Një efektiv policie është dhunuar nga një drejtues automjeti i cili u ndëshkua me gjobë për një kundravajtje administrative. Ngjarja është regjistruar në hyrje të qytetit të Lezhës rreth orës 12:00.
Efektivi i policisë rrugore të Lezhës me iniciale N.N ka ndaluar për shkelje të rregullave të qarkullimit një automjet tip mercedez brenda të cilit ndodheshin 4 persona, të cilët kanë kundërshtuar gjobën e policit. Sipas burimeve në vendngjarje, drejtuesi i mjetit është përplasur edhe fizikisht me efektivin e policisë, i cili ka thirrur menjëherë forcat e rendit për mbështetje.
Këta të fundit kanë mbërritur menjëherë duke bërë shoqërimin e 4 personave që ndodheshin në automjetin tip mercedez, ndërsa bëhet e ditur se vetëm drejtuesi i mjetit është ndaluar për këtë ngjarje.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen, ndërsa ka marrë në pyetje edhe disa persona që ndodheshin në vendin ku ndodhi edhe dhuna ndaj efektivit të policisë./Publik.al