Një vit pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë për kanabisin, Partia Demokratike zyrtarizoi kërkesën për deklasifikimin e mbledhjes dhe publikimin e të dhënave të raportuara në këtë mbledhje. Policia, Ministria e Brendshme, por dhe vetë qeveria tashmë kanë pranuar problematikën me kanabisin, kryesisht përgjatë vitit 2016, por PD insiston për publikimin e të dhënave që janë raportuar në këtë mbledhje.
Mbledhja u zhvillua më 11 nëntor të vitit të shkuar me kërkesë të ish-Presidentit të Republikës dhe mbështetjen e ish-kreut të LSI, aktualisht President i Republikës, Ilir Meta. Në kulmin e debatit për këtë çështje, Mapo shkruan se ka mundur të zbardhi disa nga debatet me tone të larta në këtë mbledhje. Të pranishëm kanë qenë drejtuesit e institucioneve kryesore, kreu i opozitës dhe mbledhja drejtohej nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Kulmi i debateve në mbledhje ka ardhur pas raportimit të ish-kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika i cili ka lexuar për të pranishmit të dhëna të sakta sipas tij mbi implikimin e zyrtarëve të policisë në kultivimin e kanabisit. Po ashtu kreu i SHISH, ka treguar për sipërfaqet e kanabisit të kultivuar në mbarë vendin dhe për këtë situatë ka bërë përgjegjëse Policinë e Shtetit. Sipas të dhënave mësohet se SHISH ka qenë institucioni i vetëm që ka referuar në prokurori të dhëna për implikimin e drejtuesve të lartë të policisë në kultivimin dhe mbrojtjen e parcelave të kanabisit.
Pikërisht ky moment ka sjellë reagimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri tashmë nën hetim për trafikim kanabisi në formën e grupit të strukturuar kriminal, i cili i është drejtuar ish-kreut të SHISH me fjalët: Ju po luani lojë politike. “Për gjithçka thatë në këtë mbledhje nuk keni sjellë asnjë informacion në Ministrinë e Brendshme”, mësohet t’i jetë drejtuar Tahiri ish-kreut të SHISH. Menjëherë i është përgjigjur Ajazi i cili duke ju drejtuar Tahirit ka thënë: Nuk mund të sjellë informacione në Ministrinë e Brendshme, pasi zyrtarë të ndryshëm të ministrisë tuaj mund të dekonspirojnë informacionin. Ish-ministri i Brendshëm ka reaguar sërish por me tone të larta, duke bërë që Presidenti i Republikës të ndërhyjë për të qetësuar situatën.
Por ky moment nuk e ka qetësuar aspak situatën, pasi ish-ministri i Brendshëm, sërish me tone të larta i është drejtuar Presidentit të Republikës me fjalët: Ju po luani lojën e Sali Berishës. Situata që paraqiti kreu i SHISH, nuk është aspak e tillë. Por Presidenti i ka kërkuar sërish të qetësohet, ndërsa në debat ka ndërhyrë dhe ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila i është kundërvënë Presidentit të Republikës.
Aktualisht ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si i dyshuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh në bashkëpunim me grupin e Habilajve. Ndërsa ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli është akuzuar publikisht nga opozita për fikjen e radarëve që monitorojnë detin në rastet e trafikut në narkotikëve. Të dyja këto çështje po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë./lapsi.al