Partia Demokratike, krahas reformës zgjedhore do të përpiqet që ndarjen territoriale ta përfshi në rendin e ditës të debatit politik.
Reforma e miratuar vetëm më votat e mazhorancës, sipas deputetes demokrate Jorida tabaku, ka deshtuar ndërsa sot shërben vetëm për hartë zgjedhore në favor të partisë socialiste.
Tabaku: Bashkitë u ndanë thjesht për llogari elektorale. Në qoftë se themi se reforma territoriale do të kursejë 80 mln dollarë, sot sipas Ministrisë së Financave, reforma territoriale shpenzon 60 mln dollarë më shumë se ç’shpenzonte para vitit 2014.
Reforma, thotë tabaku ka dështuar dhe në dhënien e shërbimeve për qytetarët. Territoret sipas saj janë të pa menaxhueshme dhe ndarja nuk është shoqëruar me decentralizim.
Tabaku: Nuk ofrojnë asnjë lloj shërbimi, nuk kanë asnjë buxhet, por paguajnë paga dhe kanë një nivel qeverisje që është i kotë.
Reforma është e cungët thotë Tabaku, ndërsa sipas saj dështimi ka detyruar qeverinë të mendojë për krijimin e disa rajoneve në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Tabaku: Po shumëzojnë me zero Kushtetutën dhe po krijojnë këto mekanizma që në fund të ditës do të luajnë funksionin e qarkut, do të mbledhin funksionet e Arsimit, Bujqësisë, etj pa e ndryshuar Kushtetutën. Së pari, është antikushtetuese dhe së dyti, nuk ka për të funksionuar. Që kjo reformë territoriale të kishte disa rezultate të pritshme, duhej që ne të kishim ndjekur një rrugë tjetër dhe të mos shihnim interesin elektoral.
Deputetja demokrate refuzon të flas për numër bashkish, por thotë se reforma e re duhet kalojë nëpërmjet një studimi të hollësishëm dhe të mos ndiqen kritere politike.