Nga Klodian Tomorri
Kriza politike brenda maxhorancës kulmoi këtë javë, kur për herë të parë në historinë e Shqipërisë moderne, Parlamenti rrëzoi thuajse të gjithë paketën fiskale të qeverisë. Edhe pse e gjithë vëmendja e mediave dhe opinionit publik ishte e fokusuar tek ligji i dekriminalizimit, faktikisht “lajmi” në seancën e fundit plenare ishte shpartallimi fiskal i qeverisë deri në kufijtë e poshtërimit.
Në terma më konkretë, nga 10 ndryshime taksash që përmbante paketa e re fiskale, vetëm dy arritën të kalojnë në Kuvend sipas variantit të propozuar nga qeveria; heqja e taksës së biznesit të vogël dhe rritja e taksës së sigurimeve. Gjithë të tjerat, ranë ose u modifikuan. Rrjedhimisht sot Shqipëria ndodhet në një qorrsokak të paprecedentë fiskal, ku reforma tatimore nuk drejtohet më nga ekspertët e ekzekutivit dhe departamentet e specializuara në Ministrinë e Financave, por përvijohet, propozohet dhe më pas miratohet në mënyrë kaotike në Parlament. Madje pa asnjë llogari, jo vetëm të pasojave në ekonomi, por edhe të efekteve në buxhet.
Në fakt, ndryshimet në paketën fiskale nisën me herët, gjatë diskutimeve të saj në komisionet parlamentare të Kuvendit. Por, nëse në fillim kjo u duk si një përpjekje e dakortësuar e deputetëve në Komisionin e Ekonomisë për ta përmirësuar korpusin e ligjeve tatimore, gjatë votimit final në Parlament u bë e qartë se pas shpartallimit të paketës fiskale qëndronte Lëvizja Socialiste për Integrim. Prova e më e pakundërshtueshme ishte votimi për akcizën e birrës.
Qeveria pati propozuar që për vitin e ardhshëm akciza e birrës së prodhuar në vend të rritej me 15 për qind, ndërsa ajo e importit të ulej me 11 për qind. Në të gjithë masat e propozuara, kjo ishte ajo për të cilën përfaqësuesit e Ministrisë së Financave e kishin bërë të qartë në komisionet parlamentare se nuk do të pranonin asnjë kompromis. Për një arsye mbi të gjitha. Në këtë propozim ishte investuar personalisht kryeministri Edi Rama. Por pak minuta para votimit, Ilir Meta nxorri deputetin e tij të Bulqizë, Përparim Spahiu të propozonte një amendament për të ndalur rritjen e akcizës së birrës vendase. Dhe kjo e çoi Parlamentin në një situatë të paprecedentë, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe në historinë e shumë parlamenteve të tjerë në rajon e madje më gjerë; miratimin e një ndryshimi fiskal, me votën kundër të Kryeministrit dhe ministrit të Financave.
Dy parti që bashkë qeverisin në një koalicion mund të kenë qëndrime të ndryshme apo përplasje për shumë çështje. Por nëse nuk bien dakord për politikën fiskale, koalicioni ka rënë.
Britania e Madhe kaloi në një situatë të ngjashme vetëm dy vjet më parë. Në mars të vitit 2013, koalicioni qeverisës mes konservatorëve të David Cameron dhe liberal demokratëve të Nick Clegg do të përjetonte ndoshta krizën më të thellë në 5 vitet e mandatit të tij. Shkaku ishte një propozim i opozitës së majtë laburiste për të rritur taksat mbi shtëpitë e shtrenjta, i cili gjeti përkrahjen e Liberal Demokratëve ne qeveri, të cilët deklaruan se do e votonin taksën e re, pasi sipas tyre ajo e bënte më të ndershëm sistemin tatimor. Qëndrimi shkaktoi një furtunë në koalicionin qeverisës dhe në gjithë skenën politike angleze. Dy ditë para votimit në Parlament, David Cameron, parlajmëroi partnerët e tij në koalicion se nëse do të votonin taksën, koalicioni kishte rënë dhe ai do të thërriste zgjedhjet e parakohshme. Liberal Demokratët u tërhoqën. Kryeministri fitoi.
Një qeveri mund të pranoj gjithçka por jo të lëshojë atributin e qeverisjes fiskale. Ky është një postulat i pashkruar politik, pas të cilit qëndron një llogjikë e fortë. Nëse një qeveri humbet fuqinë për të bërë politikën fiskale, vendi ka hyrë në një qorrsokak të rrezikshëm. Në këtë rast, një nga të dy organtet e pushtetit, ose Parlamenti ose Qeveria, është i tepërt.