Nga Fadil Maloku
Liqeni i Ujmanit (gjatësi afër 32 km.), është një burim i rrallë natyror, prej nga përmes hidrosistemit Ibër- lepenc, bëhet ujitja e një pjese Kosovës. Pa ujët e këtij liqeni nuk mund të vihen në lëvizje termocentralet në Obiliq. Kjo pjesê është shumë e pasur me mineralet e plumbit, zinkut, argjendit, etj. dhe përmban edhe shkritoren e Zveçanit, që si asete dhe vlera të rralla do mund ta nxitnin inicimin e zhvillimit ekonomik të industrisë dhe bujqësisë kosovare, në situata krize! Tani, të “këmbesh” këto dy resurse të dhuruara nga Zoti, në favor të një lloj paqeje kinse afatgjate, dhe dosido të pasigurt, duket që është jo edhe aq mençuri e zgjuar politike e pjekuri e shquar sociale! Them kështu, edhe për shkakun se Serbia s’do ndalej sërish të krijoj dhe rikrijoj pretekste të reja (i)reale, si psh. sosh religjioze (manastiret dhe kishat politike), apo demografike (shprazjen sistematike që veç është duke e testuar në Luginë), dhe tjera deri në pakufi! Pra, përse është e gabuar ideja e transaksioneve territoriale?
1. Do thënë që në fillim se: si ide e edhe si koncept, kjo iniciativë dosido bie ndesh me konceptin e multikulturalizmit dhe multietnicitetit të Ballkanit Perëndimor dhe BE-s.
2. Si Projekt është jo human, për shkak se në mënyrë perfide inicion dhe insiston një lloj tjetër “transferimi human” të popullsisë serbo – shqiptare.
3. Si manovër, ambientet e pastra etnike, mund të thuhet që janë dhe mbesin akoma tendenca e ambicie të ca lidershipëve rajonal, por, assesi edhe synime e vlera civilizuese. Ngase, teza e ambienteve puro etnike, është e rrezikshme dhe absurde, në shekullin tonë.
4. Ideja e “këmbimit”, si përvojë e re Ballkanike, do “testohej” pastaj si “recetë”, edhe midis maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni; Serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnje! Që natyrisht, do ishte një tronditje e re ndajë; sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë…!
5. Përmes projektit të “këmbimit” të veriut të Mitrovicës me Luginën, shtetin Serb definitivisht do e privonte nga “e drejta historike” e cilësimit të “Kosovës, si djep i civilizimit serb”! Që realisht, nënkupton, vetëm një “time aut” të përkohshëm serb për ta lancuar alibinë e re aneksuese!
6. Kjo ide është diskutabile, shkaku se akoma nuk e dimë tipin e skalpelit që duhet përdorur në këtë iniciativë “këmbyese”(në fakt; ndarjes) territoresh, ndërkaq, kalkulojmë lehtësisht sikur të kemi të bëjmë me një transaksion ditor, apo ndonjë bartje rutinore territoresh!
7. Ideja e “këmbimi”…., padyshim që do kërkonte një dalje tejet problematike të palës kosovare, nga obligimet e negociuara të Brukselit!
8. Kjo iniciativë gjithsesi, do barte reperkusione dhe refleksione edhe në Preambulën e Kushtetutës; Serbe (ku Kosova, akoma figuron si pjesë integrale e Serbisë!) dhe asaj të Shqipërisë (ku obligimi ndaj përkujdesjes…kosovare, është obligim kushtetues!), të cilat detyrimisht do merrnin kohë dhe energji për rideklarime pro et contra këtij “këmbimi” territorial!
9. Ideja “këmbimit”, ka edhe një defekt tjetër civilizues! Është kundër logjikës aktuale (por, jo edhe në perspektivë!) të proceseve integruese evropiane.
10. Projekti i këmbimit të territoreve me Serbinë, ishte ide e akademikut serb Dobrica Qosiqit, e jo i R. Qosjes! Andaj, logjikisht i bie që çdo ide, propozim apo edhe “peshqesh” nga Serbia, përherë do ta ketë prapavijën e vetë me pasoja të mëvonshme: ekonomike, historike, sociale, demografike e kulturore!
11. Thënë edhe më thjesht; Ideja e ndarjes, sikur të mos ekzistonin institucionet kompetente (Qeveria, Kuvendi, Gjykata…etj.) do konsiderohej ide racionale, e qëlluar dhe e mirëseardhur, për ta paqësuar rajonin e trazuar. Por, ajo tani (jam shumë i bindur në këtë!) nuk e ka më: as peshën, as argumentin, as kompetencën e duhur ekzekutive, e as nevojën aktuale demografike e as gjeografike, pra, as vizionin e duhur pragmatik!