LSI ka mbledhur sot Komitetin e saj Drejtues, një ditë para protestës së njoftuar nga opozita për të kundërshtuar zgjedhjen e Kryeprokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm me votat vetëm të mazhorancës.
Në fjalën e saj kryetarja Kryemadhi është shprehur se ka ardhur koha, që: “Ose të mbyllim gojën e të nështrohemi dhe të kthehemi në argatë të plantacioneve të drogës ose të reagojmë në të gjitha mënyrat që na lejon ligji dhe morali njerëzor. Qëndrimi ynë institucionalizohet sot për të vazhduar me hapa të tjerë”, u shpreh Kryemadhi duke shtuar se që nesër grupi parlamentar i LSI nuk do të lejojë shkeljen e kushtetuës.
Ajo pohoi se grupi do të jetë brenda në kuvend, por kërkoi mbështetjen e të gjithëve për të qenë para kuvendit në orën 09:30.
“Ne si grup parlamentar jemi të vendosur të mos e lejojmë këtë proces nesër në seancë dhe kërkojmë mbështetjen e të gjithë atyre burrave dhe grave që nuk duan të lejojnë të shkelen nga një njeri i çmendur, që përveç problemeve mendore ka probleme me sjelljen e tij, sepse është i kapur nga krimi i organizuar.
Nuk ka investitor që t’ja pastrojë paratë që kërkon t’i investojë jashtë Shqipërisë. Nuk ka prokuror dhe prokurore që të fshehi 863 mijë eurot e kapura në makinë dhe që janë paratë e drogës së Saimir Tahirit. Nuk ka parlament të kapur që të shpëtojë të ardhmen e Edi Ramës”, tha Kryemadhi duke shtuar se tashmë LSI nuk do të ndalet më.