Vendimi i Presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit pas kërkesës së kryeministrit Benjanim Netanyahu drejtuar të gjitha selive qeveritare në botë ka ndezur edhe rinjëherë pragun e një vatre konflikti që edhe pa këtë vendim mbetej e pashuar në një rajon të nxehtë ku feja dhe politika përveç identitetit tridimensional historik dhe fetar që ofron Jeruzalemi, ka shkaktuar edhe një farë amullie në qëndrimet që qeveritë botërore duhet të mbajnë ndaj Izraelit dhe Palestinës.
Bashkimi Evropian e ka thënë fjalën e vet kundër vendimit të Trumpit edhe pse Izraeli ka nisur një axhendë të gjatë vizitash me qëllim bindjen e qeverive që kundërshtojnë vendimin. Dhe kjo është fare e kuptueshme përse Bashkimi Evropian nuk i jep shkas një loje të tillë, sepse Evropa e sotme e krishterë dhe shumë multifetare nuk mund të sillet si Evropa e Kryqëzatave të Romës Katolike për të rimarrë Jeruzalemin dhe Tokën e Shenjtë. Evropa sot ka boll probleme me terrorizmin dhe do të ishte një gabim fatal për diplomacinë e saj ti jepte viston një vendimi për më tepër të njëanshëm të izraelitëve. Një vendim në favor të Izraelit nga Bashkimi Evropian, për botën arabe e cila i ka dalë kundër vendimi, do të ishte për ta fillimi i një kryqëzate të 9-të në radhë, por tashmë jo me invadime territoriale por me fuqinë e diplomacisë së më të mëdhenjve.
Në këtë kontekst si një vend mirëfilltazi evropian nuk ka se si qëndrojë mënjanë këtyre shqetësimeve që po kalon politka botërore edhe Shqipëria. Deri më tani diplomacia shqiptare ka qëndruar në heshtje për të mos thënë në pritje. Shumë diplomatë me të drejtë në bisedë e sipër e cilësojnë Jeruzalemin si një thikë me dy presa sidomos për Shqipërinë që në një farë mënyre është vetë një Jeruzalem i Evropës për nga përbërja fetare. Por jo vetëm kaq por si një vend i vogël diplomacia shqiptare ka tentuar gjithmonë të luajë një politikë luajale. Mjafton të kujtojmë faktin që Shqipëria është anëtarësuar në Konferencën e Vendeve Islamike. Por po kështu ka marrëdhënie shumë të mira me Izraelin.
Ndërkohë që ka abstenuar që Palestina të njihet nga Kombet e Bashkuara duke mbajtur një qëndrim përjashtues, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit që ishin kundër njohjes së Palestinës në OKB. Por në krahun tjetër Shqipëria dhe shqiptarët presin nga Izraeli njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Një shpërblim që shqiptarët e presin prej 75 vitesh nga izraelitët për ndihmën që ata u dhënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i strehuar dhe mos i dorëzuar te nazistët gjermanë që kishin pushtuar Shqipërinë.
Këtu nuk duhet harruar edhe fakti që shqiptarët janë një popull amerikandashës, ku edhe pse në shumicë janë myslimanë, nuk shquhen për urrejtje ndaj hebrenjve. Pra në të vërtetë për Shqipërinë Jeruzalemi mund të quhet një marrëdhënie it’s complicated. Por që nëse do ti marrim një për një në analizë vendimet diplomatike të Shqipërisë për Palestinën dhe Izraelin, duket se Shqipëria ja ka komplikuar vetë vetes marrëdhenien me dy shtetet e mësipërme për shkak të qëndrimeve jo të bashkërenduara sipas interesave të vetë Shqipërisë, por të lojës diplomatike që bëjnë fuqitë e mëdha. Aq sa tashmë të gjithë presin me sytë nga diplomacia se çfarë vendimi do të marrë.
Kështu po presin edhe komunitetet fetare të këtushme, që dëshirojnë më shumë ta quajnë “betejën” për Jeruzalemin më shumë si çështje politike se sa fetare. Si duhet të sillet Shqipëria në një rast të tillë dhe a do mundet diplomacia shqiptare të sigurojë një vendim diplomatik që nuk do të hatërmbeste as Amerikën dhe Izraelin nga njëra anë por as Palestinën dhe botën arabe nga krahu tjetër…?
Kjo mbetet për tu parë se sa e aftë do të jetë kjo diplomaci të flasë të paktën njëherë me zërin e saj të interesave./Opinion.al