Arkeologu i njohur Apollon Baçe, anetar i Akademisë së Shkencave deklaron publikisht se do të jetë nesër në protestën e thirrur nga opozita, por theksoi se do jetë aty kundër politikës në përgjithësi, pra kundër Ramës e kundër Bashës. Deklaratën e bëri në emisionin “Debati në Channel One”.
“Jemi në kufijtë që e kemi humbur edukatën e protestës dhe kjo është e papranueshme. Personalisht kam vendosur që do të jem në orën 12.00, në bulevard si pjesëmarrës në protestë dhe besoj se çdokush që e ndjen dhe kupton nga kjo situatë që ndodhet vendi duhet të bëjë kështu”, tha akademiku Baçe.
“Unë do shkoj atje për të protestuar ndaj kryeministrit Rama, por edhe ndaj kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Protestën duhet ta bëjë populli dhe jo partia dhe unë do marr pjesë në protestë ndaj politikës” sqaroi Baçe.
Një nga argumentet që akademiku dha ishte ikja masive e qytetarëve . “Dakord, qytetarët janë të pakënaqur ndaj Ramës dhe qeverisë së tij, por qyetarët janë të pakënaqur edhe ndaj kryetarit të opozitës Basha dhe për këtë arsye largohen nga vendi. Nëse Basha do të ishte shpresë për ata qytetarët nuk do iknin nga vendi. Ata ikin se nuk kanë asnjë shpresë” tha ai.
Pikërisht kjo sipas Baçes do të përbënte çelësin e suksesit të kësaj proteste. “Nëse do jetë një protestë qytetare do të quhet e suksesshme, nëse jo ajo do jetë e pasuksesshme” tha akademiku Baçe.