Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot ‘arrest me burg’ për Sami Metushin, 50-vjeç, i cili vrau me thikë bashkëshorten vetëm se nuk i kishte përgatitur mëngjesin dhe rrobat për të dalë. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në fshatin Karpen të Kavajës.
Metushi u pa të përlotet dhe të shfaqë shenja pendese gjatë zhvillimit të seancës.
Ai deklaroi në sallë se ditën e ngjarjes iu errën sytë, pa qenë i vetëdijshëm se çfarë kishte bërë. 50-vjeçari tha se prej 4 vitesh kishte grindje me bashkëshorten.
Të enjten në mëngjes, babai i 5 fëmijëve, kishte dalë për t’u kujdesur për gjelat e detit që po i rriste për t’i shitur për Vitin e Ri dhe më pas kishte shkuar tek sera pranë shtëpisë.
Kur është kthyer në banesë, i ka kërkuar bashkëshortes mëngjesin dhe rrobat, por kjo e fundit i kishte thënë se asgjë nuk ishte gati sepse nuk kishte pasur kohë.
Kaq ka mjaftuar që ata të dy të kalonin në fyerje ndaj njëri-tjetrit dhe më pas në përleshje fizike. Në gjaknxehtësi e sipër, burri ka marrë thikën e kuzhinës dhe e ka qëlluar për vdekjen 48-vjeçaren.
Pasi krimit makabër, të ndodhur brenda në banesë Samiu ka tentuar që të arratiset, por policia ka mbërritur në kohë, ku bëri të mundur arrestimin në flagrancë të tij.