25-vjeçari Aldo Ymeraj i cili u arrestua nga policia shqiptare, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SHBA, në fushën e krimeve kibernetike, jetonte me nënën e tij në Fier. Ai kishte studiuar për pikturë dhe nuk njihej shumë në qytet.
Banorët e lagjes “Konferenca e Pezës” në Fier thonë se nuk e njohin Aldo Ymerajn. Ata pak fqinj që flasin jashtë kamerave thonë se “ishte djalë i urtë”.
Përkundër kësaj, emri i 25-vjeçarit fierak ndodhet në mes 36 personave nga vende të ndryshme të botës të kërkuar nga SHBA për krime kibernetike. Nga policia e Fierit tregojnë se 25-vjeçari u arrestua në kryeqytet. Ai jetonte kohët e fundit mes Fierit, Tiranës dhe Vlorës. Bazën e kishte në vendlindje, aty ku policia pas arrestimit po ushtron kontrolle.
Nuk dihet nëse do të bëhej piktor i mirë përderisa studjoi pikturë për 4 vjet në shkollën artistike “Jakov Xoxa”, por Aldo Ymeraj rezulton një gjeni në fushën e kibernetikës.
Me prindër të divorcuar, djali i pronarit të një shtypshkronje në Fier, Ymeraj punonte herë pas herë në biznesin e të atit.
Nuk është e qartë se si përfundoi mes grupit të shumëkërkuar nga FBI që akuzohen se kanë përvetësuar nëpërmjet marifeteve të internetit 530 milionë dollarë.
I riu nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimit.
Hetimi për 36 persona të organizuar nën moton “In fraud We trust” (në mashtrim ne besojmë), ka nisur nga SHBA . Grupi i hakerave akuzohet se merrnin pjesë në një rrjet të krimit kibernetik qe drejtonte një skemë të sofistikuar duke blerë dhe shitur numrat e sigurimeve shoqërore dhe vjedhur të dhënat personale.
Nga ky aktivitet i themeluar në vitin 2010 prej një shtetasi ukrainas janë shkaktuar 530 milionë dollarë humbje për konsumatorë biznese dhe banka. Anëtarët e rrjetit nuk ishin takuar me njëri-tjetrin. Ata identifikonin njëri-tjetrin me nofka ne internet./ABC News