Në Shqipëri ndodh që edhe raportin e invaliditetit ta marrësh me mik. Jo vetëm ekonomia, por sidomos korrupsioni e zhvillimi i ngadalshëm e shuajnë shpresën tek rinia. Pandalshëm ajo kërkon alternativa jashtë Shqipërisë.
Orest Çipa, 29 vjeҫ, është shef i Sektorit të Koordinimit të 24 Njësive Administrative, që ka Bashkia e Tiranës, më e madhja në Shqipëri, me më shumë se 757 mijë banorë. Ai nuk e di nëse do të vazhdojë të punojë në Bashki apo jo në vitin që po vjen, 2018. Në ditët e para të janarit ai do të merret në intervistë nga Zyra për Çështjet Konsullore në Ambasadën Amerikane në Tiranë, pasi ka fituar aplikimin në Llotarinë Amerikane për të jetuar dhe punuar legalisht në SHBA.
“Në Bashkinë e Tiranës ka hapësira të mëdha për t’u rritur profesionalisht, për të pasuruar përvojat. Puna në Bashki më jep mundësi të njoh mirë problemet që kanë qytetarët dhe parë nga afër sesi funksionojnë gjërat në realitet. Të punosh në Bashkinë e Tiranës është një mundësi e shkëlqyer”. thotë për DË, Orest Çipa.
Por ai po përpiqet ta lërë këtë mundësi- edhe pse vetë e quan të shkëlqyer- për të shkuar drejt të panjohurës, ëndrrës amerikane. I arsimuar në universitetin e Tiranës për gazetari, ai ka kryer një master 3 vjeҫar për Drejtësi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Shangait, me përvoja të mira pune brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka krijuar familjen e tij, është prind i një vajze të vogël. Megjithatë ai nuk ndihet i plotësuar në Tiranë. Gotën e tij në Shqipëri e sheh gjysëm bosh.
“Ka shumë faktorë që më bënë të aplikoj për të fituar Llotarinë Amerikane dhe u larguar nga Shqipëria. Janë faktorë ekonomikë por edhe të tjerë që nuk kanë të bëjnë me ekonominë. Ka një zhvillim të ngadalshëm shoqëror, emancipues, demokratizues. Psh ndjej një rënie të peshës, fuqisë së qytetarëve që i kërkojnë llogari qeverisjes dhe duan një rol më të madh. Ende indeksi i korrupsionit është goxha i lartë, ndër më të lartët në Ballkanin Perëndimor. Këtu ndodh që edhe raportin e invaliditetit, kur je invalid, duhet ta marrësh me mik. Dihet që sa më i lartë korrupsioni, aq më e lartë përqindja e njerëzve të arsimuar që kërkojnë të largohen. Korrupsioni fiton terren në kurriz të ndertimit të një shoqërie të bazuar në merita. Ka edhe faktorë të tjerë që lidhen me jetën e përditshme”thotë Orest Çipa.
Brain Drain – Ikja e “Trurit” nga Shqipëria me përmasa shqetësuese
Faktorët e tjerë i identifikon vetë Qeveria Rama 2. Në Strategjinë Kombëtare për Diasporën dhe Migracionin, 2018-.2024 krahas faktorit ekonomik janë identifikuar edhe faktorë të tillë si: “niveli i ulët i sigurisë publike, mungesa e besimit të qytetarëve në përmirësimin e situatës në vend, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar paralizojnë funksionimin normal të institucioneve shtetërore”. Në Strategjinë Kombëtare, e përmendur më lart, vihet në dukje se fenomeni i largimit të trurit, i njohur si Brain Drain, i shfaqur në vitin 1990, menjëherë pas rënies së regjimit komunist, ka vazhduar edhe gjatë tranzicionit të vështirë post-komunist dhe nga viti në vit përmasat e tij janë bërë shqetësuese. Kjo pasi largimi i trurit nuk përfshin vetëm akademikët apo personat e kualifikuar të fushave të tjera. ” Një numër i madh studentësh shqiptarë shkojnë në Itali dhe Greqi dhe më pas “truri” i vendit largohet drejt Gjermanisë, SHBA dhe Kanadasë” vihet në dukje në këtë dokument të Ministrisë së re të Diasporës.
Në Shqipëri nuk ka shifra të sakta zyrtare, lidhur me numrin e akademikëve, specialistëve, elitës intelektuale që është larguar për të jetuar dhe punuar në Perëndim. Dy destinacionet e preferuara SHBA dhe Kanadaja përtej Atlantikut e kanë futur në sistem marrjen e trurit përmes llotarive të përvitshme. Ndërsa në Gjermani po shkojnë të jetojnë dhe punojnë në mënyrë të ligjshme mjekë dhe infermierë të kualifikuar, pasi për ta ka nevojë. Shifrat e përafërta bëjnë fjalë për largimin e 1/3 së popullsisë së Shqipërisë.
Pasoja të rënda për Shqipërinë
Largimi i ajkës së intelektualëve dhe sidomos e rinisë ka pasoja të rënda: Shqipërisë i ikën pjesa më e mire e kapitalit njerëzor, lokomotiva e zhvillimit të saj ekonomik dhe social. Ikja e rinisë po tkurr aktivitetin dhe efektivitetin prodhues në sektorin privat dhe po ngadalëson ritmet e procesit të afrimit të Shqipërisë me BE, process i vlerësuar si katalizator i emancipimit shoqëror, zbatimit të ligjit dhe i kryerjes së refomave të mëdha.
Mendo rininë që jeton në qytete të vogla… ku nuk ndodh asgjë dhe ku nuk ka punë, ҫfarë mund të bëjnë përveҫ se të kërkojnë të largohen?, thotë Orest Çipa.
” E di që ikja e njerëzve të arsimuar nga Shqipëria do të ketë një kosto të jashtëzakonshme në progresin ekonomik dhe social të vendit. Por kur mungojnë kushtet për të zhvilluar karrierën dhe ndjekur vokacionin tënd, i ҫfarëdo lloji qoftë ai, nuk të mbetet gjë tjetër vetëm të largohesh. Mendo rininë që jeton në qytete të vogla Kavajë, Tepelenë, Himarë, Laҫ, etj, ku nuk ndodh asgjë dhe ku nuk ka punë, ҫfarë mund të bëjnë përveҫ se të kërkojnë të largohen?” thotë Orest Çipa.
Strategji për Brain Gain- për të fitur dhe mbajtur “trurin ” në Shqipëri
Që të kërkosh të realizohesh si individ, të aspirosh një jetë më të mirë, është një nga të drejtat themelore të njeriut, kur kjo ndodh pa thyer ligje dhe rregulla të vendet pritës. Qeveria Rama 2 në hartimin e Strategjisë Kombëtare për të ndalur fenomenin e Brain Drain dhe kthyer atë në Brain Gain ka vendosur nxitjen dhe promovimin e emigracionit të përkohshëm dhe atij qarkullues për individë të kualifikuar dhe talentuar. Këtij qëllimi do t’i shërbejnë marrëveshjet me SHBA dhe Kanadanë për nxitjen e kthimit vullnetar në Shqipëri të emigrantëve të kulifikuar. Atyre do t’iu jepet mundësia të vijnë në Shqipëri dhe qëndruar pak kohë për konsultime, dhënie leksionesh, treinime, gjë që do të bëjë të mundur njëherazi regjistrimin e gjithë kapaciteteve intelektuale jashtë vendit. Ndërsa të rinjve dhe të rejave të talentuar do t’u ofrohen bursa për të studiuar jashtë vendit dhe vende pune, kur të mbarojnë studimet./Deutsche Welle