Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, tha të mërkurën në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara janë të përfshira në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të vazhdojnë të kryejnë pjesën e tyre të punës në këtë proces. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, ai ritheksoi se Serbia nuk mund të qëndrojë e ulur në dy karrige por duhet të bëjë të qartë zgjedhjet strategjike të saj. Duke folur për zhvillimet në Shqipëri, ai tha se individët nuk duhet të shënjestërohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Zeri i Amerikës: Zoti Yee, më lejoni t’ju pyes së pari, nëse mundem, cili është qëllimi i vizitës tuaj?
Hoyt Yee: Qëllimi i ardhjes sime në rajon ishte që të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, të takojë udhëheqësit e të dy qeverive, të takojë deputetët e parlamenteve, pjesëtarët e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e opozitës në të dyja vendet. Është pjesë e udhëtimeve normale për të qëndruar në rrjedhë me situatën në të dyja vendet dhe në rajon dhe pata rastin të flasë në forumin ekonomik në Beograd.
Zëri i Amerikës: Qeveria e brishtë e Kosovës përballet me sfida të mëdha për trajtimin e disa çështjeve të ndjeshme, duke përfshirë edhe shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kryeministri i ri Haradinaj ka kundërshtuar marrëveshjen në të kaluarën. A ka ndonjë mënyrë për të dalë nga kjo situatë pa miratimin e marrëveshjes në parlament?
Hoyt Yee: Së pari, dua të them se Kosova ka një numër mundësish të rëndësishme më të cilat përballet, e që mund të përmbushen vitin e ardhshëm, apo mbase edhe më herët. Një nga këto mundësi është marrëveshja e shënimit të kufirit që tashmë është nënshkruar më Malin e Zi. E di nga kolegët e Bashkimit Evropian se marrëveshja për kufirin, sapo të ratifikohet, do të zhbllokojë rrugën e Kosovës drejt udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian. Kjo, besojmë, është jashtëzakonisht e rëndësishme për njerëzit e Kosovës që t’u tregohet se janë pjesë e Evropës, nuk janë të izoluar, janë të mirëseardhur në Evropë dhe do t’u jap shumë shpresa, shumë kurajë atyre në qeveri dhe jashtë saj se puna që bëjnë, se reformat që bëjnë, vendimet e vështira që marrin, në fakt shpaguhen. Pra, ne e inkurajojmë qeverinë e Kosovës që të shfrytëzojë këtë mundësi, aty ku qeveria e fundit nuk ishte në gjendje ta shfrytëzojë dhe ta ratifikojë marrëveshjen në parlament dhe të përfitojë, me pëlqimin e Bashkimit Evropian, nga udhëtimi pa viza. Ne besojmë se është e mundur. E kuptojmë që marrëveshjet si kjo, çështjet që përfshijnë kufijtë, marrëdhëniet me fqinjët, janë nganjëherë të ndërlikuara. Por, ajo që mendojmë se është e domosdoshme, është që publiku të kuptojë se çfarë do të arrijnë, përfitimet për të në jetën e përditshme duke ratifikuar marrëveshjen dhe pastaj udhëtimin pa viza. Është po ashtu me rëndësi për udhëheqësit e këtij vendi që të marrin përgjegjësinë, të dëshmojnë udhëheqësinë e nevojshme, të sigurojnë shumicën e domosdoshme në parlament për të ratifikuar marrëveshjen. Pra, kombinimi i vetëdijes së publikut, që është natyrisht përgjegjësi e udhëheqësve, por po ashtu edhe medies, politikanëve, anëtarëve të parlamentit, që të sigurohen se publiku e kupton se për çfarë flitet dhe pastaj që udhëheqësit të marrin përgjegjësinë si përfaqësues të zgjedhur të popullit.
Zëri i Amerikës: Zoti Yee, Kosova ka hyrë në një fazë të re në negociatat e saj me Serbinë dhe udhëheqësit e Kosovës kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të luajë një rol më të madh. Deri tani, BE-ja ka marrë rolin udhëheqës. A presim ndonjë ndryshim? A do të jetë më e angazhuar SHBA në dialog?
Hoyt Yee: Pikë së pari, jemi të nderuar të jemi partnerë të Kosovës, Serbisë dhe vendeve tjera në këtë rajon. Besojmë se është në interesin e përbashkët, vendeve në rajon dhe Shteteve të Bashkuara. Është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara që Evropa është në paqe, e qëndrueshme e përparimtare. Kur Evropa është e tillë, Shtetet e Bashkuara janë po ashtu. Pra fatet tona janë të lidhura. Siguria jonë është e lidhur. Ekonomitë tona janë të lidhura në shumë mënyra. Prandaj, e ndjejmë se është më rëndësi për ne që të marrim pjesë, të ndihmojmë në punët në Evropë, përfshirë Ballkanin Perëndimorë. Jam i lumtur të them se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimorë që të trajtojnë çështjet me të cilat përballen, që të arrijnë më shumë përparim në integrimet në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, përshirë Bashkimin Evropian, për ato vende që duan të bashkohen me NATO-n dhe mund të bashkohen me NATO-, duam t’u ndihmojmë që ta përmbushin këtë synim. Ne tashmë e luajmë një rol të drejtpërdrejtë në shumë nisma në Evropë. Nuk janë gjithmonë të ditura sepse, sipas natyrës së diplomacisë, nuk është gjithmonë e reklamuar, por ne kemi rol mjaftueshëm të vendosur në bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me pëlqimin e Bashkimit Evropian, që natyrisht e drejton dialogun. Ne kemi qenë aty nga fillimi. Synimi ynë është që të mbetemi për aq sa Bashkimi Evropian dëshiron të jemi dhe tash për tash ai e dëshiron një gjë të tillë. Dhe për aq kohë sa të dyja palët, Serbia dhe Kosova duan që ne të marrim pjesë. Ne do ta bëjmë pjesën tonë. Ne mendojmë se është partneritet ndërmjet Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Kosovës dhe Serbisë. Përgjegjësia është tek të gjitha palët dhe në do të përmbushim detyrimet tona.
Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara i kërkuan Kosovës që të përmbahet nga krijimi i ushtrisë së saj pa i bërë më parë ndryshimet kushtetuese. Kritikët thonë se ndërsa Serbia po armatoset nga Rusia, Kosova në thelb, thuhet se nuk mund të krijojë një ushtri, duhet të prisni miratimin e Beogradit. Si i përgjigjeni kësaj kritike?
Hoyt Yee: Kur e shikoni pasqyrën e përgjithshme për sigurinë e Kosovës, ajo nga pikëpamja jonë, ka një përkushtim nga bashkësia ndërkombëtare, nga NATO-ja dhe vendet partnere të NATO-s, që të ndihmojnë për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë këtu në Kosovë. Ne e kemi forcën paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja, KFOR-in, që është këtu për shumë vjet dhe synon të mbetet derisa të mos jetë më e nevojshme, që shpresojmë të ndodhë me herët sesa më vonë. Sigurisht ka pasur përparim dhe prania e KFOR-it është shkurtuar, por ende ka nevojë për të. Mesazhi i parë që dua të jap, është se bashkësia ndërkombëtare është qartazi e përkushtuar ndaj sigurisë së Kosovës. Kosova nuk është në rrezik që të pushtohet apo sulmohet nga ndonjë vend tjetër. Kosova nuk është e kërcënuar nga ndonjë rrezik i madh që kërcënon sigurinë kombëtare. Si mesazh i dytë, dua të them se ne e mbështesim të drejtën e Kosovës që të ketë një ushtri. Çdo vend sovran që ka përgjegjësi për sigurinë kombëtare, për mbrojtjen e kufijve, për pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare të kërkim shpëtimit apo nismave tjera, duhet të ketë një formë të ushtrisë apo forcës së armatosur. Por, besimi ynë i fuqishëm dhe mesazhi ynë për qeverinë e Kosovës për një kohë, është se ka një proces për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri. Një proces, që jemi pajtuar me qeverinë, që përfshinë miratimin e ndryshimeve kushtetuese, për ta bërë të qartë se institucionalisht, ligjërisht, ky transformim është bërë në atë mënyrë që të jetë tërësisht transparent, se ka mbështetjen e të gjitha palëve dhe ne mendojmë e besojmë se qeveria e Kosovës pajtohet me këtë, se palët përfshijnë të gjitha partitë politike në Kosovë, përfshirë edhe partitë e pakicës serbe. Rruga më e pastër dhe më e përshtatshme që ligjërisht të transformohet Forca e Sigurisë në ushtri, është nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, që krejt bota, partnerët dhe gjithë miqtë e Kosovës, të shohin dhe madje të trimërojnë të gjitha palët që kanë interes për sigurinë në Kosovë, të marrin pjesë, mund të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të debatojnë në parlament. Dhe me miratimin e ndryshimeve, do të ishte rruga më e mirë për të siguruar legalitetin e procesit të transformimit. Pra, të themi se mbështesim ushtrinë, transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri, nuk do të thotë që mendojmë se duhet të ndodhë arbitrarisht, pa hapat e duhur përpara. Ne besojmë se duhet të ketë ndryshime kushtetuese. Por, njëkohësisht, nuk besojmë se duhet të ketë një formë të “vetos” nga një palë e tretë, nga një vend i tretë apo nga cilado palë. Duhet të kuptohet se pikëpamja jonë është që nëse qeveria bën gjithçka që është e mundur për të bindur të gjitha palët se duhet të mbështesin këtë transformim dhe nëse pas përpjekjeve qëllimmira e të qëndrueshme nuk është e mundur, atëherë mundësitë tjera përtej ndryshimeve kushtetuese duhet të shqyrtohen. Por, nuk kemi arritur ende atje, sepse ne besojmë që qeveria duhet të bëjë gjithçka që është e domsdoshme që të dëshmojë se ka punuar me të gjitha palët përfshirë edhe pakicën serbe, për t’i bindur se është edhe në interesin e tyre, se është në interesin e gjithë vendit dhe të gjitha palëve që të ndodhë ky transformim.
Zëri i Amerikës: Zoti Yee, Gjykata e Posaçme për Krimet e Luftës në Kosovë, tashmë është krijuar. Çfarë po ndodh me të? A presim akuza këtë vit?
Hoyt Yee: Ne jemi fuqimisht mbështetës për integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar dhe përmbylljen e kapitujve të së kaluarës së Kosovës që mbeten ende të hapur. Besojmë se “dhomat e posaçme”, janë rruga për mbylljen e këtij kapitulli, këtij kapitulli të dhimbshëm të së kaluarës së Kosovës. Është absolutisht e domosdoshme dhe ne i përshëndesim ata udhëheqës të Kosovës që qenë në gjendje të ngritin nëpërmjet ligjit dhe ndryshimeve kushtetuese këto “dhoma të posaçme”. Ne mbështesim fuqishëm rolin e tyre. Ne dhe BE-ja, posaçërisht BE-ja, ofrojmë burime për të ndihmuar punën e tyre. Ne vazhdojmë t’i mbështesim. Nuk i takon Amerikës, apo cilësdo qeveri evropiane të marrin vendime se a do të ketë akuza këtë vit, apo vitin tjetër apo nëse do të ketë ndonjë akuzë. Ajo është punë e prokurorëve në dhomat e posaçme, për drejtësinë që të marrin ato vendime. Ajo që mund të them është se besojmë që është me rëndësi për të gjithë udhëheqësit në Kosovë që të vazhdojnë të mbështesin institucionin dhe funksionimin e tij, që të ketë mjedisin e nevojshëm për punë, që të ketë mbështetjen e nevojshme politike, që të gjithë qytetarët e Kosovës të kuptojnë se kjo është diçka që të gjithë brenda dhe jashtë Kosovës duan që të ketë sukses dhe të përmbyllet sa më parë.
Zëri i Amerikës: Para se të vinit në Prishtinë, keni qenë në Beograd ku keni deklaruar se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige, veçanërisht nëse ato karrige janë shumë larg. A është kjo një shenjë e ndryshimit në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara? A do të ushtrojnë më shumë trysni mbi Serbinë në të ardhmen për të” zgjedhur anët “?
Hoyt Yee: Ajo që kam thënë, me serbishten time jo të përsosur, duke cituar një proverb të vjetër serb, se nuk mund të ulesh njëkohësisht në dy karrige. Është e mundur të ulesh në dy karrige, por ta bësh një gjë të tillë njëkohësisht, është shumë e vështirë.
Çështja është se për një vend siç është Serbia, ose për cilindo vend tjetër që synon t’i bashkohet Bashkimit Evropian, NATO-s, është me rëndësi që ai vend të jetë plotësisht i përkushtuar ndaj atij synimi. Jo përkushtim vetëm me fjalë, por me vepra, duke investuar burime të ndryshme, duke investuar kohë. Edhe Kosova ka vendime të ngjashme për të bërë. A është Kosova 100 për qind e përkushtuar që të normalizojë raportet me Serbinë, a është 100 për qind e përkushtuar t’i bashkohet BE-së? Të gjitha qeveritë përballen me këto zgjedhje.
Mesazhi im për Serbinë ishte që nëse është duke punuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, atëherë duhet të përqendrohet në reformat e nevojshme, në mënyrë që ta arrijë integrimin në BE. Është shumë e vështirë, gjykuar nga proceset nëpër të cilat kanë kaluar vendet tjera të cilat kanë arritur ta bëjnë një hap të tillë, siç është Kroacia ose Sllovenia. Është një proces shumë i vështirë, i shtrenjtë politikisht, hapa të shtrenjtë që duhet të ndërmerren. Dhe nëse ka vende, ose palë, ose organizata që kundërshtojnë një hap të tillë, nëse ka vende që kanë një vizion ndryshe për Serbinë mbi anëtarësimin e saj në BE, atëherë është e rëndësishme që të mos ketë lidhje të fuqishme me ato vende.
Është me rëndësi që të mos ketë përpjekje për të kënaqur të dyja palët, sepse për pasojë do të ketë konfuzion në opinion se në ç’drejtim po shkon vendi, ngadalëson procesin. Prandaj, nëse përpiqesh të ulesh në dy karrige dhe të kënaqësh njërin vend që kundërshton anëtarësimin, kurse vendet tjera janë në favor të tij, do të jetë një qasje jo edhe aq e frytshme. Pra, ne nuk i kundërshtojmë lidhjet që Rusia ka me Serbinë, natyrisht që Rusia do të ketë gjithmonë lidhje me Serbinë. Të dyja vendet kanë lidhje historike, kulturore, fetare, ekonomike.
Nuk jemi kundër kësaj. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë lidhje me Rusinë, lidhje tregtare, kemi bashkëpunim politik. Pikëpamja jonë është se aty ku interesat tona janë të ngjashme me ato të Rusisë, ne do të bashkëpunojmë me Rusinë, si për shembull lufta kundër terrorizmit, mbase në Siri, dhe janë edhe fusha të tjera bashkëpunimi. Ne duam gjithashtu që Serbia të jetë në gjendje të bashkëpunojë me Rusinë, aty ku interesat janë të njejta. Por, ne gjithashtu besojmë se aty ku interesat tona ndahen, aty ku ne synojmë të bëjmë në fakt gjëra të ndryshme mes vete, aty ku vizionet tona dallojnë shumë, atëherë ne, Shtetet e Bashkuara, duhet të mbrojmë interesat, vlerat dhe parimet tona dhe të atyre që janë aleatët tanë.
Është në fakt zgjedhje e Serbisë, Serbia është shtet sovran dhe vendimet i merr vetë, por rekomandimi ynë për Serbinë, sikurse ai për Kosovën, është që të dyja vendet ta bëjnë shumë të qartë se cilat janë përparësitë e tyre, ta bëjnë shumë të qartë se cilat janë politikat e tyre, në mënyrë që ato institucione të cilave këto dy vende synojnë t’u bashkohen, qoftë NATO-ja apo BE-ja, të kuptojnë zgjedhjet strategjike të Serbisë, apo edhe të Kosovës. Nuk duhet të ketë dilema, konfuzion dhe kjo është mënyra më e shpejtë. Mund të ulesh në dy karrige dhe të arrish në destinacion, por me siguri se do të jetë një rrugë më e ngathtë.
Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, një ish ministër i brendshëm, akuzohet për lidhje me një grup trafiku droge. Cila është pikëpamja juaj për mënyrën se si po trajtohet çështja e tij?
Hoyt Brian Yee: Më lejoni të them për Shqipërinë, se jemi shumë të kënaqur me përparimin që Shqipëria ka arritur dhe jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reformat, përfshirë këtu edhe reformat në drejtësi. Bashkërisht me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë të miratojë legjislacionin, të miratojë ndryshimet kushtetuese, me synimin që të forcojë sistemin e drejtësisë.
Dhe kjo për faktin se një gjë e tillë nuk është e rëndësishme vetëm për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj, por edhe për faktin se [reformat] janë një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe pikërisht në këtë frymë, ne kemi vazhduar të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit…Të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Së këndejmi, jemi duke ofruar drejtpërdrejtë ndihmën tonë, ekspertizën teknike, ndihmën financiare, në ndërtimin e strukturave, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për t’u ndihmuar që të kryejnë punën e tyre. Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime.
I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që ka dhënë shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.