Home KRYESORE Ndikimi rus në Ballkan, Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin

Ndikimi rus në Ballkan, Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin

Mes shqetësimeve rreth shtimit të ndikimit rus, SHBA thonë se do të hartojnë një raport që analizon bashkëpunimin në fushën e sigurisë midis vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor dhe Rusisë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, me pëlqimin e Sekretarit të Shtetit, do ta paraqesë raportin në Kongres.

Vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshira në raport do të jenë Bosnje-Herzegovina, Serbia, Kosova dhe Maqedonia.

Sipas aktit për shpenzimet e mbrojtjes të kthyer në ligj këtë muaj, vlerësimi do të përfshijë një listë të sistemeve të armëve ruse dhe pajisjeve e teknologjive të tjera ushtarake me vlerë 1 milion ose më shumë dollarë, të cilat u janë ofruar këtyre vendeve ose janë blerë prej tyre që nga viti 2012.

Raporti duhet të përmbajë gjithashtu një përshkrim të pjesëmarrjes së forcave të sigurisë të ndonjërit prej këtyre vendeve në trajnime ose stërvitje me Rusinë që nga viti 2012 si dhe çdo marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë që këto vende mund të kenë nënshkruar me Moskën apo çdo bashkëpunim në fushën e inteligjencës.

Qëllimi është që të krijohet një ide se në ç’mënyrë bashkëpunimi midis secilit vend të Ballkanit Perëndimor dhe Federatës Ruse ndikon në interesat e sigurisë të Shteteve të Bashkuara, NATO-s, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe çdo anëtari të NATO-s që kufizohet me këto vende, thuhet në dokument.

Raporti duhet të përfshijë edhe një vlerësim rreth bashkëpunimit të sigurisë ndërmjet çdo vendi të Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe një vlerësim të bashkëpunimit të sigurisë mes këtyre shteteve dhe NATO-s.

Vendet perëndimore, përfshirë SHBA, janë gjithnjë e më të shqetësuara për një rritje të perceptuar të ndikimit rus në Ballkan dhe Europën Qendrore.

Në muajin nëntor, Këshilli Atlantik me qendër në Uashington bëri thirrje për një prani ushtarake të përhershme amerikane në Ballkan në klimën e asaj që e sheh si përpjekje në rritje të Rusisë për të ushtruar ndikim politik në të gjithë rajonin.

Më herët, Senatori republikan John McCain, pas një turneu në Ballkan, u ankua për një “vakum” të pranisë amerikane, të cilin ai tha se Rusia ishte e gatshme ta mbushte, dhe bëri thirrje për më shumë vizita amerikane të nivelit të lartë në rajon.

Në gusht 2017, nënpresidenti amerikan Mike Pence vizitoi Malin e Zi ku mori pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut duke u thënë udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbajnë Rusinë “përgjegjëse për veprimet e saj”.

“Ne duhet të jemi të vendosur dhe pa kompromis përballë agresionit nga një vend i paparashikueshëm, që hedh hije nga Lindja,” tha zoti Pence.

“Rusia, – tha ai, – vazhdon të përpiqet të ri-hartojë kufijtë ndërkombëtarë me forcë dhe këtu në Ballkanin Perëndimor Rusia ka punuar për të destabilizuar rajonin, për të shkatërruar demokracitë tuaja dhe për t’ju ndarë nga njëri-tjetri si dhe nga pjesa tjetër e Evropës”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë çdo përpjekje për të përdorur forcën, kërcënimet ose frikësimet në këtë rajon apo më gjerë,” shtoi ai. “Ballkani Perëndimor ka të drejtën të vendosë të ardhmen e vet.”

Në Podgoricë morën pjesë edhe krerët e shteteve dhe qeverive të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë.

Nënpresidenti Pence tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është “në Perëndim”./Zeri i Amerikes

Share: