Home KRYESORE Sherrnaja nënë/vjerre – nuse

Sherrnaja nënë/vjerre – nuse

Nga Capajev Gjokutaj

Nënës i duhen 20 vjet ta bëjë fëmijën burrë, kurse gruas i mjaftojnë 20 minuta ta bëjë burrin teveqel. Kështu thotë një aforizëm cinik.

Janë më pak se 20 fjalë, por ajo që lexohet nën to është një ese e tërë për patriarkatin dhe për raportet nënë – grua.

Mbase ky aforizëm synon të theksojë se burri është i dobët, kaq i dobët sa gruaja e kthen në teveqel për 20 minuta.

Por mbase synon ta prekë në sedër burrin, që ta mbajë mbi krye e sipër nënën dhe të bëhet burrë zamani e t’i tregojë vendin gruas.

Mbase kërkon të vejë në dukje punën e stërgjatë dhe vetëmohuese që bën nëna për të rritur e bërë burrë kërthiun, që sjell në jetë.

Gjithsesi, tërheq vëmendjen dëshira për kundërvenie totale mes nënës dhe bashkëshortes. Nëna me durim, përkushtim, lodhje e mundime. Gruaja me tundim, ngasje dhe tak-fak.

Njera me fisnikëri, tjetra me djallëzi. Njera ëngjëll, kurse tjetra demon.

Në fakt edhe nëna, edhe bashkëshortja janë role të gruas, gjallojnë tek i njëjti person. Si të tilla vështirë se e përjashtojnë, pa le më, ta mohojnë, njera-tjetrën.

Atëhere ku t’i ketë rrënjët kjo kundërvenie përjashtuese?

T’i ketë vallë tek interesa materialë të jetës së përditshme? E thotë dhe proverbi: sa patmë miell nuk u ndiem/ kur e sosëm u nakatosëm.

Mbase është ky shkaku, por si ta shpjegosh që sherrnaja nënë – nuse përflitet edhe sot kur, si rregull, secila palë jeton në shtëpinë e vet dhe tiganiset me të ardhurat e veta?

T’i ketë vallë rrënjët në nevoja psikologjike të nënës dhe të nuses? Të dyja duan ta zotërojnë e ta kenë të tyre djalë/bashkëshortin. Jo rastësisht, në folklorin e shumicës së popujve, marrëdhënia nënë – nuse është parë si sherrnajë pa mbarim.

Apo mos vallë është dredhi që i shërben pushtetit patriarkal, dmth “teveqelit”? Duke absolutizuar dhe shpurë në ekstrem kontradikta reale mes nënës dhe nuses, synon të ndajë e pëçajë gjininë femërore.

Në fakt ndarja e nënës nga gruaja, hyjnizimi i së parës dhe demonizimi i së dytës, është një nga zejet që ligjërimi patriarkal di ta bëjë më mirë. Qëllimi shquan që larg: burri, dmth patriarkati, të sundojë më lehtë dhe më gjatë.

Gjithsesi, ju uroj një fundjavë pa cicmice a, larg qoftë, sherre????

( Nga cikli ‘Dritëhijet e racionales’ )

Share: