Home KRYESORE Gafat e kryeministrit ne Izrael!

Gafat e kryeministrit ne Izrael!

Nga Enver Bytyçi

Kryeministri i Shqipërisë, zoti Rama, përmbylli një vizitë në Izrael. Takime të shumta, vizita “spektakolare”. Por edhe gafa të panumërta. Une po përmend vetëm dy prej tyre: Njëra ka të bëjë me gjeopolitikën dhe strategjinë e shtetit shqiptar, tjetra me qëndrimin kundër opozitës.

Në Tel Aviv zoti Rama theksoi se “Pranimi i Shqipërisë në NATO na ka ekspozuar ndaj terrorizmit”, se “Shqipëria është e rrezukiar nga terrorizmi, sepse ajo u bë anëtare e NATO-s”. E kam dëgjuar këtë dhe shumë shprehje të tjera antiNATO e antiamerikane në biseda klubesh e rrugësh. Por që kryeministri i vendit tim të japë një mesazh të tillë, këtë kurrë nuk e kisha menduar. Të thuash se Shqipëria rrezikohet nga terrorizmi, sepse ajo është anëtare e NATO-s është e pasaktë dhe e pavërtetë. Po Libia, Egjypti, Siria, Iraku anëtarë të NATO-s janë? Dhe të artikulojë një kryeministër i vedit tim, cilido qoftë ai, një frazë të tillë, ai do të duhej mësë paku të konsideroj si rrezik kombëtar e shoqëror.

Mesazhi i zotit Rama në publik është krejt i qartë.” Gjëmën e terrorizmit po na e sjell NATO”. Prandaj o njerëz duhet të jemi kundër anëtarësimit në NATO. Kush dëshiron të nxjerrë ndonjë përfundim tjetër, le të ma thotë! Nuk besoj se në gojën e kryeministrit një shprehje e tillë ka mesazh tjetër veç kësaj që përmenda më lart. Dhe duhet ta dijmë se liderët japin mesazhe gjatë diskursit të tyre. Nuk pohojnë thjesht diçka.

Farkeqësisht zoti Rama në Izrael pohoi një mesazh të tillë dhe shpalli njëkohësisht një qëndrim mohues sa i përket anëtarësimit të vendit tonë në Aleancën Atlantike. Pra, ai dha edhe një mesazh të dytë: Ata që u angazhuan që në vitin 1992 për pranimin e Shqipërisë në NATO dhe e kurorëzuan këtë përpjekje më 2009-ën, pra antikomunistët, “janë përgjegjës nëse do të ndodhin tek ne akte terroriste”.

Imagjino e thotë zoti Rama këtë para se të ndodhë ndonjë akt i tillë! Po sikur të ndodhte ose të ndodhë kjo, çfarë xhevahiresh të tilla do të nxirrte nga goja?! Pra, opinioni përgatitet që në një rast akti terrorist të akuzohet paraardhësi: “Fajin e ka Saliu që na anëtarësoi në NATO”?!!! Mund të duket kjo një fantazi imagjinate. Por zoti Rama nuk le rast pa na dëshmuar aventura të tilla.

A nuk e shohim çdo ditë të fajësojë BE-në për ngërçet e politikës shqiptare për anëtarësimin e vendit në kuminitetin europian?

Prej këtej rrjedh arësyetimi se kryeministri i vedit tim po përpiqet që nga pikëpamja strategjike dhe gjeopolitike të luajë një rol të dyfishtë, në modelin ramizist të tipit “Shqipëria as Lindje, as Perendim”. Por kjo është e pamundur. Një vend i vogël si Shqipëria nuk mund të luajë rolin e mesisë, aq më tepër një vend me njëmijë probleme, siç jemi ne. Kjo do të thotë një përpjekje për çvendosjen e politikave nga Perendimi në Lindje. Dhe ka njerëz që e mbështesin zotin kryeministër në këtë lloj aventure. Ata thonë “Shumë mirë, zoti Rama bën presion”?! Sigurisht që shumica prej këtyre janë nostalgjikë të diktatorit, të cilin e vlerësojnë thjesht nga aventura e “luftës kundër imperializmit amerikan dhe socialimperializmit sovjetik”.

Por e vërteta nuk është kjo. E vërteta është se në Shqipëri po fryjnë erërat e Lindjes. Po i largohemi qasjes sonë në raport me aleatin kryesor, SHBA-së, NATO-s dhe BE-së. Kjo do të sillte vetëvrasjen e kombit shqiptar! Nuk besoj se një aventurë e tillë do të ketë sukses, por ajo e dëmton interesin tonë kombëtar.

Së dyti, zoti kryeministër u soll në mënyrë të papjekur kur në Jeruzalem mori në mbrojtje bunkerin e djegur në Tiranë nga protestuesit e opozitës. Edhe nëse do të kishte të drejtë, kurrë nuk mund të mendohej që një konflikt i brendshëm në Shqipëri të transferohej e të lihej si testament në shënimin e kryeministrit tim në një vend të shenjtë. Nuk do ta bënte këtë as Haxhi Qamili.

Unë isha para një jave në Pekin në një konferencë ndërkombëtare, të cilën e organizonte Akademia e Shkencave Sociale të Kinës për bashkëpunimin me vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore. Isha i vetmi përfaqësues nga Shqipëria, ndërkohë që u ndjeva keq për këtë kur pashë se të gjitha vendet kishin katër deri tetë përfaqësues. Fola në atë konferencë, por nuk mund të çoja në Pekin konfliktin e brendshëm në Shqipëri. Do të ishte fyerje e madhe për veten time dhe për bashkëkomasit e mij. Por ja që e bën këtë kryeministri i vendit tim.

Dhe nga kjo thjesht ndjehem i turpëruar! Sepse rrobat e shtëpisë sonë i zoti i kësaj shtëpie i mori me vete ashtu të lagura dhe i ndeu të thahen në oborrin e një vendi të largët, sado vend mik i shqiptarëve. Ky nuk është paradoks, kjo është katastrofa jonë morale! Duket se dielli i Shqipërisë nuk i mjafton zotit Rama.

Share: