Instituti i Gjeoshkencave, Energjise, Ujit dhe Mjedisit njofton se përgjatë datave 30.11.2017 dhe 1 e 2.12.2017 priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin, por edhe jashtë kufijve shtetërore në basenin e lumit Vjosa.
Reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë.
Nga llogaritjet e fundit këto reshje mund të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në disa nga qytetet kryesore ( Lezhë,Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër).
Shenjat e alarmit për përmbytje urbane ose nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël janë vendosur në tabelë.
Qarqet më të rrezikuara janë Fier dhe Vlorë.
Ka mundësi për përmbytje në basenin e lumit Vjosa. Gjithashtu edhe basenet Seman dhe Shkumbin mund të kenë përmbytje përgjatë fundit të ditës së premte, datë 1 Dhjetor 2017).
Nga llogaritjet hidrologjike rezulton se, me parashikimin e sasisë së këtyre reshjeve, në pjesët fushore të këtyre lumenjve ka mundësi përmbytje me prurje shumë të larta.
Efektet e rëndësishme të përmbytjeve në pjesët fushore të qarqeve Vlorë dhe Fier do të ndodhin në pjesën e parë të ditës së shtunë, datë 2 Dhjetor 2017.
Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve në qarqet Fier dhe Vlorë, përmbytjet mund të ndodhin përgjatë ditës së premte datë 1 Dhjetor 2017.
Shenjat e alarmit për përmbytje nga lumenjtë e mesëm dhe të mëdhenj janë vendosur në tabelë.
Në qarqet e vendit është vendosur shenja e rrëshqitjeve të tokës për shkak të intensitetit shumë të lartë të reshjeve dhe vërshimeve nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël.
Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve më të fundit dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve. /360grade.al