Në kulmin e debateve për cështjen Tahiri dhe zhvillimet e ditëve të fundit që janë pasuar me heshtjen e ish – Ministrit dhe të kryeministrit, duket se mazhoranca ka nisur të përqëndrohet tek emri pasues i Prokurorit të Përgjithshëm, mandati i të cilit përfundon pas pak javësh.
Në mënyrë të përsëritur, deputetë të mazhorancës kanë artikuluar se nuk do të tolerojnë asnjë vonesë për zëvendësimin e Adriatik Llallës, ndonëse Këshilli i Lartë i Prokurorisë që me reformën zgjedhore është organi që zgjedh prokurorin e ri, nuk është ngritur ende.
Duke shfrytëzuar dispozitat kalimtare, mazhoranca po përgatitet të zgjedhë në këtë detyrë një nga të preferuarit e saj, edhe pse çështja e votimit në parlament të prokurorit të ri ka vend për interpretim nëse kërkon shumicë të thjeshtë apo 3/5 e votave, shkruan Opinion.al.
Gjithsesi, edhe në një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga elementët e rinj të dosjes Tahiri, emrat e kandidatëve tashmë kanë nisur të qarkullojnë në ambjente të afërta me socialistët. Emri i parë i përfolur është ai i zv.drejtuesit të krimeve të rënda Henrik Ligori.
Bashkëshorti i ish- deputetes socialiste Shega Ligori u përfol si një nga kandidatët e mundshëm ndërsa lidhjet e tij me Fatmir Xhafën janë të njohura dhe ndoshta shkaku kryesor i kandidimit të tij, për sa kohë në CV e tij nuk ka ndonjë cështje të bujshme apo të rëndësishme që ta bëjë të njohur për publikun. Edhe emri tjetër që u përmend dje, ai i Ferdinand Elezit, kryetari te prokurorise se Apelit në Durrës është thuajse i panjohur përvec faktit se ka qenë drejtues i komisariatit të Sarandës në vitin e vështirë 97.
Krejt ndryshe, shkruan Opinion.al emrat që qarkullojnë sot janë më të njohur për publikun. Adnan Xholi, drejtor i drejtorisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme është emër i njohur edhe për faktin se ai ka patur në dorë dosjen e akuzave të Shkëlzen Berishës ndaj Taulant Ballës. Çështja që mori vëmendjen e medias për shkak të zhvillimeve politike u mbyll me vendimin e gjykatës që e shpallte fajtor kryetarin e grupit parlamentar të PS. Emri tjetër që ndoshta mund të jetë në listën e kandidaturave që do të zëvendësojnë Llallën është ai i Elisabeta Ymerajt, prokurores që ka në dorë dosjen e shumëpërfolur të Saimir Tahirit. Ymeraj tërhoqi vëmendjen e publikut me debatet e saj në komisionin parlamentar ku diskutohej heqja e imunitetit për ish- ministrin ndërsa ka punuar dhe për cështje të tjera të rëndësishme ai ajo e imamëve të dënuar për terrorizëm apo dosjen Shullazi. Një zgjedhje e saj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme do të ishte ndoshta një goditje për dosjen në shqyrtim, një nga cështjet më të rëndësishme të kohëve të fundit. Edhe pse mund të konsiderohej si promovim për një brez të ri prokurorësh.
Megjithatë emrat e mësipërm jo domosdoshmërisht mund të jenë pjesë e listës që do të shkojë për votim në kuvend. Nxitimi për të gjetur një kandidaturë nga shumë analistë shihet si mënyrë që mazhoranca të marë në kontroll dhe institucionin e akuzës. Reforma në drejtësi, aq e trumbetuar nga Edi Rama gjatë dy viteve të fundit ka ende boshllëqe të paplotësuara në hallka kryesore të saj. Gjë që pritet të çojë në artifica dhe interpretime që mund ta fusin në ngërc procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Proces për të cilin duket se dhe opozita nuk do të bëjë lëshime. / Opinion.al