Robert Mueller, prokurori i posaçëm që po heton bashkëpunimin e mundshëm të ekipit të Donald Trumpit me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale, i tha avokatëve të presidentit se me shumë gjasa do ta marrë në pyetje kreun e Shtëpisë së Bardhë.
Duke cituar një person të afërt me Trumpin, Washington Post shkruan se një intervistë lidhur me disa çështje të kufizuara mund të zhvillohet brenda pak javësh. Sipas medies amerikane, Mueller e kishte përmendur intervistën gjatë një takimi me avokatët e presidentit në fund të muajit dhjetor.
Burimi citohet të thotë për gazetën se çështja po lëvizte më shpejt nga ç’mendohet dhe se Trumpi nuk e kishte problem të merrej në pyetje. Gjithsesi avokatët e presidentit po hezitojnë ta lejojnë atë në një intervistë ballë për ballë, me pyetje të hapura, pa vendosur parametra të qartë.