Nga Odise Plaku, Shkrimtar
Vështrim poetik për vëllimin “ Kronika e erës” të autores Suzana Malaj.
Arti i fjalës është i pafundmë dhe secili artist e përthyen realitetin sipas këndvështrimit e botës së vet. Poeti poezinë e shkruan se e ka nevojë të brendshme për ta nxjerrë jashtë vetes, për të lehtësuar veten e për të ndier kënaqësi nga lindja e krijesës së vet prej fjale. Autorja, Suzana Malaj është një person nga ata që quhen tashmë të shqetësuarit e kohës sonë brenda e jashtë vendit. Ka njohuritë e duhura filozofike e të adresuara saktësisht sidomos për personalitet që iu referohet.
Këto janë cilësi esenciale të poezive të saj meditative- filozofike, përveç tematikës së gjerë e figurave aludive të veçanta, teknikës stilistike të mbështetur mbi monologë e dialogë me të cilat ndërton ligjërimet e saj poetike e i drejtohet shpesh marrësit në vetën e dytë- ti, ku veta në njëjës përfaqëson një tipizim, dukuri mbi të cilin ndalet për të përcjellë mesazhin e filozofinë e saj të të kuptuarit të botës e të të jetuarit të jetës. Ka një stil të shkruari tërësisht origjinal dhe veçanërisht tërheqës.
Shpesh poezia e Suzanës shfaqet diskrete, me gjuhë të sofistikuar e gjithashtu me nëntekste të shumta. Ka një natyrshmëri në perceptim e ligjërim që shtjellohet nga vargu i parë në atë të fundit në një unitet formal e përmbajtjesor të admirueshëm. Në qendër të poezisë ka gjithnjë një fabul, një gjendje, një pikënisje, diçka që intrigon dhe prek shqisat e mendjen. Kjo është një veçori që e bën poezinë e saj ta lexosh e rilexosh e të emocionohesh vetvetiu pasi emocioni rri i fshehur e i strukur në fjalë e tinguj të harmonizuar ku organizimi ritmik e tingullor krijon efekte të forta.
Simboli, metafora e alegoria janë të preferuarat e saj dhe do të flasë me gjuhën e tyre, duke lënë vend për interpretime vetjake që i lihet lexuesit ta bëjë, përmes ballafaqimit të perceptimit të vet me përvojën e perceptimin e autores. Ka shprehje që të mbeten në mendje a thua janë idioma apo thënie proverbiale që e bëjnë poezinë e saj të këndshme për tu lexuar e dëgjuar. Për hir të së vërtetës ka poezi që janë në kërkim të lexuesit elitar. Duket sikur poezitë e Suzanës, të përziera me emocionet e prodhuara nga përjetimet e brendshme, për esencë dhe erëz kanë mendimin…
Stili është retorik dhe duket se Suzana zotëron artin e te ndikuarit përmes fjalës. Dhe fjala duket se ka fjetur gjatë me autoren për t’ú zgjuar fuqishëm e për të trokitur tek lexuesit si trokitja e një rrebeshi. Në ligjërimin poetik të autores rroken çështje që kanë të bëjnë me gjuhën,kombin,mitet: “Gjumi hipnotik i një populli” e trajton zgjimin e vlerave kombëtare nën një vështrim krejt unik.
Ajo u drejtohet teknikave frojdiane, hipnozës për të shëruar plagët e pakuptueshme të inferioritetit të kësaj race te lashtë e bujare. Ndërton kronikën e erës për të folur me fjalë ere e për të përcjellë nëntekste të fuqishme që nuk janë fjalë ere…Sjell figurën autentike të lisit duke kërkuar rrënjët e lashta të gjuhës pellazge. Vazhdon udhëtimin me muzën e vet dhe shkon larg në fisin e vjetër indian të Resë së Kuqe për të ballafaquar primitiven me qytetërimin ndërkohë që këto të fundit ndërrojnë vendet…
E bën mëkatin të ecë mbi një fill të hollë litari për ta bërë shpirtin njerëzor të sprovojë veten duke kuptuar një ekzistencë që është mirë të shkojë drejt shpirtërores pa u përbaltur me tokësoren fizike e materiale. Përçon gati një dramë njerëzore që shtjellohet tek “bipolaritet” e në fund befason me këndvështrimin. Një satirë të magjishme do e quaja unë poezinë me të njëjtin titull, në të cilën ballafaqohet njeriu me botën nën një vështrim ekzistencialist në të cilin jeta përcillet në metaforën e kupës me helm që gjithsesi shijon…
I referohet Sokratit të botës antike për të sjellë hijen e dyshimit që shoqëron njeriun bashkëkohor dhe tretet në dilemat e tij përmes një gjuhe që intrigon. Duhet theksuar se poezitë në dukje pesimiste ruajnë në nëntekst një frymë optimiste që asnjëherë nuk e humbet kuptimin. Ndërton paralelizma e kontraste të forta dhe emocion po aq fort me tablo e gjendje që i vizaton me fjalë, shpesh me tonet e errëta të grisë që çelet përmes domethënies e mesazhit të rëndësishëm e transparent.
Figura e zogut me krahë të thyer që rrëshqet piramidës është një figurë stilistike e veçantë teksa dhe vetë piramida përfaqëson ndoshta hierarkinë shoqërore dhe hierarkinë e vlerave që jo gjithnjë shkojnë krah për krah. Dallohet për mesazhet universale ku metrat katrorë bëhen hapësira dhe përshëndetjet e humanëve-alarme me kode mirësjelljeje. Ndalet tek sytë njerëzorë e sheh në misterin e tyre ndërtimin e shkatërrimin…
E trajton mitin në aktualitet për të zbërthyer poetikisht mitet e sotme të gjalla… Gjendja dilematike shoqërohet me asociacione abstrakte siç është kufizimi njerëzor në botën -ide të pafundme. Ballafaqon dritën me hijen e mbërrin në funeralin e Hamletit të ri, në habitate artificiale të zhbëra nga mungesa e vlerave të qëndrueshme… Unë do e quaja një vëllim poetik që duhet lexuar në mënyrë aktive siç duhet të jetë leximi i vërtetë që mbetet. Suksese Suzana! Odise Plaku Shkrimtar