh, përtej detit , në qytetin e afërt që hera herës ne shqiptarët mendjemëdhenj e konsiderojmë si” jug “, në teatrin e njohur Petruzzeli interpretoi një violiniste e famshme japoneze , Goto Midori. E njihni Midorin , do pyeste qetësisht profesori, po Barin ?

 

Share: