Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka thënë se Qeveria e Serbisë ka pranuar informatat e para rreth vrasjes së Oliver Ivanoviç.
Gjuriç ishte i ftuar në një emision të Radio Televizionit të Serbisë (RTS), së bashku me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Dalibor Jevtiç.
“Nga minuti në minutë ne jemi duke marrë më shumë informacione [për vrasjen e Ivanoviç, dhe jam duke u bindur se kjo vrasje nuk është kryer nga vendi jonë, apo nga serbët e Kosovës. Ne kërkojmë që autoritetet e Kosovës menjëherë të gjejnë fajtorët dhe t’i sjellin ata para drejtësisë”, ka thënë Gjuriç për Radio Televizionin e Serbisë.
Sipas tij, objektivi pas kësaj vrasjeje është Serbia, stabiliteti i saj dhe e ardhmja.
“Ai qe e bëri këtë, ka bërë gjënë më të keqe për kombin tonë. Tani është shumë e rëndësishme që institucionet e Kosovës të japin përgjigje për atë që ne jemi duke kërkuar: ‘që Serbia të lejohet të marrë pjesë në hetim’”, tha Gjuriç.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për t’i mbrojtur serbët e Kosovës, në dy dekadat e fundit.
“Nëse ata [institucionet kosovare] nuk i gjejnë vrasësit, do të thotë se ata e dinë se kush e vrau Ivanoviçin. Prandaj kërkojmë që edhe ne të marrim pjesë në hetim”, përsëriti drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. /360grade.al