Dr. Enriko Ceko
Udhëheqës është dikush të cilin e ndjekin njerëzit, apo dikush që i është ngarkuar detyra për të qenë në krye të kombit, të një partie politike, të një trupe legjislative, të një njësie ushtarake, një grupi pune etj., ndërsa lidershipi është procesi i influencës sociale, nën të cilin një person ndihmohet dhe mbështetet nga të tjerët, për të arritur objektiva apo detyra të përbashkëta, ndërsa lidershipi është krijimi i një rruge nëpër të cilën njerëzit kontribuojnë që të ndodhin gjërat që ata duan, është aftësia për të integruar në mënyrë të suksesshme burimet e vlefshme për arritjen e qëllimeve të organizatës, duke ndërtuar grupe të afta drejtuesish dhe kontribuesish. Në këtë këndvështrim, udhëheqësi duhet të jetë në vazhdimësi një individ i aftë për të nxitur të tjerët e për t’i mbështetur ata drejt një ëndrre dhe nga kjo del se njerëzit duhet të kenë përpara tyre një vizion dhe një mision për të arritur, vizion dhe mision që arrihet me objektiva strategjike, objektiva operacionale dhe me një plan veprimi të përcaktuar qartë dhe më tej edhe me mbështetjen financiare të nevojshme dhe të përshtatshme për të realizuar planin e veprimit.
Në kushtet aktuale që ndodhet vendi ynë, shenjat tregojnë se udhëheqësi(t) dhe lidershipi në përgjithësi, në pozitë dhe opozitë, në administratën publike dhe në sektorin privat, e kanë humbur drejtimin e busullës, ose ndoshta edhe më keq e kanë humbur busullën fare dhe kjo sepse në situata të ndryshme dhe të vështira që kanë dalë përpara në rrugën e zhvillimit të vendit, lidershipi ka treguar se e humb menjëherë toruan, çfarë thotë sot nuk thotë nesër, nuk ka marrëdhënie të balancuara me të tërë ata që e mbështesin, por marrëdhënie të anatemuara, që krijohen mbi bazë interesash të ngushta dhe jo mbi bazë interesash gjithëpërfshirëse. Në fakt, janë interesat gjithëpërfshirëse ato që krijojnë kohezionin politik, ekonomik, social, kulturor, etj., në një vend të caktuar, gjë që nuk është se ka ndodhur në Shqipëri dhe kjo sepse udhëheqësi(t) dhe lidershipi në vend nuk kanë aftësi axhustuese, u mungon drejtpeshimi i gjërave, nuk kanë aftësinë të shikojnë anën tjetër të medaljes, u mungon qartësia në mendime dhe veprime, nuk janë të hapur nga përvoja më e mirë dhe në përgjithësi nuk janë vetëefikasë, elemente këto të përcaktuara nga shumë autorë të psikologjisë, personalitetit të drejtimit, lidershipit dhe procesit politik, sipas të cilëve, liderët dështojnë sepse neglizhojnë aftësitë e të tjerëve dhe se me kalimin e kohës, injorojnë motivet dhe vlerat që i kanë vënë ata në krye të vendit dhe kombit, apo sepse pas një sërë suksesesh, liderëve u bie niveli ekspertizës dhe aftësitë në zgjidhjen e problemeve, pa llogaritur këtu përfshirjen në afere korruptuese për përfitime material, kur ardhja e tyrë në pushtet u bë për shkak të parimeve gjithëpërfshirëse politike, ekonomike, sociale, kulturore e morale.
Është mëse e vërtetë që udhëheqësi(t) dhe lidershipi në Shqipëri nuk janë krijuar mbi baza të shëndosha edukative dhe karriere, por mbi bazën e influencave situacionale. Nëse marrim shembuj të ardhjes në fuqi të drejtuesve me këtë mënyrë, mund të themi se kështu erdhi në fuqi Millosheviçi, vetëm për shkak të një fjalimi nacionalist, që më pas e ktheu atë në kasapin e Ballkanit, kështu erdhi në fuqi Stalini, thjesht se ishte kanakari i Leninit, kështu erdhi në fuqi Hitleri, thjesht se i pëlqeu njërit prej komandantëve të lartë ushtarakë për pikëpamjet e tij e jo për shkak të përzgjedhjes cilësore të elitës kombëtare, por vetëm për shkak të mungesës së saj, apo mefshtësisë së saj dhe mesa duket kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri në pothuajse 100 vitet e fundit.
Është shumë interesant fakti se në përgjithësi xheli emocional apo amalgama emocionale e udhëheqësit ndikon në një masë shumë të madhe në emocionet e grupit që ai drejton, emocione që lidershipi i përcjell te njerëzit e thjeshtë, dhe, drejtuesit që e njohin këtë mekanizëm, influencojnë shumë te të tjerët nëpërmjet stilit karizmatik të bërjes së punëve. Kur njerëzit shprehin ndjenjat e tyre, ata dërgojnë sinjale te të tjerët dhe nga kjo del se që punët të ecin mirë, duhet që emocionet e liderit të jenë në përgjithësi pozitive dhe nxitëse dhe patjetër të mirëkontrolluara për të bërë punë të mira dhe punë të perëndisë dhe jo punë të liga e punë të djallit. Në kohët moderne për liderët dhe lidershipin nuk ka më vend për stil narcistik, autoritar apo autokratik drejtimi, por për stil pjesëmarrës dhe demokratik, kombinuar me stilin e ecjes së lirë, që do të thotë se njerëzit në grup duhen lënë të lirë të veprojnë, duke u motivuar në mënyrë pozitive dhe efektive, në mënyrë që të rritet produktiviteti i tyre. Por, në praktikë, dëshira e drejtuesit për të kontrolluar gjithçka dhe dëshira për të mbikqyryr çdo gjë vetë, nuk le vend për delegim dhe hapësirë për vetëveprim të punonjësve të administratës publike dhe punonjësve të sektorit privat, sipas niveleve të hierarkisë dhe detyrave e përgjegjësive të përcaktuara sipas punës përkatëse të gjithsecilit.
Për sa më lart në kushtet e Shqipërisë nuk ka aspak vend për udhëheqës dhe lidership të tipit toksik, që është një mënyrë drejtimi ku udhëheqësi dhe lidershipi abuzojnë me marrëdhënien se anëtarët e grupit duhet të ndjekin udhëheqësin dhe lidershipin, duke i vënë këta anëtarë në situata të vështira dhe të këqija, shpeshherë edhe jashtë vullnetit të tyre, për të bërë veprime që dihet se janë të gabuara apo jo efektive dhe eficiente dhe shpesh herë edhe të kundraligjshme. Që një lidership të jetë efektiv dhe eficient duhet që të ketë unitet midis tërë anëtarëve, duhet të ketë marrëdhënie pozitive ndërpersonale dhe anëtarët duhet të kenë shansin që të kontribuojnë, mësojnë e të punojnë me dhe nga të tjerët dhe anëtarët duhet të kenë aftësinë që të veprojnë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët. Për këtë, udhëheqësit dhe lidershipi duhet të kenë qëllime, prioritete dhe role të përcaktuara, të dinë të marrin vendime, të shmangin konfliktet, të trajtojnë në mënyrë të balancuar njerëzit dhe situatat, të veprojnë mbështetur në ligje, norma e rregulla, të krijojnë kushtet dhe të mbështesin produktivitetin e njerëzve, etj dhe jot ë japin vetëm urdhëra për zbatim edhe kur këto janë në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi.
Vetëm nëpërmjet këtyre karakteristikave mund të bëhet e mundur që udhëheqësi(t) dhe lidershipi të arrijnë të kenë fuqi legjitime, aftësi për të mbajtur timonin dhe kapelen e kapitenit, për të përcaktuar se ku do hidhet spiranca, për të gjeneruar përherë e më shumë fuqi kohezioni rreth njerëzve që i rrethojnë dhe të shtojnë fuqinë e ekspertizës nga përvoja dhe informacioni që vjen nga ky kohezion. Lidershipi ka brenda tij informacione të shumta nga më të ndryshmet. Janë pikërisht këto informacione që ndihmojnë të kuptohet përgjigjja se përse udhëheqësi dhe lidershipi gjenden në një moment të caktuar në vështirësi dhe se nëse nuk përmirësohet situata, sipërmarrja, qoftë kjo edhe sipërmarrje shumë e rëndësishme politike mund të dështojë përfundimisht. Nëse mund të rendisim disa nga problemet se përse dështon lidershipi, paaftësia e leximit të informacionit dhe kryerja e veprimeve jashtë logjikës qytetare patjetër duhet që të renditen në krye të listës. Nëse nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme për të lexuar informacionet, atëherë rreziku i dështimit është fare pranë dhe ky rrezik nuk duket në kohët e mbara të drejtimit, por del papritur përballë drejtuesve kur bien parametrat e drejtimit të vendit dhe kur qytetarët kërkojnë zhvillim dhe rritje të mëtejshme të mirëqenies së tyre individuale dhe si komb.
Një arsye tjetër se përse dështojnë udhëheqësit dhe lidershipi është se ata nuk duan që të besojnë se ata nuk dinë atë që në fakt duhet të dinë për kombin, vendin, jetesën e qytetarëve të thjeshtë, në mënyrë që të drejtojnë kombin në mënyrë cilësore, efektive dhe eficiente. Udhëheqësit, individualisht, mund të jenë njerëz mjaft inteligjentë, të përpiktë, drejtues mjaft të mirë, por mund të jenë njëkohësisht edhe mosbesues, arrogantë, kontrollues në detaje, tipa paranojakë, apo edhe njerëz të pasigurt, sidoqoftë, të paktën një ditë të vetme në drejtim ata mbeten pa ide. Idetë në fakt më së shumti i kanë njerëzit e thjeshtë dhe edhe pse drejtuesit e dinë fare mirë se idetë e njerëzve të thjeshtë janë më të mira se idetë e tyre, ata përsëri vazhdojnë që të ecin me idetë e tyre, duke vazhduar që të bëjnë të njëjtat gabime, duke e ditur se e kanë gabim dhe duke e ditur fare mirë se ata dinë një gjë që s’dinë asgjë. Edhe pse udhëheqësi dhe lidershipi ndonjëherë arrijnë ta perceptojë se njerëzit e thjeshtë dinë gjëra mjaft të vlefshme për ecurinë e zhvillimit të vendit, përsëri komunikimi midis udhëheqësit dhe qytetarëve në më të shumtën e rasteve nuk është i përshtatshëm apo mungon pothuajse fare. Është pikërisht dëgjimi zërit të qytetarisë ai që bën që udhqheqësi dhe lidershipi të drejtojnë për një kohë të garantuar.
Një gabim tjetër mjaft i madh që bëjnë drejtuesit është se ata tërë ditën merren me financat, çmimet, buxhetin, tenderët, koncesionet, taksat, doganat, energjinë elektrike, e të tilla si këto, kur vendi ka nevojë që lidershipi të mendojë më shumë me zemër dhe me kokën e vet mbi supe se sa me gjak të ftohtë e me ndonjë kokë tjetër. Duke bërë këtë gabim, ata nuk gjejnë shpejt rrugën e përshtatshme për të ecur përpara, ata ose nxitojnë ose vonohen në marrjen e vendimeve, ndërmarrin rrisqe nga më të ndryshmet, kanë konflikte në marrjen e vendimeve, duan që të jenë gjithkushi etj, dhe kjo të çon drejt mediokritetit në kryerjen e punëve.
Në përgjithësi pothuajse të tërë liderët e dinë pak a shumë se si duhen bërë punët, por jo të tërë janë njësoj. Të dish se si operon politika dhe drejtimi i vendit nuk do të thotë se je i aftë të përshtatesh në kohën e ndryshimit të situatave, që nuk varen nga mjedisi i brendshëm. Përsëritja e çdo gjëje njësoj si në ditën e parë të fillimit të punës në politikë për disa mund të jetë gjë e mirë, por në fakt nuk është kështu. Nëse vepron në këtë mënyrë, lidershipi nuk është përmirësuar aspak dhe nuk bën përpjekje për të mësuar kryesisht nga dështimet e veta dhe të të tjerëve. Të mendosh se je më i miri është gabimi më i madh që mund të bëjë një lider, sepse gjithmonë ka vend për përmirësim. Disa e dinë shumë mirë këtë gjë, disa më mirë e disa më keq e disa shumë keq.
Pothuajse të tëra gabimet dhe defektet e mësipërme bëjnë që udhëheqësi dhe lidershipi, pavarësisht nga fuqia midis qytetarëve, një ditë të bukur të shkojnë drejt dështimit. Dëgjimi i zërit të qytetarëve, vënia veshit e nevojave dhe dëshirave të njerëzve të thjeshtë, krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për zhvillimin e ekonomisë dhe për të mbështetur komunitetin e biznesit etj., janë disa nga elementet kryesore apo çelësi i madh i arritjeve me të cilat një udhëheqës dhe një lidership i caktuar mund të fitojë të drejtën e qytetarisë për të drejtuar vendin dhe kombin, apo që një udhëheqës të vazhdojë të drejtojë më tej, në mënyrë që edhe kur të dalë në pension, të ketë me të vërtetë se çfarë t’u tregojë me mburrje nipave dhe mbesave dhe të tillë udhëheqës që të kenë mundësi të tregojnë për brezat e mëvonshëm se ç’farë bënë ata për vendin dhe për njerëzit e thjeshtë, mesa duken bathët, vështirë se do të kemi për një kohë shumë të gjatë.