Nga Kreta, ku që prej së premtes po negocion me homologun helen për zgjidhjen e kontesteve shqiptaro-greke, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka deklaruar se bisedimet janë në rrugën e duhur.
“Kjo është një dosje jo e lehtë. Është rreth 70 e ca vjeçare e për pasojë kërkon kohën e vetë dhe instrumentat e duhur për një zgjidhje sipas frymës europiane dhe së drejtës ndërkombëtare”, ka deklaruar Bushati.
Shefi i diplomacisë ka nënvizuar se, pala shqiptare është paraqitur në këtë takim me një paketë, “ku çështjet janë vendosur sipas një tematike kohore dhe logjike”.
Por, “përsa kohë do vijojmë këtë proces diskutimi intensiv me palën greke do të më pëlqente të isha i rezervuar dhe i matur në deklarata”, ka shtuar Bushati.