Kryetari i Demokracisë së re, partisë më të madhe opozitare greke, Kyriakos Mitsotakis, ka kërkuar që Brukseli të marrë në konsideratë zhvillimet në Himarë, gjatë shqyrtimit të ecurisë së Shqipërisë në procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Shefi i opozitës greke i cilëson ngjarjet e të martës në Himarë si “një kulmim të përpjekjeve të autoriteteve shqiptare për të shkelur të drejtat e minoritetit etnik grek”.
Sipas tij, “këto përpjekje ndihmohen edhe nga fakti që zonat minoritare përjashtojnë minoritetin etnik grek të Himarës dhe rajoneve të tjera, pavarësisht se ata përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë në këto zona”.
Mitsotakis vë në dukje se qëndrimi sipas tij anti produktiv, i autoriteteve shqiptare, “përbën burim shqetësimesh të tjera, pasi shpesh shoqërohet me një retorikë nacionaliste nga ana e qeverisë shqiptare, gjë që influencon në marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë”.
Shefi i opozitës greke e mbyll letrën e tij me shpresën se “këto shqetësime serioze do të merren parasysh në mënyrën e duhur, gjatë vlerësimit të ecurisë së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian”.